Intervista e Kryetarit të Bashkisë Berat, Petrit Sinaj me gazetarin Bejdo Malo.

Kam ardhur në një qytet të veçantë, në qytetin e Beratit. Sot vijmë në zyrën e Kryetarit të Bashkisë z. Petrit Sinaj?

Mirëserdhët në Berat, në fakt është qytet mbi 2400 vjeçar, që flet me historinë e vetë, me kulturën e vetë dhe që tashmë pret mijëra e mijëra turistw nga e gjithë bota. Ky qytet ka në përbërjen e vetë një popull heterogjen nga e gjithë zona e qytetit të Beratit, por edhe më gjerë që në 100 vitet e fundit kanë ardhur për të jetuar dhe ndërtuar jetën e tyre këtu, duke e bërë qytetin e Beratit një miks kulturash të gjithë zonës jugore dhe qendrore të Shqipërisë. Vitet e fundit është investuar shumë në infrastrukturë, në qendër të qytetit, sidomos në lagjet muzeale që janë pjesë e UNESCO, Goricë, Mangalem. Aktualisht jemi duke punuar me dy projekte të mëdha të financuara nga Banka Botërore, për rrugët hyrëse dhe dalëse në kalanë e Beratit. Dhe do vazhdojmë dhe me projekte të tjera për ta shtrirë nivelin e investimeve, siç është në këto lagje dhe në fshatin më të largët të Bashkisë Berat.

Thonë që Petrit Sinaj i solli një lloj qetësie Beratit, maturie, kujdesi dhe një lloj avokatie dhe për hallet e tyre, çfarë ka ndodhur?

Zyra e Kryetarit të Bashkisë për këtë është, të mbajë të baras larguar të gjithë njerëzit, por gjithashtu dhe të përafruar me zbatimin  e ligjit dhe me ofrimin e shërbimeve te gjithë njerëzit. Qoftë atë që ka një përafrim me Kryetarin e Bashkisë apo me politikën lokale apo dhe atë që nuk ka asnjë njohje. Por ka njohjen e vetë me ligjin dhe të drejtën njerëzore për të jetuar me dinjitet dhe për t’iu ofruar të gjitha shërbimet e nevojshme për qytetarët. Kjo ka bërë që njerëzit të ndihen qetë për sa i përket politikave lokale. Për sa i përket politikave qendrore duhet të përgjigjet qeveria.

Ju jeni treguar i kujdesshëm dhe për arsimin parashkollor dhe për shkollat e mesme dhe për shkollat 9-vjeçare ose më saktë që çdo beratas të shkojë në shkollë…

Absolutisht po, në këto 3 vjet që kam si Kryetar Bashkie kemi parw me një vëmendje të madhe të gjitha institucionet e arsimit parashkollor, por dhe shkollat 9-vjeçare dhe shkollat e mesme. Sepse të gjitha godinat e shkollave janë në pronësi të Bashkisë. Kemi rehabilituar plotësisht  disa prej shkollave më të mëdha që ishin në gjendje shumë të keqe, si Starova, Veteriku, tani është shkolla 1 Maji që është përballë policisë që po bëhet e re, shkolla e Uznovës do bëhet e re, kopshti në Dushnik dhe dhjetëra kopshte qoftë në qytet, njësitë administrative apo dhe nëpër fshatra, duke mbaruar plotësisht restaurimin e tyre aty ku ka dhe pjesën më të madhe të nxënësve. Kemi vetëm dy shkolla në qytet, gjimnazin “Bab Dud Karbunara”  që ne presim financim nga qeveria, kemi dy vjet që kemi aplikuar dhe shkolla “22 Tetori” që është shkolla më e madhe 9 vjeçare  në Berat. Vetëm këto dy shkolla kanë mbetur pa u prekur nga investimet e Bashkisë dhe presim investimet financiare nga qeveria. Pse ka qenë vëmendja në gjithë këtë infrastrukturë arsimore. Sepse aty është dhe kontakti i parë i një fëmije në çerdhe, kopsht dhe shkollë me institucionin  e Bashkisë dhe me shërbimet që institucioni i bashkisë ofron. Qoftë me stafin, qoftë dhe me godinën. Dhe kemi marrë të gjitha masat që në vitin e tretë të mandatit tim të ishin të restauruara të gjithë kopshtet dhe çerdhet. Na kanë mbetur vetëm dy shkollat në qytet.

Të gjithë qytetarët që pyetëm ne thonë, ka një frymë mirëkuptimi midis bashkisë, taksës që duhet të paguajë qytetari dhe frymës së biznesit…

Kjo është e vërtetë, është viti i dytë radhazi që ne i ulim taksat dhe tarifat lokale që është kompetencë e Këshillit Bashkiak, administratës që ia propozon Këshillit Bashkiak dhe ky i fundit i miraton. Me bindjen e plotë që një politikë me lehtësimin e taksave dhe tarifave do të ndihmonte me hapjen e vendeve të reja të punës që është një nga plagët e shoqërisë në Berat, por mesa kuptoj unë dhe më gjerë në Shqipëri. Dhe nxitjen e çifteve të reja që të hapin biznes në Berat, për të mos u larguar në qytete më të mëdha si Durrësi apo Tirana, apo më keq akoma, jashtë Shqipërisë. Për shembull në lagjet muzeale, ne nuk marrim taksa apo tarifa për sa i takon nivelit vendor. Pse? Sepse duam që të gjithë banorët që janë aty, çiftet e reja që mund të jenë aty, të mund t`i kthejnë godinat e tyre në bujtina. Dhe numri i bujtinave në lagjet muzeale Magalenë-Gorricë dhe Kala në tre vitet e fundit, pothuajse është dyfishuar. Numri i shteteve gjithashtu është dyfishuar. Kjo, do të thotë që vetëpunësohen familjarët dhe banorët e këtyre zonave. E njëjta politikë do ndiqet dhe për zonat që kanë potencial për agroturizmin apo ndërtimin e bujtinave në zonat kodrinore apo malore rreth qytetit të Beratit.

Kemi një zonë rurale të Beratit sepse Bashkia e Beratit ka edhe pjesën rurale. Jeni kujdesur që këto prodhime që kanë këta banorë sepse në zonën tuaj jemi në magjinë e ullirit. Jeni kujdesur që edhe ai që është në Uznovë, dhe ai që është në Plashnik, e ai që është në Dushnik, ta ndjejë veten që është qytetar i Beratit?

Kjo ka qenë me thënë të drejtën një nga sfidat më të mëdha dhe vazhdon të jetë një nga sfidat më të mëdha të mat si kryetar bashkie, por edhe të gjithë administratës sepse janë në fakt mijëra kilometra rrugë parcelash që e çojnë fermerin, banorin e secilit fshat dhe janë 50 fshatra në Bashkinë e Beratit në tokën e vet. Parcelat kur janë ndarë në ’91-’92-in, janë ndarë të copëzuara. Pra,një fermerë nuk e ka në të njëjtën vend të gjithë sipërfaqen që i ka takuar me ligjin në fuqi të kohës, por e ka në 3 apo 4 vende. Kjo jep dhe vështirësinë tjetër që nuk ke nevojë për një rrugë për të çuar fermerin x në tokën e vet, por do ketë disa rrugë për ta çuar fermerin. Ndërkohë, taksa që paguan për tokën bujqësore është minimale, shkon nga 1000 lekë të reja në vit deri në 12 000 letë të vjetra, ose 1200 lekë të reja në vit. Për këtë tarifë, taksë që i merr banorit, fermerit, duhet t`i mirëmbash 7 deri në 10 kilometra rrugë parcele dhe kjo është një sfidë me thënë të drejtën sepse duhet të flasim në raport me mundësitë financiare që ke si pushtet lokal, me taksat që ti grumbullon vetë dhe mirëmbajtjen e rrugëve të parcelave. Këtu nuk bëhet fjalë për rrugët që lidhin lagjet me qendrën e fshatit apo qendrën e fshatit me qendrën administrative apo qendër administrative me atë të bashkisë. Pa diskutim që janë në një gjendje shumë të mjerë dhe në ato dy tre fshatra ne kemi probleme me mirëmbajtjen e rrugëve të fshatrave, po i kthejmë nga çakull për shkak të gërryerjes që bëhet nga shirat, po i kthejmë në beton. Problem mbetet vetëm rrugët e parcelave. Ne kemi ndjekur një politikë të tillë që kemi filluar me fshatrat me prodhimtari më të madhe bujqësore, aty ku ka më shumë ullinj, më shumë rrush, qershi apo prodhime të tjera siç janë domatet nga serat apo fushat e tjera bujqësore. I kemi mirëmbajtur në gjendjen më të mire ato dhe pastaj kthehemi në pranverë për të hapur dhe mirëmbajtur rrugët për prodhimet që janë të qershor-korrik që është gruri, etj, sipas secilës stinë, secilës prodhim, bëjmë dhe mirëmbajtjen e rrugëve të parcelave. Por kemi ecur goxha mirë, por nuk mund të themi që e kemi zgjedhur përfundimisht këtë sepse për çdo sezon prodhimi, ne duhet të bëjmë një mirëmbajtje.

Vijmë tek një problem tjetër, për të marrë një dokument apo për tu shërbyer si shëndetësi, shumë fshatarë kanë dhe probleme. Ke menduar për tua lehtësuar këto gjëra? Për të marrë një dokument në bashki, hipotekë, për të krijuar zyra dhe për të ndihmuar ata, por edhe për shëndetësi. Janë dy sektorë që kanë të bëjnë me interesat e njerëzve.

Në fakt, në bashki është zyra me një ndalesë. Në 4 njësitë administrative që janë pjesë e bashkisë, që është Sinja, Velabishti, Otllaku dhe Rroshniku ka nga një specialistë të zyrës me një ndalesë  në secilën prej këtyre njësive dhe një banor po themi i njësisë administrative Roshnik nuk ka pse të vijë deri në Berat. Mjafton të takojë specialistin përkatës në njësinë administrative dhe përcillet nëpërmjet sistemit ankesa apo kërkesa që ai ka në Bashki. Gjenerohet në sistem sipas drejtorisë përkatëse apo specialistit përkatës dhe i kthehet përgjigjja mundësisht brenda 24 orëve, por të nesërmen ai e ka përgjigjen në njësinë administrative,në mos brenda 2-3 orëve që ai mund të presë aty. Kjo është për sa i përket sistemit të brendshëm. E njëjta gjë pastaj dhe për sistemin e lejeve, sistemi është online për të gjithë ata që kanë nevojë për një leje ndërtimi. S`kanë nevojë të vijnë në urbanistikën e Bashkisë së Beratit. Mjafton të aplikojnë në sistem sipas ligjit përkatës, të plotësojë dokumentet përkatëse dhe brenda ditëve që do dhe ka nevojë sistemi të gjenerojë lejen, i del leja në mënyrë automatike. Kurse për shëndetësinë, ne kemi një raport shumë të mirë me Drejtorinë e Shëndetit Publik dhe jemi të gatshëm e kemi qenë të gatshëm për ta ndihmuar Drejtorinë e Shëndetit Publik, që në çdo qendër shëndetësore që ekziston brenda bashkisë së Beratit, të mund të jetë në kushte të mira komode, të mund të ketë drita, të ketë ujë, të ketë infrastrukturën, rrugën për të vajtur deri tek qendra shëndetësore. Ajo që kemi pasur gjithnjë diskutim për disa fshatra të thellë është që infermierja të jetë aty në 7 ditë të javës sepse kemi pasur dhe ankesa që nuk ka pasur infermiere në 7 ditë të javës. Por kjo nuk ka qenë një problem serioz.

Plus kësaj, ju keni dhe një avantazh. Rruga për në Sinjë apo rrugët e tjera rurale janë shumë të asfaltuara..

 

Po janë të gjitha të asfaltuara. Është një zonë e mrekullueshme. Në fakt të katërta njësitë  administrative të Beratit janë zona shumë të bukura dhe kanë potenciale të mëdha ekonomike. Edhe Parku Kombëtar I Tomorit është një kartolinë jo vetëm për Bashkinë e Tomorit por për gjithë Shqipërinë sepse është një aset që ka potenciale të jashtëzakonshme për turizmin malor dhe nuk është shfrytëzuar absolutisht nga qeveria.

Nga shifrat që më ka thënë z. Nasip Naco, numri i turistëve ka kaluar në qindra mijëra nëse më parë numëroheshin në dhjetëra mijëra. Çfarë ka ndodhur?

Infrastruktura hyrëse për në Berat që është zgjidhur përfundimisht. Qendra e qytetit, rritja e cilësisë së shërbimeve nga pronarët e bujtinave. Mirëmbajtja e cilësisë së shërbimeve nga bashkia, pastrimi, gjelbërimi, uji i pijshëm, ne jemi në fazën e fundit të investimeve, për një sistem komplet të ri, që kishte mbi 70 vjet të ujit të pijshëm dhe të urave të larta. Tani ne kemi në 60% të qytetit një rrjet komplet të ri të bërë nga firma gjermane. Është financuar nga Banka për Zhvillim por dhe firma mbikëqyrëse është austriake dhe gjermane. Dhe Brenda këtij viti fillon dhe për fazën tjetër të qytetit dhe mbarojmë.

Thonë që keni një suport dhe dobësi të veçantë të z. Ilir Meta, të Monika Kryemadhit por dhe gjithë LSI-së…

Në fakt Presidenti i Republikës ka pasur një dobësi shumë të madhe për qarkun e Beratit dhe shumica e investimeve që janë duke u realizuar në qarkun e Beratit tashmë qoftë nga Banka Botërore, qoftë nga BERZH  apo dhe nga donatorë të ndryshëm që janë duke punuar fort në qarkun e Beratit, kanë qenë me  nxitjen e Presidentit të Republikës. Por unë nuk besoj që Presidenti ka dobësi vetëm për qarkun e Beratit por për gjithë Shqipërinë. Por ne i jemi mirënjohës që e ka mbështetur fort qarkun e Beratit me projekte shumë të rëndësishme për zhvillimin e këtij qarku.

Do doja të më thoshe dhe dy fjalë për kujdesin e znj. Kryemadhi…

Në kuadrin e LSI që unë jam dhe Kryetar i LSI Berat prej të paktën 10 vjetësh si Kryetare partie ajo ka një vëmendje të veçantë për strukturat e LSI në Bashkinë e Beratit, por edhe në të gjithë Qarkun e Beratit, që strukturat e LSI-së së Beratit të jenë më të lidhura drejtpërdrejt me hallet e njerëzve të thjeshtë, të përfaqësojnë dhe të përçojnë interesat e njerëzve më të thjeshtë, e njerëzve që nuk kanë mbrojtjen e duhur dhe vëmendjen e duhur të shtetit për t’i mbrojtur ata. Dhe  për t’i bërë të ndihen të sigurt në shtëpitë e tyre, kudo në fshat apo qytet, në të gjithë territorin e Qarkut të Beratit dhe që të jenë të përfaqësuar. Pra ta ndjejnë që LSI-ja është ajo forcë politike që përfaqëson qoftë njeriun e pambrojtur, qoftë dhe atë intelektualin që po i hahet e drejta e vet nga një pseudo intelektual që i merr vendin e punës dhe po i merr të gjitha meritat e duhura. Në këtë këndvështrim zonja Kryemadhi po përpiqet të organizojë partinë bashkë me ne të gjithë, jo vetëm në Berat por në të gjithë Qarkun e Beratit. Dhe ky është edhe synimi i LSI-së. Të përfaqësojë qoftë atë njeriun e thjeshtë që partitë e tjera i shkojnë vetëm për votën në ditën e zgjedhjeve dhe pastaj e harrojnë për 4 vitet e ardhshme. Por që ne t’i shkojmë këtij individi jo vetëm për t’i  kërkuar votën por edhe për  t’i dëgjuar hallin dhe për t’ia zgjidhur atë brenda hapësirës ligjore.

Edhe deputetët janë një mbështetje, keni z. Nasip Naço dhe Silva Cakën. Si i ruan raportet një kryetar bashkie serioz si Petrit Sinaj?

Raportet janë jashtëzakonisht të mira me të shtatë deputetët e Qarkut të Beratit. Kemi mirëpritur çdo lloj propozimi të deputetëve të Qarkut të Beratit, që kishte të bënte me të mirat që mund të përfitonte Qarku i Beratit nga projektet apo idetë që deputetët do sjellin. Pa dyshim që brenda siglës politike 2 deputetët e LSI-së, Nasip Naço dhe Silva Caka kanë qenë më afër organizimit dhe bindjeve politike. Kurse në aspektin e administrimit kanë qenë të shtatë deputetët të mirë se ardhur dhe i kemi mirëpritur idetë e tyre.

Mos të ka ngelur ndonjë gjë merak pa thënë në këtë intervistë? Sepse edhe ne kemi një lloj përgjegjësie sepse vijmë dhe nuk themi të gjitha gjërat…

Absolutisht jo.  I vetmi merak që kam pasur me të gjithë mysafirët që kam pasur në zyrën time ka qenë që për një javë nëse mund të mbani foto nga lagjet muzeale ne faqet tuaja të Facebook-ut për të reklamuar këtë qytet kaq të mrekullueshëm që në njëfarë mënyre vetëm duhet nxjerrë në dritë që të huajt dhe ata që nuk e kanë vizituar akoma ta vizitojnë për të kuptuar këtë magji që ky qytet dhe kjo bashki jep, jo vetëm për historinë çfarë ka qenë, por për një gërshetim të mrekullueshëm për atë çfarë ka qenë mbi 2400 vjet më përpara, çfarë ka qenë në gjithë këto mijëvjeçarë jetese, kulture dhe bashkëjetese fetare dhe çfarë është sot dhe çfarë fryme përcjell për të ardhmen. Një bashkëjetesë të shkëlqyer midis besimeve, midis njerëzve, midis niveleve shoqërore.

Atraksioni i madh turistik këtu është harmonia fetare, objektet e kultit…

Është një gërshetim i të gjitha gjërave, magjia e Beratit.

Çfarë planesh ka kryetari i bashkisë deri në sfidën e radhës? Sepse po vijnë zgjedhjet dhe tani intensifikohet edhe objektivi dhe puna…

Për mua akoma janë larg zgjedhjet sepse kemi sfida dhe projekte që janë në zbatim deri në qershor apo në korrik të vitit që vjen. Të realizojmë këto objektiva, të mbyllim këto projekte që janë në realizim me cilësinë e duhur. Ndërkohë administrata të jetë me 100% të kapacitetit të vet për t’u shërbyer qytetarëve të Beratit që vijnë në bashki, jo vetëm për punë dhe probleme që i lidhin me bashkinë, por edhe për ato që e lidhin me Qeverinë, sepse ai nuk mund të takojë dot një ministër apo kryeministrin, por e ka më të lehtë për të ardhur tek bashkia dhe për t’u ankuar dhe për një hall që nuk është kompetencë e bashkisë. Pra për t’i pritur dhe për t’i shpjeguar me dinjitet të gjitha gjërat brenda hapësirës ligjore dhe për t’i dhënë orientimin e duhur për të zgjidhur ato halle dhe atë ngarkesë. Papunësia ka bërë punën e vet kështu që banorët një pjesë e tyre që janë dhe të punë kanë ngarkesën e vet dhe duhen pritur me dinjitet.

Në verë vijnë edhe shumë emigrantë që kanë probleme të vogla për t’i zgjidhur. Çfarë janë emigrantët  për qytetin e Beratit?

Emigrantët vijnë në periudha të veçanta. Vijnë gjatë gushtit, Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri. Në atë kohë ne kemi një organizim më të mirë të qarkullimit të  mjeteve me policinë e qarkullimit rrugor. Ndërkohë që ata përveç se vijnë për ditët e festave duhet që të gjejnë një cilësi më të mirë të shërbimeve, të pastrimit, të sigurisë publike, të shërbimeve në institucione të ndryshme. Kështu që ne në ditë të veçanta punojmë me orare më të zgjatura për shërbimet që ata mund të kenë nevojë, në ato periudha të shkurtra që ata janë në Shqipëri. Por gjithashtu ata sjellin dhe shumë financa që festojnë me familjarët dhe të afërmit e tyre. Ndërkohë që në ato periudha që vijnë dhe emigrantët kemi dhe qindra e mijëra turistë  të vendeve të huaja që kanë po të njëjtën vëmendje dhe po të njëjtën  përkujdesje. Ne e themi me krenari që kemi mbi 2-3 vjet që në Bashkinë e Beratit nuk ka ndodhur vjedhja më e thjeshtë e çfarëdo lloj turisti, vendas apo i huaj qoftë, në asnjë pjesë të territorit të Bashkisë së Beratit. Kjo tregon për një kulturë të veçantë që banorët e Beratit kanë. Sepse ne nuk mund të ruajmë dot mbi 150 mijë turistë që hyjnë në vit në bashkinë e Beratit me policët e bashkisë apo me të gjithë Policinë e Shtetit.

Parashikohet që të shkojnë në 170 mijë turistë këtë vit. A është objektiv i kapshëm?

Unë kam bindjen që do kalojë shifra mbi 200 mijë turistë këtë vit sepse jo të gjithë turistët që vijnë në Berat shkojnë në Kalanë e Beratit dhe presin një biletë për të hyrë në kala. Një pjesë shkojnë edhe nëpër kanione, në Parkun Ndërkombëtar të Tomorrit apo në kodrat e zonës së Shpiragut apo vijnë thjesht për të parë Beratin sa mund të shikohet në këtë pjesën tjetër pa u ngjitur në kala. Kështu që do jenë mbi 200 mijë turistë.