Petrit Vasili/ “225 mijë vota janë vota heronjsh dhe misionarësh, të cilët zgjodhën me kurajë të fortë dhe me atdhedashuri Shqipërinë demokratike”

Konventa Kombëtare Zgjedhore e Lëvizjes Socialiste për Integrim u mblodh sot në Tiranë për të zgjedhur kryetarin e ri të partisë pas dorëheqjes së z. Petrit Vasili.

Në këtë Konventë ishin të pranishëm drejtuesit e Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe delegatë nga të gjitha degët e LSI-së në të gjithë Shqipërisë.

Me votim unanim delegatët zgjodhën znj. Monika Kryemadhi si Kryetaren e Lëvizjes Socialiste për Integrim, ndërsa z. Luan Rama u zgjodh në postin e Zv.Kryetarit të LSI-së dhe znj. Erisa Xhixho u zgjodh Nënkryetare e LSI-së. 

Fjala në Konventë e kryetarit të Grupit Parlamentar të LSI-së, z. Petrit Vasili:

Vëllezër dhe motra, anëtarë të Konventës së LSI-së! Fjala e parë nga zemra është një falënderim përreth 225 mijë votues dhe për secilin nga ju këtu. Një falënderim i madh, të cilën dua t’ua drejtoj mijëra komisionerëve dhe numëruesve anembanë vendit që, falë përkushtimit të përbashkët, mundëm të përballojmë me sukses një fushatë shumë të vështirë, të pabarabartë, të padrejtë dhe të manipuluar.

225 mijë vota janë vota heronjsh dhe misionarësh, të cilët zgjodhën me kurajë të fortë dhe me atdhedashuri Shqipërinë demokratike, jo atë me drogë, Shqipërinë e pastër, jo me plehra, Shqipërinë që do prosperojë dhe jo Shqipërinë që plaçkitet nga uzurpatorë. Këto vota janë themeli i betonit të një opozite të vërtetë, që i ka munguar krejtësisht këtij vendi, një opozitë idealiste, që ka qytetarin të parin dhe jo oligarkun, që flet drejt dhe i pastër, të një opozite që përballet me pushtetin arrogant dhe të pashpirt dhe jo që flirton me të prapa perdes. Këto janë votat e mijëra të rinjve në çdo cep të vendit, që e duan lirinë dhe që nuk duan kurrsesi të shiten e të blihen. Ata duan ta ndërtojnë të ardhmen e vendit të tyre këtu në Shqipëri.

Ky mision është sot më jetik se kurrë, pasi vendin e ka pushtuar thellë pseudodemokracia që vret fatin e mijëra njerëzve dhe që u bën 0 çdo shans për të ardhmen dhe që me paratë e pista dhe të drogës e krimit, kërkon të blejë edhe lirinë. Ky mision vazhdon, sepse për ne fati i vegjëlisë është fati i Shqipërisë dhe jo fati i oligarkisë në çanakun e të cilëve është zhytur ky pushtet dhe e ashtuquajtura opozita e deritanishme. Këto vota janë më të rëndësishme që janë hedhur ndonjëherë, pasi ato nuk u thyen as nga milionët e eurove, që u hodhën për të blerë vota e që tronditën dhe kursin e euros, as nga bandat e kriminelëve të barabartë me policinë dhe as nga presionet dhe frikësimet e gjithë llojeve, që nga heqjet skandaloze nga puna e deri te shembja e murit të shtëpisë, mbylljes së biznesit, gjobitjeve kriminale e deri te notat e gjimnazistëve. Këto vota u rezistuan të gjitha presioneve, duke u bërë themeli i opozitës së re, të vërtetë dhe murit ku do të thyejë kokën pushteti i krimit. Sot duhet të jemi më krenarë se kurrë, që jemi fitimtarët e vetëm dhe të vërtetë të këtyre zgjedhjeve, që janë realisht më të shëmtuarat, që pluralizmi ka prodhuar. Kështu ne marrim një mision të madh, misionin më të madh që LSI ka marrë ndonjëherë në historinë e saj 13-vjeçare. Një mision që të përfaqësojmë mbi 75% të shqiptarëve që nuk duan të qeverisen nga një parti 20% dhe misioni që t’ju rikthejmë zërin dhe shpresën 56% të shqiptarëve që duan të ikin sa më parë nga ky vend. Prandaj ju them sot se LSI është ballë një misioni të vërtet historik. Zgjedhjet e 25 qershorit ishin një shfaqje e turpshme, e manipulimit masiv të vullnetit të shqiptarëve dhe vota e blerë dhunoi votën e lirë, duke shënuar ditën më të errët dhe më të zymtë në këto 25 vjet. Paratë e drogës u shpërndanë anembanë vendit, bandat e kriminelëve dhe policia shqiptare u bën njësh në operacionin e krimit elektoral shumë të rëndë, që u konsumua më 25 qershor.

Kërcënimet e të gjithave llojeve e formave u përhapën në mënyrë epidemike në të gjithë vendin dhe nuk kursyen jo vetëm individët, por edhe rrethet familjare e shoqërorë. Kërcënimet dhe presionet qenë të të gjithave ngjyrave, pamë se si u bënë kërcënime për t’i lënë edhe në shtëpi ata që donin të votonin kundër. Për gjithçka kemi informuar më parë, në vazhdimësi dhe vazhdojmë të informojmë edhe OSBE/ODIHR-in, por roli i tyre, për fat të keq, mbeti formal. E bëri atë që ata thuajse që mos të kishin asnjë ndikim pozitiv në dekurajimin e këtij operacioni sa kriminal dhe antidemokratik. Madje, ata u pajtuan edhe me shkeljet flagrante të Kodit Zgjedhor, të cilin KQZ e ktheu në një letër pa vlerë, duke shënuar një nga skandalet më të ulëta në historinë e zgjedhjeve pluraliste shqiptare. Është fare e qartë se marrëveshja e 17 majit mes dy bashkë-ideatorëve të krimit elektoral, ishte një marrëveshje kundër LSI-së për ta dëmtuar atë maksimalisht dhe për ta asgjësuar. Por rritja e LSI-së ishte goditja më e fortë për ta. Marrëveshja e 17 majit ia mbylli gojën opozitës shqiptare dhe ne pamë se si edhe OSBE-ODIR dhe ambasada amerikane ishin më të shqetësuara se kjo opozitë e kapur dhe e implikuar me vullnet të plotë në shkatërrimin e standardit të zgjedhjeve dhe në zëvendësimin e votës së lirë me votën e blerë.

Krimi dhe dhuna nuk kurseu as të riun maturant në Zharrës, as gratë në punë, as dhunimet e shumta në Lezhë, Kuçovë, Elbasan etj., të cilat janë provat tragjike që këto zgjedhje ishin një ripërsëritje në një formë tjetër të zgjedhjeve të zeza të 1996 që qenë parathënia e një tragjedie për Shqipërinë e ’97-s. Të gjitha këto ndikuan rëndë në rezultatin e zgjedhjeve, i cili dukshëm do të ishte më së paku dyfishi i LSI-së, por kjo fitore e jona për t’u përballur me gjithë këtë krim të strukturuar shtetëror elektoral qe një fitore akoma më e madhe e një Shqipërie dhe një LSI-e që nuk dorëzohet as para krimit e as para presionit. Misioni ynë historik është sot që më shumë se 80% e shqiptarëve që nuk pranojnë këtë qeverisje nga kjo pakicë të shndërrohet në një barrikadë të kësaj të keqe që ka pllakosur vendin. Në të gjitha frontet, në çdo shtëpi, fshat, biznes, aktivitet shoqëror duhet të tregojmë me gisht çdo qëndrim korruptiv jodemokratik e kësaj qeverie që gënjeu e bleu shqiptarët më 25 qershor, duke e futur vendin në një qorrsokak të ri, ku vazhdon avazi i vjetër vjedhje popullit dhe pasurimin e oligarkisë. Kjo qeveri dhe ky Kryeministër, BE i zë me gojë për të justifikuar mbushjen e Shqipërisë me plehrat. E përdorin gjithashtu BE-në për të bërë dhe sondazhe të paguara, që gjoja nxjerrin policinë më të votuar nga qytetarët, atë polici që e ktheu Shqipërinë në një republikë ameriko-latine, simbol të drogës dhe i vuri Shqipërisë damkën e Kolumbisë së Evropës. Por, kësaj qeverie, këtij Kryeministri nuk i duhet Bashkimi Evropian për të respektuar punonjësit e shërbimit civil dhe ligjin, pasi kjo junta e re po zbaton sot Nenin 24/1, që zbatoi Berisha për të larguar qindra e mijëra njerëz nga vendet e punës. Junta e 24/1-shit, kjo është qeveria aktuale. Për këtë qeveri, kryesore mbi të gjitha, është kjo oligarkia, e cila shkarkoi dhjetëra miliona euro nga llogaritë e saj për të blerë votat, sa edhe kursi i euros, e thashë edhe më parë, u trondit në Shqipëri, duke blerë kështu në mënyrën më të pacipë varfërinë e shqiptarëve, që ata vetë e mbollën. Një varfëri, e cila më 26 qershor i bëri shqiptarët të zgjohen dy herë më të varfër, shumë herë më të varfër, pasi përveç varfërisë, shitën edhe lirinë, shitën edhe votën e tyre të lirë. Gishti dhe grushti ynë do të drejtohet fort ndaj çdo cenimi të interesit publik, ndaj çdo grabitjeje të pasurisë dhe të financave publike për të cilat kjo qeveri është e panginjur.

Të dashur motra dhe vëllezër, ne zhvilluam një fushatë të shkëlqyer elektorale, me një program të shkëlqyer qeverisës, me shumë ide, me një plan për ta nxjerrë vendin nga varfëria. Fushata jonë, në mijëra sheshe, rrugë e fshatra, përcolli optimizëm, shpresë, freski, që vinte nga mijëra të rinj, të cilët ishin lajtmotivi, shpresa dhe zemra jonë. Ndërkohë që, kundërshtarët tanë hodhën vetëm helm, hakmarrje, helm nepërkash dhe kërcënimesh, duke bërë një fushatë të zezë si vetë paratë e zeza, me të cilat blenë votat dhe paguan bandat e kriminelëve dhe policinë e korruptuar. Kryeministri ideatori i krimit elektoral, si asnjëherë në historinë e Shqipërisë, qofshin ato komuniste, qofshin ato demokratike, bëri krimin më të rëndë, që është parë në historinë e politikës shqiptare të pluralizmit, duke i bërë policisë thirrje të bëhej pjesë e fushatës së tij dhe duke lënë Shqipërinë për herë të parë pa polici, dhe duke i lënë krimit një fushë dhe një shesh të lirë. Dhe njëkohësisht e vuri policinë tërësisht në shërbim të tij. Por, LSI iu rezistoi të gjithave dhe do të kryejë që nga sot me përkushtim dhe vendosmëri shumë më të madhe se më parë misioni i saj për të qenë zëri i më shumë se 80 për qind të shqiptarëve që refuzojnë të qeverisen nga ky 20 përqindësh, gjysma i blerë, gjysma i frikësuar e i terrorizuar. Si dhe kemi misionin për të përfaqësuar 56 për qind të shqiptarëve, që duan të largohen sa më parë nga ky vend, sepse kjo qeverisje ua ka bërë jetën ferr. Ju të gjithë do të jeni ky zë që Shqipëria pret dhe që i ka munguar. Fundi i pushtetit të krimit, drogës, plehrave, është një fund i paralajmëruar. Ne do ta prijmë këtë betejë të madhe për çlirimin e Shqipërisë nga damka që i ka vënë kjo qeveri, e cila sot nuk tremb më askënd, por vetëm thellohet në fundin e saj të paralajmëruar.

Ne jemi të gatshëm për këtë mision të madh, kemi lindur në kohë të vështira dhe i kemi dhënë vendit kthesat që e kanë çuar në normalitet. Do të bëjmë sërish këtë, por me një dimension të ri, si kurrë më parë. Ndaj, vetëm përpara në këtë mision të ri, i cili na lartëson të gjithëve dhe që e bën LSI shumë më të fortë për t’i kthyer Shqipërisë demokracinë e rrëmbyer, të nëpërkëmbur, për t’i dhënë shpresë të rinjve të mos ikin nga vendi i tyre dhe për t’i dhuruar qetësi e mirëqenie mijëra burra e grave për ta ndjerë veten të qetë në atdheun e përbashkët. Që asnjë uzurpator, kryeministër a pushtetar tjetër nuk mund t’ua rrëmbej. Shqiptarët e dinë shumë mirë që ne jemi vendosur në anën e së mirës dhe këtë e panë në katër vitet që lamë pas. Panë se si iu kundërvumë koncesioneve, taksave të egra mbi biznesin e vogël, si i mbështetëm fasonët, si i bllokuam plehrat, si kërkuam me çdo kusht edhe futjen e ushtrisë për të bllokuar drogën, duke bërë opozitën e vërtetë edhe pse në bashkëqeverisje, ndërkohë që opozita zyrtare ishte kthyer në një opozitë fasadë të telekomanduar nga oligarkia. Miqtë e mi, jam krenar për ju, jam i nderuar të jem me ju, misioni ynë është shumë i madh ndaj duhen energji të mëdha dhe një luftë në shumë fronte. Partia kërkon energji të reja dhe forcim të punës me çdo qytetar, në çdo banesë e komunitet. Parlamenti kërkon intensitet e kualitet shumë të lartë opozitar, dhe qëndrim shumë të fortë dhe të vendosur përpara luftës në pushtet. Sot misioni ynë për ti përfaqësuar ata shqiptarë që refuzojnë edhe në heshtje të qeverisen nga një pakicë e bën jetike hapjen e LSI ndaj tyre. Ndaj çdo skeptik brenda apo jashtë nesh që refuzon dhe pengon këtë hapje të madhe që ne na pret me dashje pa dashje nuk mund të jenë pjesë e misionit tonë, që shqiptarët dhe historia na kanë vënë në këtë moment kyç të historisë tonë. Kjo hapje dhe ky komunikim i gjerë kërkon një administrim sa më efikas të përditshëm, të përminutshëm të energjive dhe kualiteteve tona. Pikërisht për t’iu përgjigjur këtij momenti të ri të veçantë dhe historik në të cilën ndodhet LSI, kam vendosur të paraqes dorëheqjen time si kryetar i LSI-së për t’iu përkushtuar tërësisht betejës sonë parlamentare, si opozita e vërtetë ballore kundër një regjimi policor, dhunues, shtypës dhe në shërbim të krimit dhe jo të qytetarëve.

Burimi:( integrimi.al / E.S )

al}lsiLOGO_LRI_lgi
Selia Qëndrore

Rruga Sami Frashëri
Godina 20/10
Tiranë, Shqipëri

Zyra e Kordinatorëve

Tel: +355 4 2270 412
Tel: +355 4 2270 413

Zyra e Sekretariatit

Tel: +355 4 2258 665

Zyra e Shtypit LSI

Tel: +355 4 225 758

info@lsi.al, www.lsi.al