Petrit Vasili: Amendamentet e LSI në përkrahje të shtresave në nevojë dhe njerëzve të thjeshtë. Mazhoranca të reflektojë

Kryetari i Grupit parlamentar të LSI-së Petrit Vasili ditën e sotme ka dhënë një konferencë për shtyp ku është shprehur se kjo është një ditë e provës së madhe. Në rast se nuk ka asnjë reflektim, përfundimisht kjo qeveri nuk do të mund të flasë më kurrë në emër të të varfërve.

Më poshtë deklarata e plotë:

Jemi në këtë komunikim së bashku lidhur me një moment shumë të rëndësishëm që do të diskutohet dhe  miratohet në Kuvendin e Shqipërisë dhe që ka të bëjë me miratimin në tërësi dhe nen për nen të projektligjit për buxhetin dhe paketën fiskale. Jemi këtu për të ripërsëritur edhe njëherë që kjo seancë është shumë e rëndësishme jo thjesht dhe vetëm përsa i takon qëndrimit përfundimtar për këtë paketë fiskale dhe buxhet të ri por për një ndarje përfundimtare në raportin e vendosjes së qeverisë në njërën anë dhe opozitës në krahun tjetër. Pasi amendamentet konkrete që LSI ka paraqitur dhe janë shumë të qarta dhe iu përkasin shtresave shumë të gjera që janë në nevojë por  dhe mijëra e mijëra njerëzve që  me rroga shumë të vogla mezi arrijnë të çojnë fundin e muajit pra është një moment i ndarjes se ku do të vendoset përfundimisht, kjo qeveri. Është një qeveri që ka qenë dhe mbetet një kliente besnike e oligarkëve dhe e pasanikëve miq të saj dhe sillet egër dhe në mënyrë të  pamëshirshme me shtresat më të varfëra. LSI ka paraqitur dhe depozituar prej kohësh ndonëse nuk ka pasur deri më sot një reflektim, qeveria është përpara një prove të re ditën e enjte, së paku për të dhënë një mesazh qoftë dhe minimal, dashamirësie ndaj shtresave të varfra gjë që ajo nuk e ka bërë dhe ne nuk shpresojmë se do ta bëjë. Megjithatë ne jemi këtu që t’ia ripërsërisim shqiptarëve çfarë kemi kërkuar në mënyrë konkrete. LSI ka kërkuar që TVSH për ushqimet bazë të shportës të zbresë nga 20% në 5% pra të ulet katër herë. Këto artikuj të shportës janë artikuj bazik jetik të cilët sigurojnë mbijetesën ushqimore dhe mbijetesën bazike të familjes shqiptare. Janë ato pa të cilat një familje shqiptare nuk bën dot, janë ato artikuj që populli i njeh në mënyrë shumë të thjeshtë bazik, siç janë vaji, sheqeri, fasulet, orizi, buka pra të gjithë këto artikuj bëjnë të mundur që mjaft shqiptarë të varfër të shuajnë urinë e familjeve dhe fëmijëve të tyre dhe pikërisht për këto artikuj ne propozojmë që ulja e TVSH-së të jetë më 4 herë. Kjo ulje është e ngjashme dhe arrin me atë nivel që përdorin vende shumë të pasura europiane. Shumë të fuqishme ekonomikisht  por të cilat tregohen shumë të kujdesshëm dhe të merakosur për mijëra e mijëra të varfër apo shtresa në nevojë apo ato që kanë të ardhura shumë të pakta. Është e pabesueshme e pa imagjinueshme  që qeveria e një vendi të varfër të sillet në mënyrë kaq të egër me qytetarët e saj në mënyrë krejt të kundërt me të cilën sillet Europa e pasur e cila dhe në direktivat e saj politike është shprehur që TVSH për artikujt e shportës të jetë në nivelin shumë të ulët mesatarisht 5%. Qëndrimi në mënyrë të veçantë ndaj këtij amendamenti është një provë ndarëse përfundimtare. Qeveria i mbështet dhe tregohet e dhembshur e vëmendshme ndaj të varfërve apo do ti rrënojë në mënyrë përfundimtare ata. Gjithashtu mijëra e mijëra shqiptarë kanë të vetmin investim, të vetmen mundësi jetese, kanë një banesë të tyre dhe ne kemi propozuar që taksa për banesën e parë të tyre të jetë zero. Sigurisht për banesat e dytë dhe të tretë nuk kemi ndonjë diferencë me atë që qeveria propozon. Le të propozojë ashtu siç ajo e mendon, por mijërat e mijërat e shqiptarëve të cilët kanë vetëm një banesë, shumica një banesë të vogël, ku strehohen edhe dy dhe tre kurorë, janë në vështirësi shumë të mëdha e mezi mbahen në këmbë, dhe me vështirësi shumë të mëdha, duke kursyer me gjak e me djersë e mezi I kanë blerë, të mos jenë të detyruar të paguajnë taksa për këtë, të vetmin investim të tyre. Besoj që kjo është një ndarje e plotë dhe e qartë, do të vendosim për këta dhjetëra mijëra shqiptarë të varfër, apo do të vendosim në krahun e këtyre oligarkëve dhe pasanikëve, të cilët ata I kanë klientë, të cilët ata I ushqejnë me para publike pafund, dhe për të cilët tregohen shumë të dhembshur, ndërkohë që tregohen kaq të egër, me të varfrit e këtij vendi. Njëkohësisht duke pasur parasysh që mijëra e mijëra shqiptarë mbijetojnë falë mijëra bizneseve të vogla, të cilët quhen biznese të vogla, por janë biznese, e kam përsëritur dhe do ta përsëris, quhen biznese mbijetese, pasi shumë familje mezi e arrijnë të shkollojnë në mënyrë modeste fëmijët e tyre, mezi arrijnë të ardhurat e tyre ushqimore, dhe për këtë gjë ne kemi kërkuar që TVSH për biznesin e vogël të mbetet në nivelin e 5 milion lekëve të reja, dhe jo të ulen në nivelin e dy milionë lekëve të reja, pasi u shton kostot këtyre bizneseve, I nxjerr ata nga tregu, pra njëherazi i asgjëson ata, dhe njëkohësisht I lë këto mijëra familje pa të ardhurat bazike të tyre. Edhe në këtë rast, dihet që kjo TVSH, kjo bazë është ulur në dy milionë, për arsyen e thjeshtë, tashmë të ditur botërisht, për të zgjeruar sa më shumë bazën e tatimpaguesve, për të dhënë të kuptojë që janë kaq shumë të dhëna që duhen përpunuar nga administrata tatimore dhe për të justifikuar të famshmin koncension të TVSH-së, I cili është tentuar kohë më parë, nuk arriti të realizohet, dhe tani që qeveria ka tepsi dhe timon së bashku, të arrijë të bëjë dhe këtë konçension, i cili është një koncension që ka të bëjë me dhjetëra e dhjetëra milionë euro që futen në xhepat e oligarkëve, të cilët i ndajnë në mënyrë bujare me qeverinë që ja u blaton këto të mira të mëdha. Ne jemi pikërisht për ti mbrojtur këto biznese, që ato të vazhdojnë të mbijetojnë, sepse janë biznese mbijetese, dhe në këtë mënyrë të tre amendamentet tona vendosen qartazi në anën e njerëzve që përballen me vështirësitë e përditshmërisë së tyre, tek të cilët fëmijët shikojnë, pse jo edhe me sy të përlotur të nesërmen e tyre, mundësinë për ta vazhduar ose jo shkollën e tyre, mundësinë apo jo për të pasur fletore dhe stilolapsa, mundësinë për të blerë librat e tyre, mundësinë për tu veshur në mënyrën më të thjeshtë të mundshme, por që do tu privohej po të mos kishin mundësira të tilla, dhe përfundimisht prova është ditën e enjte. Në rast se mazhoranca do të japë qoftë edhe një shenjë, jo për opozitën, por për shqiptarët e varfër, pasi shqiptarët e varfër janë një detyrim madhor për këdo njeri që merret me politikë, në mazhorancë apo në opozitë. Kjo është një ditë e provës së madhe. Në rast se nuk ka asnjë reflektim, përfundimisht kjo qeveri nuk do të mund të flasë më kurrë në emër të të varfërve, pasi duke arritur që edhe për TVSH-në e mallrave të shportës ‘tja u mbajë katër herë më të lartë se sa miliona europian shumë më të pasur se sa ne, do të thotë se i urren dhe do që ti trajtojë ata në mënyrën më të poshtër, në mënyrë që të ketë mundësi që në të gjitha evenimentet elektorale të radhës, të ketë mundësi që këtë varfëri ta blejë në ditën elektorale të radhës, për të ricikluar në mënyrën më mizore varfërinë dhe për ta thelluar gjithmonë e më shumë atë. Ndaj kjo është një ftesë që unë  ua bëj edhe deputetëve kolegëve socialistë. Besoj që akoma nuk duhet të ketë vdekur ndjeshmëria për të varfrit për të të tërë ata njerëz në vështirësi, për të tërë ata rrogëtarë edhe të shtetit që paguhen në mënyrë modeste dhe mbajnë familjen qoftë edhe me një rrogë modeste, për tu afruar një mesazh ndihme dhe përkrahje atyre. Në rast të kundërt, thashë edhe njëherë tjetër, e drejta për të folur në emër të tyre ka vdekur dhe ata moralisht, por edhe politikisht e humbasin përgjithmonë këtë mundësi. Ne do të jemi të gjithë së bashku, për ta parë me sytë tuaj këtë provë në sallën e parlamentit dhe për ti ndarë njëherë e mirë të gjitha këto qasje, dhe për të kuptuar më së miri se kush vërtet mendon për shtresat në nevojë në Shqipëri.

Burimi:(integrimi.al/E.P)

al}lsiLOGO_LRI_lgi
Selia Qëndrore

Rruga Sami Frashëri
Godina 20/10
Tiranë, Shqipëri

Zyra e Kordinatorëve

Tel: +355 4 2270 412
Tel: +355 4 2270 413

Zyra e Sekretariatit

Tel: +355 4 2258 665

Zyra e Shtypit LSI

Tel: +355 4 225 758

info@lsi.al, www.lsi.al