Petrit Vasili: Bashkëqeverisja me krimin dhe jo me popullin është baraz kaos,varfëri dhe braktisje e vendit.

Intervista e Kryetarit të Grupit Parlamentar të LSI, Petrit Vasili për Ora News

Situata politike nuk është mirë. Opozita pothuajse organizon çdo ditë protesta kundër kësaj mazhorance. Cili është komenti juaj në lidhje me këtë?
Protestat në radhë të parë janë në gjykimin e qytetarëve pasi ata protestojnë. Mijëra të tjerë mendojnë dhe reflektojnë edhe nga shtëpitë e tyre. Sigurisht që secili duke e parë protestën, duke dëgjuar se çfarë thuhet para, gjatë dhe pas saj përpiqet të gjejë veten në ato që janë çështjet e mëdha, të cilat opozita e vendit ngre për diskutim. Në qoftë se ne flasim shumë gjatë, argumentojmë se si po thellohet varfëria, se si mijëra njerëz ikën nga Shqipëria dhe ky është një fakt. Një mik më tha që serveri qendror i ambasadës amerikane kishte pasur një moment bllokimi për shkak të aplikimeve të shumta. Janë një milion aplikime për më pak se tre vite.

A duhet të iki dhe unë apo do të vini ju dhe do të bëni ndryshime?
Duhet të kuptojmë diçka. Kjo nuk ka ndodhur kurrë më parë dhe ndodh sot. Dhe ky është një fakt. Ne nuk e patëm këtë problem as kur u liberalizuan vizat në vitin 2010. Ishte një moment shumë delikat. Madje në atë kohë PS, që ishte në opozita, tha se 1 milion shqiptarë do të ikin kështu që nuk është mirë të hiqen vizat. Dhe këta kanë folur gjithçka për interesin e tyre politik. Madje ka raporte që impresionojnë për faktin që Shqipëria pati një qasje normale. Njerëz përfituan një të drejtë dhe e administruan atë në mënyrë normale. Ndërsa tani qindra mijëra njerëz po i largon nga vendi varfëria. Ndër të tjera një fakt tjetër i rëndësishëm është që Shqipëria është vendi i parë në Evropën për emigracionin në grup moshën 7-17 vjeç. Edhe në një studim të UNICEF del, është një nga shifrat tragjike. Fëmijët që ikin nga Shqipëria, shpesh dhe pa dijeninë e prindërve, 12-13 vjeç. Çfarë ndodh? Ndodh që është kaq e dëshpëruar situata saqë këta fëmijë, siç ishte destinacioni i tyre në Evropë, më vjen keq që po e them por o janë fëmijë të vegjël që shpërndajnë drogë, o bëhen viktimë e trafikut të organeve, ose të pedofilisë, dhe pedopornografisë, mendoni që tërë ky brez është në këtë derexhe. Ndonjëherë kuptohet, vështirësitë e mëdha ekonomike detyrojnë një adult i cili ndërmerr dhe aventurën, por kur mendoni 7-17 vjeç. Thënë e gjithë kjo përmbledhtas, këto tema kaq të vështira, shumë të prekshme, qindra milionë euro që shpenzohen pa nevojë në koncesione të ndryshme. Unë e njoh mirë shëndetësinë por të lësh njerëzit pa ilaçe dhe të bësh një koncension për një check up, për një procedurë që nuk i sjell asgjë të re pacientëve dhe qytetarëve, për shkak të cilës parandalimi falë saj do bëhej që sëmundjet të uleshin, sëmundjet rriten, vdekshmëria rritet. Ndërkohë që njerëzit kanë nevoja të mëdha për barna. Flas, gjëra shumë të qarta, shumë të thjeshta, shumë të prekshme, të cilat abuzimi dhe sensi grabitqar i qeverisë i vë atje në mes të ditës. Dhe secili ka mundësi shumë qetë të mendojë për këto gjera dhe të reflektojë. Pra, kam përballë një pushtet mik apo që është i vëmendshëm, apo që ka tendencë që dhe kur mundësitë i ka të kufizuara të bëj diçka, apo një shtet që abuzon?

Z. Veliaj ka deklaruar që dhe nëse do të kishte zgjedhje të parakohshme, Edi Rama do i fitonte sërish zgjedhjet. Si e shihni këtë deklaratë të tij?
Kush e tha këtë? Z. Veliaj është qytetar i vjetër i Tiranës, prej pak vitesh domethënë, ka detyrë të çlirojë Tiranën se e ka zënë për fyti. Dhe ju që të vini këtu në punë duhet ti bini Tiranës si Magelani, i thoshin dikur. Arkitekturat e jashtëzakonshme italiane, me të cilat ndërtuan këtë qytet, e konfiguruan këtë qytet, ranë në duart e disa sharlatanëve politikë të cilët bëjnë dhe arkitektin, bëjnë dhe vendimmarrësin dhe grabitqarin e qytetit. Dhe keni parë që Tirana është katandisur në një qytet të turpshëm. Nga një qytet ku ishte një bulevard i cili ishte për tu admiruar dhe që shkarkonte qytetin, është bërë si shteg dhish dhe ka mbjellë pemë mes Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Mbrojtjes. Ky zotëria le të bëjë punën e Kryetarit të Bashkisë, në rast se e bën dot, mos të shkojë të shembë Teatrin atje siç do ta shembë vetëm e vetëm për të marrë disa para që e dinë ata si i marrin. Duke shembur çdo vlerë kulturore, historike, të traditës, të së shkuarës shumë të rëndësishme të këtij qyteti. Mos ta trajtojnë këtë qytet si një preh që ju ka rënë në duart e tyre duke thënë që ky do fitojë prapë Edi Rama dhe ky do qëndrojë. Por kam dhe diçka për t’i kujtuar këtij Kryetari të Bashkisë meqë qenka marrosur fare. BE, jo unë dhe opozita, ka vënë vulën dhe ka thënë që 20 % e votave u shitën dhe u blenë nga kjo shumicë që erdhi në pushtet. Nëse ky Erjon Veliaj është shumë i lumtur me hajdutllëkun e votave, hajdutllëkun e votave populli nuk do rrijë të shikojë, do ta zgjidhë me dru, nuk do pranojë më të shiten e blihen votat në mes të sheshit dhe ata të krenohen se i votoi populli, ai popull që e shitën dhe e blenë. Kështu që, kush e ngre politikën e tij mbi kredo të tilla të pista siç është vota e blerë, është në një krizë shumë të madhe, jo vetëm politike por edhe identitare. Mua me thënë të drejtën më pëlqen shumë kjo dashuria e Erjon Veliajt për PS dhe më ka impresionuar sepse kam qenë anëtar i PS. Por kam qenë anëtar i PS që është e njëjta si Parti Socialiste sipas tyre të paktën dhe në ato kohëra kur opozitari më i madh i Partisë Socialiste që e urrente PS ishte pikërisht ky kryetar i Bashkisë dhe në atë kohë ishte me MJAFT-in dhe sigurisht nuk kishte rëndësi as Partia Socialiste e as vlerat e saj dhe se çfarë kishte bërë ajo në të shkuarën për të rimëkëmbur shtetin dhe vlera evropiane të rëndësishme, pasi ishte në parti që në atë kohë erdhi nga një e shkuar e vështirë komuniste dhe pati një modernizim dhe renovim. Kundra këtij modernizimi qenë një grup, si puna e Erion Velias, të cilët ishin në emër të një dorë të kuqe që ishte organizata `Mjaft`, e cila ishte një dorë e hekurt dhe e egër mjaft përçmuese ndaj Partisë Socialiste. Paska rigjetur dashurinë për Partinë Socialiste njëjtë si Edi Rama, që në vitin 1993 kërkonte që kjo parti të dilte jashtë ligjit. Ka ca miop socialistë. Faktet janë aty dhe nuk kam dalë unë të bëj demonstrime me `nuse` kundra kryeministrit Fatos Nanos dhe sot po t`ia zësh me gojë gruan Erion Velias do fillojë të qajë. Atëherë e stigmatizonin kryeministrin e vendit Fatos Nano dhe kryetarin, i cili kishte bërë burg për Partinë Socialiste dhe rreth të cilit u nis simbolika e fitores, por këta nuk e kursyen. Nuk e kursyen as Edi Ramën që bënte fushatë në atë kohë se këta si mbajnë mend, sepse e kanë urryer Partinë Socialiste. Shkonte bënte fushatë për partinë e tjera ndërkohë që PS ishte vetë në garë. Këtë lloj shthurje morale le ta mbajnë për vete, njerëzit nuk janë as të trashë, as të pazgjuar dhe as miopë. I dinë dhe i mbajnë mend kështu që të tillë produkte, të cilët janë të shthurur në të gjithë konstruksionin e tyre moral dhe politik, janë thjesht si fishekzjarrë që hidhen pas një koncerti.

A pritet vërtet të ndryshojë qeveria?
S`më intereson fare kjo qeveri. Tani kemi 50 hijet e Ramës, të cilat janë njëra më e shëmtuar se tjetra, kështu që këta mund të kënaqen me vanitetet e tyre që mund të shkojnë për 6 muaj, apo për 1 vit, të rrëmbejnë ndonjë gjë si ministri…

Domethënë do presim 2021 për ndërrimin, pra kur të vijnë zgjedhjet e reja? Do ketë diçka para kohe z. Vasili?
Po, sigurisht. 21-shi është dëshira e tyre, por jo e popullit, t`i ndajmë gjërat. Këta me mendjen e tyre mund të qëndrojnë deri më 2421, pra të qëndrojnë 100 vjet, por këta as veten e tyre nuk e kuptojnë se kur do ikin. Populli nuk ka pasur durim dhe është mjaft e gjatë lista e atyre që kanë ikur, thjesht do shtohen edhe këta dhe asgjë më shumë.
Ka pasur një debat për çështjen e taksave, por ka një reagim nga Kryeministri kohët e fundit. Pra, vetëm 2 ditë më përpara duket sikur ka një kthim në atë se çfarë ka bërë. Taksa e pronës nuk u aplikua dhe nuk do aplikohet deri në janar të vitit 2019 me sa dimë deri më sot.
Do njihet, por do paguhet me vonesë. Këta e thonë, nuk e them unë. Unë vetëm ripërsëris këta, por gënjejnë në mëngjes dhe harrojnë se ça thonë dhe gënjejnë tjetër gjë pasdite.

Për sa i përket biznesit të vogël, do ulin tatimin e fitimin me 15% në 5% në 140 milionë lekë të vjetra në total.
Kam një pyetje shumë të thjeshtë. Këto biznese për shkak të politikave u mbyllën se qendrën e regjistrimit të bizneseve nuk e kam unë e as opozita në dorë, por qeveria, po falë Zotit është e aksesueshme në internet. Kanë disa mijëra biznese që u mbyllën për shkak të këtyre politikave të gabuara, të cilat ne u thamë mos i bëni se do mbeten shumë njerëz pa bukë, që kanë mbetur në dëshpërim të plotë. Ju e dini shumë mirë. Janë biznese të vogla, ku unë i kam quajtur biznese mbijetese, pasi një familje me ato pak të ardhura administrojnë veten. Ka njerëz që kanë mbetur në mëshirë të Zotit, jo tani por me kohë, se ju e dini që është vendosur edhe TVSH-ja mbi bizneset e vogla. Ju e mbani mend që në 2017-n, ata që qeverisin vendin, për fat të keq, unë e quaj fatkeqësi edhe në ato vota që themi se i kanë marrë në mënyrë normale. Nuk po flas për mijëra votat e blera, por po flas për ato që kanë marrë. Pyetja ime për të gjithë ju ishte: A dëgjuat ju fjalë që ç’do të ndodhë në këtë vend? Çfarë mendon kjo qeveri për taksat? Çfarë mendon për infrastrukturën? Dhe ju e mbani mend që ky tha atëherë që, unë vetëm timonin dua të qeveris vetëm. Në atë kohë unë kam qenë kryetar i Lëvizjes Socialiste për Integrim në atë fushatë elektorale dhe nuk kam pasur asnjë takim dhe asnjë dalje publike, pa pasur me vete dhe pa paraqitur qindra herë, pa u lodhur, elementët thelbësore të programit tonë. Ç’do të ndodhte me taksat? Çdo të ndodhte me ekonominë, bujqësinë, arsimin, infrastrukturën? Cilët ishin treguesit makroekonomikë që ne do të garantonim? Kush ishin indikatorët e tjerë të ekonomisë, të cilët ne do donim t’i përmirësonim? Rrugëve çfarë do t’u bënim? Gjithmonë kemi komunikuar me shqiptarët dhe u kemi thënë që, ky është plani ynë dhe në qoftë se doni të na votoni, na votoni.

Si shpjegohen votat z. Vasili? Apo të blera?
Votat e blera i kanë konfirmuar edhe institucionet ndërkombëtare. E vërteta është një e vetme, që çdo shqiptar që i ka votuar ata, nuk mund të më thotë dot që di se çfarë ata do të bënin. Ata nuk do bënin asgjë, sepse po të kishin gjë do të thoshin: Po, kaq do jenë taksat tona. Këto kemi ndërmend të bëjmë në infrastrukturën e vendit. Këto masa mbështetëse do kemi për arsimin. Dhe jo kështu siç ka ndodhur që të dalë teza rrugëve. Cila do ishte mbështetja për shëndetësinë? Kjo që është? Qindra të sëmurëve, të cilët edhe të drejtën për të marrë barnat ua kanë hequr. Kjo është një thirrje për shqiptarët që asnjëherë më të mos votojnë pa e ditur mirë se ç’do të bëjë një qeveri, sepse në rast të kundërt patjetër do të shkojnë drejt një qorrsokaku, drejt një greminë dhe për të cilën në fund të ditës do të jenë po vetë fajtorë.

al}lsiLOGO_LRI_lgi
Selia Qëndrore

Rruga Sami Frashëri
Godina 20/10
Tiranë, Shqipëri

Zyra e Kordinatorëve

Tel: +355 4 2270 412
Tel: +355 4 2270 413

Zyra e Sekretariatit

Tel: +355 4 2258 665

Zyra e Shtypit LSI

Tel: +355 4 225 758

info@lsi.al, www.lsi.al