Petrit Vasili: Drejtësia e zaptuar nga Rama dhe qeveria e kriminalizuar kundër qytetarëve.

Intervista për “Faxweb” e kryetarit të Grupit Parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili

Ka pasur zhvillime nga më të ndryshme këto ditët e fundit. Ditën e shtunë ka pasur edhe një protestë. A janë arritur objektivat e asaj që ka qenë edhe synimi i opozitës?

Pa asnjë mëdyshje, që është një ‘Po’ e madhe. Sigurisht që ata që organizojnë një protestë të madhe, në këtë rast opozita shqiptare, ndërton pritshmëritë e saj dhe gjithçka që u realizua dhe reflektimi brenda për brenda vendit, por në mënyrë të veçantë dhe jashtë, ishte përtej pritshmërive tona më optimiste. Nuk ishte thjesht se ne kishim pritshmëri për të sensibilizuar problemin, por ky problem ishte aq i rëndë, saqë lajmi e bëri rrugën me shpejtësi të rrufeshme nga demonstromi i atyre mijëra njerëzve që ishin në shesh. Është për të thënë që sfiduam një vapë të madhe, pasi duhet thënë që kushtet klimatike kanë efektin e tyre. Ne nuk mund të harrojmë që jemi njerëz në fund të fundit, por sigurisht që ngjarjet ishin shumë të rënda dhe që zemërimi qe jashtëzakonisht shumë i madh. Natyrisht që bëhej fjalë për një kriminalizim që ishte në dritë të diellit, sikurse ai dielli që na shoqëroi atë ditë, më 26 maj, por graviteti i gjërave ishte kaq i rëndë, i qartë dhe evident saqë çuditërisht mediat gjigante ndërkombëtare e njoftuan rastin më shpejt se mediat shqiptare. Kjo do të thotë që fenomeni është shumë i rëndë dhe të gjithë gjërat në Shqipëri duhen parë nga e para, në radhë të parë qeveria dhe pushteti që ka media, ku përfundimisht kambana e alarmit bie fort që këtu, nga Bulevardi `Dëshmorët e Kombit` e deri në Uashington. Do të thotë që kemi një situatë që ka shqetësuar mbarë opinionin publik shqiptar, por edhe më gjerë si partnerët tanë ndërkombëtarë, të cilët janë të pazëvendësueshëm. Ne jemi një vend që nuk mund ta imagjinojmë veten që të përjetojmë një izolim të ri dhe ne sigurisht jemi të kënaqur që ka ndjeshmëri shumë të madhe për problemet e Shqipërisë, vështirësitë e mëdha që përballon për shkak të një qeverisje thellësisht të kriminalizuar dhe nevoja për t’u çliruar nga kjo gjë është shumë e madhe ku nuk pret më dhe publiku reagon fort me një kurajë të madhe si asnjëherë më parë.

A mendoni se ishte forma e duhur mënyra se si u zhvillua kjo protestë? Ne kemi parë përplasje të shumta mes qytetarëve dhe uniformave blu gjatë ditës së protestës. A ishte kjo në skenarin e opozitës, që të kishte dhunë, apo doli jashtë asaj çka ishte menduar?

Së pari, do t`ju korrigjoj miqësisht. Protesta pati një demonstrim politik dhe social shumë të fortë. Pati edhe një përplasje me policinë, ku jam i habitur nga harresa e një skenografie shumë të madhe. Pati një simbolik, ku tregonte se e ka rrëmbyer drejtësinë Edi Rama, ku ishte në planet e juaja të televizionit për një kohë shumë të gjatë. Ishte improvizuar një tavolinë shumë interesante, ku kërkohej ministri i Brendshëm dhe shumë ministra të tjerë.

Patjetër që ka pasur elemente të shumtë në këtë protestë, por duke mbetur te dhuna.

Pati një fjalë të rëndësishme në shesh, marshim, mijëra slogane dhe parulla, të cilat ishin ato që qytetarët mendojnë. Ata mendojnë për qeverinë që i vjedh, që nuk qeveris më, ku ka zëvendësuar zyrat dhe sistemet e shtetit në estradat e Edi Ramës dhe karnavalet e portalit. Kur nuk ka më zyra ku të ankohesh, ka një portal që e kontrollon Kryeministri, i cili ndan se kujt do i japë hak e kujt jo. Pati edhe një indinjatë të madhe që Ministria e Brendshme vazhdon prej vitesh të zaptohet nga njerëz të inkriminuar dhe nuk po çlirohet dot. Për shkak të mos çlirimit të saj, Shqipëria ka të vështirë të hapë negociatat, sepse të gjithë i kanë vendosur në tavolinë trafiqet dhe krimin e organizuar. Ata që drejtojnë janë natyrshëm të bërë pis dhe më njërën dhe më tjetrën. Indinjata vinte sepse një ndër shkaqet kryesor është Edi Rama, por në mënyrë të veçante një ministër, i cili për shkak të inkriminimit të thellë mban peng integrimin evropian të vendit, tuajin dhe të gjithë shqiptarëve. Ishte një indinjatë plotësisht e motivuar, e cila as nuk vrau njerëz, siç u vranë më 21 janar. Opozita i doli për zot për të ulur tensionin. Kemi mijëra qytetarë që rrinë pa bukë, sepse Shqipëria nuk ka zhvillim ekonomik, ku sigurisht që janë të dëshpëruar dhe të zemëruar. Për ata të cilët qytetarët protestonin, e kanë barkun të mbushur plot, rrëmbejnë milionat përmes trafiqeve, ku për shkak të tyre dënohen dhe ata të tjerët që janë pa bukë. Thotë një shprehje e urtë popullore që barkngopuri barkzbrazurit nuk ia beson hallin. Pra, kjo ishte përplasja. Ne e kemi thënë shumë shqip që protesta në radhë të parë ishte shumë qytetare dhe nuk mund të harroni që nuk keni parë asnjë flamur të partive. Nuk është përmendur as në fjalën shkurt të z. Lulzim Basha, pra nuk u përmend emri i asnjë partie, pasi protesta nuk u mbajt në emër të opozitës, por ishte insistimi i qytetarëve. Mijëra njerëz na kanë shkruar në LSI, shumë qytetarë na kanë kontaktuar. E njëjta gjë dhe me PD apo parti të tjera, po ju e kuptoni që arsyeja pse u realizuar kjo protestë në këtë kohë kaq të shkurtër e me kaq sukses ishte se qytetarët e kërkuan atë. Indinjata e tyre pati edhe atë moment shpërthyes atje, i cili në fund të atij momenti u vu re që një gazetar, një koleg i juaji tashmë i njohur nga PD ishte në atë gjendje nga Policia e Shtetit. Dhe për fat të keq, një pjesë e mediave shqiptare në vend të solidaritetit të natyrshëm për bashkë profesionistin e tyre gjenin shpjegimin që i shkonin më shumë policisë shqiptare, e cila natyrshëm ka fshehur krimin e drogën, jo të mos fshihte këtë. Por falë teknologjisë që ekziston sot, pamjet ishin kaq të qarta që gjaku në fytyrën dhe trupin e z. Kasmi ishte pasojë e një policie kriminale që lë të rritet kanabisi me tonelata dhe e kriminalizon Shqipërinë.

Ju thatë që opozita i ka dalë për zotë qytetarëve në këtë protestë. Aktualisht janë 31 të proceduar për protestën e ditës së shtunë. Si do të veprojë opozita në këtë rast?

Do veprojë shumë fort, siç ka vepruar me të ndaluarit në Kukës. Ku e keni parë reagimin dhe nuk do të pajtohet asnjëherë me këtë gjë. Sepse janë ndaluar ata, por nuk dimë të jenë ndaluar akoma ata që goditën Bledi Kasmit.

Ju përmendët rastin e Kukësit, por ka persona që vijojnë të jenë në arrest…

E di përse ndodhen ata në arrest? Keni dëgjuar ‘reforma në drejtësi e Edi Ramës’. Që ta kuptoni njëherë e mirë, e dini çfarë është reforma në drejtësi e Edi Ramës? Që Edi Rama të mos ndiqet që i bën thirrje në 25 qershor që lini uniformat e policisë dhe mblidhni vota. Që Edi Rama të mos ndiqet penalisht se e verifikova unë videon e vëllait të Fatmir Xhafajt dhe e mbylla unë. Pra, bën dhe hetuesit, duhet të ndiqej penalisht. Që ky ish-ministër i Brendshëm lirohet dhe ikën në shpi. Ndërsa qytetarët e Kukësit rrinë në burg. Ata të vuajturit, venë në burg, këta të tjerët që kanë bërë trafiqe që i di gjithë bota, nuk ka nevojë t’i dijë Shqipëria, si ky ish-ministër, rrinë të lirë dhe rehat në shtëpi. Kjo është drejtësia e re. Një drejtësi për Edi Ramën dhe të tijtë që, siç e shikoni, janë të paprekshëm, u dilet për zot, përkrahen, mbështeten, gjyqtarëve u bëhet presion. Ju duhet të jeni të shqetësuar. Protesta është pikërisht për këtë gjë, për të mos pasur dy drejtësi, por një drejtësi të barabartë për të gjithë.

A mendoni se opozita ka bërë mjaftueshëm për qytetarët e Kukësit, por dhe për rastin e të proceduarve për protestën e të shtunës?

Asnjëherë nuk mund të thuhet që kemi bërë gjithçka, përderisa qoftë dhe një qytetar i vetëm i Kukësit ndodhet atje. Por, protesta shumë e madhe e ditës së shtunë ishte dhe për ata në radhë të parë.

Menjëherë pas protestës janë zhvilluar dhe mbledhjet e grupit të PD dhe LSI. A do ketë një fokus të aksionit të ri të opozitës?

Aksioni i opozitës ka muaj të tërë që ka një intensitet që nuk ishte parë për vite me radhë në Shqipëri. Dhe kjo ka ardhur për shkak se opozita ka gjetur një sinergji, një bashkëpunim politik që vinë nga shqetësime të mëdha opozitare, pasi vendi ndodhet në një udhëkryq shumë të rrezikshëm. Dhe ky intensitet i aksionit politik, ka qenë me të gjitha instrumentet që ka brenda, me reagimin e fortë parlamentar, me denoncimin e përditshëm, me denoncimin e skandaleve, me denoncimin e ngjarjeve shumë të rënda, audio-përgjimi ishte një prej tyre, me protesta të mëdha siç ishte kjo dhe reagimi në çdo instancë dhe në çdo qelizë të shoqërisë shqiptare. Kjo vjen duke u rritur në mënyrë të pandalshme dhe po me këtë ritëm do të vazhdojë dhe në ditët në vijim. Sot opozita, sikurse asnjëherë më parë është në gjendje t’i organizojë, t’i drejtojë, t’u japë mesazhe shumë të forta brenda një kohe shumë të shkurtër. Pra, është përfaqësuesja e një reagimi dhe zemërimi mbarëkombëtar qytetar, i cili tashmë vlon në Shqipëri. Dita e hapjes së syve ka arritur, pjekuria e opozitës është e tillë, që është në lartësinë e misionit të saj për ta përballuar dhe është shumë e mirë që në këtë moment po piqet një ndërgjegje shoqërore dhe politike e tillë, për të dalë nga kjo situatë kriminale ku ka hyrë vendi.

Si është qëndrimi juaj për sa i përket bojkotit parlamentar?

Qëndrimi ynë i unifikuar është luftë pa asnjë kompromis në Parlament, në ço nismë korruptive të qeverisë, në çdo ngjarje thellësisht kriminalizuese të pushtetit, në çdo shpërbërje të përditshme që administrata shtetërore pëson. Ju e keni përcjellë që degradimi shtetëror është i padëgjuar, sot shteti qeveriset me një portal. Kjo është një idiotësi pushtetare që nuk është verifikuar gjëkundi në glob, as në Shqipërinë e pluralizmit, dhe as në atë të monizmit. Indinjohem përpara atyre të pacipëve që kanë rrëmbyer pushtetin, sillen si derra të kënaqur atje, dhe tërë ata mijëra njerëz që nuk kanë bukë të hanë, që janë në dëshpërim të plotë. Mijëra të rinj që nuk kanë asnjë shpresë dhe detyrohen të përfshihen në hullitë e kriminalitetit dhe krimit të organizuar dhe këta janë shumë të qetë dhe buzëqeshin përpara kamerave. Një qeveri, së cilës i kanë vënë mbi tavolinë si asnjëherë më parë: luftoni krimin e organizuar dhe trafiqet. Nuk ka qenë kurrë një nga prioritetet e Shqipërisë në procesin e integrimit evropian. Pse ja kanë vënë? Ja kanë vënë këto kushte sepse ky Kryeministër dhe ata që ka pas kanë rekordet më të zeza në Bashkimin Evropian. Sepse ju kujtoni i kanë mbajtur të bllokuar integrimin evropian për një prefekt në Fier. Në ato 2-3 vite të humbura, sot do ishin hapur negociatat. Janë fajtorët kryesorë. Janë këta që kur u bë liberalizimi i vizave qanin dhe thoshin që do ikin 1 milion e ca shqiptarë dhe do të shkatërrohet Shqipëria, sepse ata do shkojnë të tërë në Evropë. Pra, kemi një Kryeministër dhe një shpurë rreth tij, me një vokacion shumë të egër anti-evropian, pasi misioni dhe strategjia e tyre, e marrë në kulisa të errëta jo perëndimore, kanë një strategji shumë mirë të përcaktuar për lëvizjen e aksit të Shqipërisë nga perëndimi në lindje. Shqipëria ka parë dhe vokacioni i shqiptarëve ka qenë gjithmonë perëndimi. Që në Rilindjen e Shqipërisë, gjithmonë shqiptarët e kanë parë perëndimin dhe evropianizimin si vokacionin e tyre si mënyrën e tyre të jetesës. Ky kryeministër dhe kjo shpurë gangsterësh që e rrethon janë shumë të qetë ta devijojnë vendin nga aksi i një perëndimi demokratik, me standarde të larta të funksionimit të shtetit, në botëra të tjera, jo në perëndim, por në lindje, ku abuziviteti me pushtetin, festa e parave të pista, autoritarizmi janë mënyra jetese. Prandaj, këtu sot është ndarja e madhe. Opozita me popullin janë për të mbrojtur vokacionin pro-perëndimor të vendit dhe për ta mbrojtur Shqipërinë nga kjo shkarje në drejtim tërësisht të rrezikshëm, pa shpresë dhe pa kthim pas për vendin tonë, në rast se do të ndodhte, për fat të keq.

Do doja një koment tuajin në lidhje me atë që ka thënë ish-kryeministri Sali Berisha, i cili ka thënë se duhet të bëhet një analizë e politikës në vend përpara se të bojkotohet parlamenti. Si duhet kuptuar ky qëndrim, sipas jush?

Nuk e kam ndjekur këtë fjalë të z. Berisha. Mbështes këtë që ju thoni, por sikundër që unë nuk e kam një fjalë të tillë, duhet ta lexoj nga fillimi në fund, për ta komentuar në mënyrë korrekte.

A mendoni se edhe vetë opozita do të rrezikonte pozicionin e saj në këtë rast, pra në rast të bojkotit të parlamentit?

Misioni i opozitës ka qenë shumë i qartë, pro-evropianizmi. Opozita është investuar pa parë asnjë interes të saj politik, ka lobuar edhe jashtë vendit. Këtë e them me gojën plot për Lëvizjen Socialiste për Integrim, por nga informacioni që kam, të njëjtën gjë kanë bërë edhe drejtuesit e Partisë Demokratike, duke filluar që nga z. Basha. Madje, LSI dhe Kryetarja znj. Kryemadhi, i është drejtuar edhe me shkrim Bashkimit Evropian për këtë çështje, ku ka adresuar nevojën jetike për hapjen e negociatave, si një mundësi të madhe kontrolli, monitorimi për një qeverisje të dalë nga shinat, të dalë nga frerët. Opozita nuk ka bërë asnjë kalkulim politik në favor të vetes së saj. Nuk ka pyetur fare që hapja e negociatave do na shoqëronte me tamtamet dhe boritë e Edi Ramës si fitore e tij. Nuk na ka shqetësuar fare kjo punë. Na ka shqetësuar vetëm që Shqipëria të ecë përpara në procesin e integrimit evropian. Për ne, integrimi i Shqipërisë është shumë më i rëndësishëm se palaçollëqet e ditës që bën Edi Rama apo butaforitë prej huligani të ditës. Dua të them që, kemi mbështetur dhe do mbështesim fort, nuk kemi asnjë mëdyshje në bindjen tonë që, një marrëdhënie intensive me Evropën monitorimi, por njëherazi edhe bashkëpunimi është imponimi i standardeve të reja, i një qeverisjeje të përditshme, e cila ka dalë nga shinat dhe besoj që do ishte një mundësi e madhe për ta shëndoshur jetën politiko-shoqërore në vend dhe prandaj e mbështesim pa asnjë rezervë integrimin evropian dhe do vazhdojmë ta bëjmë. Ne si LSI u themeluam duke pasur si kredo integrimin evropian. Pra, arsyeja e krijimit të kësaj force politike ishte që procesi i integrimit evropian të mos pengohet dhe çdolloj sakrifice dhe çdolloj kompromisi është i mirëpranuar për sa kohë i shërben integrimit evropian të vendit. Parë në këtë optikë, ne nuk bëjmë kompromis me integrimin, por jemi shumë të zemëruar, pasi një shkëmb qëndron në mes të rrugës sonë evropiane, i cili është Kryeministri Rama, i cili jo vetëm kriminalizon vendin, por është edhe zbatues i një strategjie anti-perëndim. Këtë gjë e ka pohuar edhe në mes të Brukselit, ku ka thënë me gojën plot që, në rast se ju evropianët nuk na pranoni, kemi realitete të tjera si: Turqia, Rusia etj. Pra nuk ka hezituar të tregojë se mezi pret që të iki nga ai detyrimi i Evropës që t’i japë alibi vetes që mund të lëvizë diku tjetër. Këtu jemi të ndarë. Ne kemi kredon që Kryeministri t’i hapë rrugën Shqipërisë të ecë në fatin e vet. Udha e madhe e integrimit evropian do të eci. Rama po i krijon një pengesë por populli së bashku me opozitën do ta shkulë këtë pengesë, në mënyrë që të ecim më shpejt.

Çfarë do të bëjë opozita në vijim në komisionet parlamentare?

Do të jetë shumë aktive, shumë polemike dhe shumë reaguese. Edhe më shumë sesa keni parë në javët e shkuara të Kuvendit. Ju keni parë që aksionet tona kanë qenë krejtësisht etike dhe shumë të forta politike. Mazhoranca mund të bëjë sikur nuk ka ndodhur asgjë. Për mazhorancën nuk ndodhte asgjë edhe kur u mbush e gjithë Shqipëria me drogë, kur kanabisi transportohet nga toka, ajri apo deti apo edhe që erdhi 180 milionë euro kokainë dhe akoma nuk ka fajtor. Edhe që krimi i organizuar është më i fortë se kurrë dhe Shqipëria është super e ngarkuar me një situatë kriminale të padëgjuar ndonjëherë. Por ne si opozitë nuk mund të bëjmë sikur nuk po ndodh asgjë dhe ky Parlament ndodhet në një zonë atje në hënë. Ndaj kemi reaguar dhe kemi ngritur problemin madhor të ditës. Ish-ministri i akuzuar për të zezat lirohet nga drejtësia e re e Kryeministrit, ndërkohë që hallexhinj dhe të sëmurë kanë përfunduar në qeli për hiçgjë. Ndaj ne nuk mund të lodhemi së denoncuari, pasi bëjmë detyrën tonë karshi qytetarëve, të cilët i thonë këto probleme kudo. Ne do t’i themi dhe me forcë të madhe madje.

Si e gjykoni vendimin ju për ish-ministrin e Brendshëm? A e gjykoni se duhet t’i rikthehet opozita çështjes “Tahiri” në këtë rast?

E jemi shumë të qartë për çështjen “Tahiri”. Nuk ka shqiptar që nuk e di se cili është pozicioni i opozitës në lidhje me këtë çështje. Është fajtor i madh, sejmen i fajtorit më të madh, që është Edi Rama. Ka qenë ky Saimir Tahiri, që e telekomandonte Edi Rama. Se si u lirua Tahiri sot, unë jam i qetë sepse reagimi i ambasadës amerikane për median tuaj ishte shumë i qartë. U paralajmërua se ka presion, u paralajmërua se i është bërë shantazh gjyqtarëve, u paralajmërua vendimi. Pra, shqetësimi ka shkuar deri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ky shqetësim që e tha opozita për një proces të manipuluar dhe që ka dy drejtësi: një drejtësi për Saimir Tahirin dhe një drejtësi për një grua të sëmurë me dializë, që shkoi në burg për rregullimin e murit të rënë të shtëpisë. Kjo është drejtësia dhe policia shqiptare, e pamëshirë dhe e pacipë. Kjo drejtësi e pabarabartë do t’i ngrejë shqiptarët me qindra mijëra. Unë jam i indinjuar në radhë të parë si qytetar, pastaj si politikan. Refuzoj të pranoj një realitet të tillë. Pasi i tha policisë që të bënte vota për Rilindjen, prokuroria e mbylli çështjen, sepse Edi Rama kërkoi falje me Facebook. Kjo është drejtësia për Edi Ramën dhe tjetër drejtësia e asaj gruas së sëmurë, që e sëmurë përfundon qelive dhe nën dhunën e policëve.

al}lsiLOGO_LRI_lgi
Selia Qëndrore

Rruga Sami Frashëri
Godina 20/10
Tiranë, Shqipëri

Zyra e Kordinatorëve

Tel: +355 4 2270 412
Tel: +355 4 2270 413

Zyra e Sekretariatit

Tel: +355 4 2258 665

Zyra e Shtypit LSI

Tel: +355 4 225 758

info@lsi.al, www.lsi.al