Petrit Vasili: Kryeministri groposi integrimin për Tahirin, faktet për të cilin i di gjithë globi

Intervista e Kryetarit të Grupit Parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili për emisionin 7pa5 në Vizion Plus.

Çfarë vendosi mbledhja e Këshillit Drejtues Kombëtar?

Ishte mbledhje e zakonshme e forumeve tona, të cilat kanë një sistematicitet që lidhet dhe me detyrimet që kemi me statutin. Ishte një analizë e situatës politike më shumë se çdo gjë tjetër dhe më pas sigurisht një pjesë të rëndësishme organizative lidhur me ristrukturimet dhe intensifikimin e punës në të gjithë qarqet e vendit ku ekziston një frymë shumë e fortë opozitarizmi por ka nevojë dhe akoma më tepër për organizimin e artikulimit gjithmonë e më të fortë politikë pasi situata po përkeqësohet dita ditës dhe për ti përgjigjur  çdo zhvillimi në kohë reale, forumi u mblodh për këtë arsye. Mund të mblidhet edhe më shpesh në kohët që po vijnë sepse situata duket që degradon dita ditës.

Po degradon apo afër zgjedhjeve po përgatiteni për zgjedhje sepse është e nevojshme?

Ne në rradhë të parë, jemi të detyruar të kemi qëndrim shumë të fortë, kritik dhe politik ndaj një situate që vërtetë po degradon dita ditës. Këtë nuk e kam një konkluzion që lidhet me veprimtarinë time politike çdo qytetar e ka shumë të lehtë të identifikojë mijëra probleme që janë të përditshme. Një qeveri e cila tashmë është virtuale, shikoni tashmë ka shfaqje të mëdha në ekrane të mëdha, kështu do të ndodhi, kështu do të bëhet, janë të gjitha imazhe virtuale kompjuterike por nuk ka as ndonjë metër rrugë të shtruar më shumë, as ndonjë aks kombëtar që vihet në lëvizje.  Është po e njëjta situatë e cila qëndron, qëndron, degradon. Përpos pastaj ethet e marrëzisë qeveritare ka bërë që ju keni parë në arsim dhe shëndetësi kanë ndodhur skandale të tilla, që merren të dhënat personale për të përgatitur një manipulim zgjedhjesh. Madje këta të ministrisë së shëndetësisë, janë marrosur fare pardje kishin nxjerrë opozitën si e paditur dhe kishin thënë që karta e identitetin bën edhe si kartë shëndeti. Edhe në portalin e tyre, e-Albania e pohojnë që karta e shëndetit  është i vetmi mjet i identifikimit për qytetarët. Pse ishte kjo, sepse karta  e identitetit nuk kishte mundësi prej vitesh të ofronte një operacion të tillë por për të justifikuar këtë maskarallëk shtetëror të padëgjuar, jo vetëm që e bëjnë po akuzojnë të tjerët si të paditur. Po jua them nga studioja juaj që më të paditur dhe më injorantë, ky sistem shëndetësor nuk ka parë që kur është ngritur e para drejtori e shëndetësisë në Shqipëri.

Ju e mblidhni KDK, ndoshta edhe sepse dëgjojmë shpesh në media që ka një mosbindje të deputetëve të caktuar ndaj vendimeve të grupit p.sh z.Bitri, apo Tavo dhe Koka?

Vazhdojmë me një gjë serioze. Z.Tavo po jua them shqip, ka pasur një problem familjar dhe ishte koha për të respektuar 6 mujorin për respektin e mandatit, z. Koka qëndruan bashkë vetëm për të mos qëndruar vetëm në sallë. Po e njëjta gjë z. Bitri ka dalë është sqaruar vetë me ju.

Revista MotherJones akuzon për lobime në SHBA, nëpërmjet firmave të dyshimta…

MotherJones na ka dhënë një lajm tjetër shumë interesant por ju nuk e bëni dot atë lajm. MotherJones ka thënë që ne kemi pyetur për lobimet PS dhe nuk na ka kthyer asnjë përgjigje. Ky është lajm për ju si gazetar. Kurse që ne u kthejmë të gjitha përgigjet dhe nuk u pëlqejnë, u detyruam ne të nxjerrim intervistën e plotë dhe e bëri mirë ai drejtori i shtypit të LSI-së, z.Shaban Sulçe i cili u tha shumë mirë atyre që herë tjetër na çoni edhe pyetjet edhe përgjigjet si i doni vetëm tu vendosim firmën poshtë. Kjo ishte një inskenim i vërtet. Është një dimension përtej MotherJones e përtej lidhjeve të tyre. Nuk ka rëndësi fare ata mbijetojnë, gjallojnë në Amerikë me ca para të Sorosit, me ca para të tjera po kjo nuk ka asnjë rëndësi.Po ju them dhe një tjetër, thotë e kemi pyetur PS për lobimet me Balardin(kompani lobimi e cila ka lobuar dhe për miqtë më të ngushtë të Asadit në Siri dhe të Vuçiç në Serbi) dhe thotë nuk kthen përgjigje, nuk komunikon, ka transparencë zero, ky është shqetësim. Përsa i takon LSI, për çdo veprim të LSI-së, është dhënë qartë përgjigje, një për një dhe përgjigjet tona nuk ia janë dhënë MotherJones, gjithçka ka pasur, një marrëdhënie të përkohshme me një kompani lobimi për një kontratë që nuk e përfunduam kurrë, nuk kishte interes asnjë nga palët, çdo gjë është emëruar në departamentit e drejtësisë në SHBA dhe në KQZ.

Po sipas jush pse vijnë këto sulme nga kjo revistë?

Na intereson më mirë të flasim për njëmijë gjëra që nuk funksionojnë në Shqipëri sesa për një budallëk të tillë.

Po pse ndodh në Shqipëri meqë ka kaq shumë halle dhe probleme?

Po të thashë dhe njëherë tjetër, po të marrësh para lart e poshtë, përfshirë dhe Sorosin brenda ata që nuk janë të preferuarit e tij janë të goditurit e tij. Po pamë atë, Freedom House tha disa budallëqe të tjera. Nuk ka kohë Shqipëria të humbasë, ata mbushin xhepat me para për të cilat i kanë komisionuar dhe në emër të lirisë së medias dhe të shtypit nuk i shqetëson as ata, as juve të gjithëve të gazetarisë që një forcë politike nuk i kthen përgjigje medias fare për lobimin e saj dhe u shqetëson pse përgjigjet LSI. Fakti ishte ky, u përgjigjëm një për një, ata censuruan përgjigjet për pyetjet tona. Ne i bëmë transparente ua dhamë juve të gjithëve.

Saimir Tahiri ka tronditur skenën politike duke dorëzuar mandatin javën e shkuar. Ju qeshni, sido ta vlerësoni këtë lëvizje e vonuar apo…?

Nuk kam asnjë koment unë për të vonuar apo të shpejtuar. Kam vetëm një koment politik. Sot Shqipëria ndodhet si asnjëherë në kohën e pluralizmit të saj, se monizmi nuk ka asnjë interes të kësaj natyre. Me një shumicë qeveritare që është një pakicë pasi një shumicë që blen dhe shet votat është një pakicë por ta pranojmë termin shumicë nga ana formale. Një shumicë e cila është e varur, është e shantazhuar dhe ka shplarë nga autoriteti politik i saj për shkak të një ish-Ministri i cili ka akaparuar të gjithë. Pasi një mazhorancë thotë dhe ulërin me të madhe që ky është njeriu që nuk ka asnjë problem, ne nuk ia heqim imunitetin nuk e lëmë të arrestohet se nuk ka asnjë faj. Ky e pranon këtë, pastaj thotë unë nuk ju mender fare ju dhe do ta lë mandatin tani. Dhe këta vazhdojnë dhe prapë e mbrojnë. I zoti e jep thotë populli tellalli se shet. I zoti është Saimir Tahiri, tellalli është mazhoranca me gjithë Edi Ramën. Si do tia shpjegojë qytetarëve të thjeshtë, që ne nuk ia hoqëm mandatin atij megjithëse i vuri damkën Shqipërisë, që nuk ka për tia vënë dot asnjëri. Ne këtë damkën e krimit të organizuar e kemi peshqesh nga kryeregjizori Edi Rama dhe ky gjymtyra e tij Saimir Tahiri. Tani aëtherë nuk e hoqën u bënë bllok rezistuan, bashkë me disa protestues se protestuesit e Saimir Tahirit nuk arrestohen, kuksianët po.

Ata kryen akte dhune, shkatërruan dogjën…..

Po ato vajzat e LSI-së, që dolën me disa pankarta, Rama ik dhe mos u kthe, nga 17-18 vjeç e dini që janë në procedim penal? Kurse këto që dalin për të mbështetur Saimir Tahirin këto nuk i ngacmon policia. Këto duhet tu shqetësojnë juve, dy standardet. Se do vijnë ndonjë ditë do ju arrestojnë ndonjë nga kameramanët tuaj në kohë fushate se ky nuk mbështet PS.

Mendoni dhe ju se është farsë siç thotë PD?

Është më keq se farsë, kjo thashë dhe njëherë tjetër, kthimi i një shumice qeveritare dhe shumicë politike njëherazi në një vartësi, në një dependencë nga gjithçka ka bërë edhe gjithçka i ka inkriminuar një ish-Ministër. Dhe kjo është prova, që kjo mazhorancë e bëri me vetëdije atë që quhet kanabizimi apo drogëzimi i Shqipërisë. Ju e shikoni fare mirë, cila do ishte logjika e thjeshtë për qytetarët, për ata që janë më pak të interesuar për politikën. Meqënëse Saimir Tahirit ata nuk i hoqën imunitetin, nuk e lanë të arrestohej, se nuk kishte asnjë fakt asnjë gjë, nuk ka ndonjë kërkesë të re nga prokuroria për arrest, nuk dini ju që të ketë, as unë nuk di, pse e la mandatin?

Tashmë që Saimir Tahiri e la mandatin mendoni që drejtësia do të veprojë?

Po marr një simbol shumë të thjeshtë, nuk po shkoj te ata djemtë e Kukësit që janë në burg akoma. Një drejtësi që disa të rinjve 17 vjeç u ka hapur procedim penal kurse disa të tjerëve që dalin atje protestojnë për këtë ish-ministrin, për këtë faqen e zezë të Shqipërisë siç është ky ish-ministri që na e bëri faqen e zezë në sytë e Amerikës e të botës, pra ata që mbështesin këtë nuk i prek njëri fare. Edhe kush ka dalë para parlamentit në dhjetor, procedime, procedime  edhe deputetë, që nga Kryetarja e LSI-së e të gjithë me rradhë. Te kjo drejtësi nuk besoj,

Pra nuk besoni se Sajmir Tahiri mund të jetë një peshk i madh?

Jo jo. Është një peshk i qelbur po. Por jo një peshk i madh. Kjo është bërë si telenovelë, që zgjat me muaj të tërë, nuk është mirë ta krahasojmë në këtë formë, por regjizor, skenarist, aktor kryesor është Edi Rama. Nuk ka ministër të brendshëm që të bëjë si të dojë. Kam qenë ministër vetë. Nuk ka ministër që bën si do pa bekimin  e kryeministrit. Për një urdhër të thjeshtë jo më për një strategji që ta marrësh Shqipërinë, nga një vend, me drogë po ka pasur në të shkuarën, që e di gjithë Shqipëria, nga një fshat  u bë në njëmijë e 500 fshatra të Shqipërisë. Nuk ka pasur vend të Shqipërisë që nuk u mboll. Sot vazhdojnë e kapen tonelatat e drogës. Ky është fakt.

Drejtësia po vepron sepse pas reformës…

Drejtësia ndërkombëtare, sepse gjithë grupet kapen andej. Një grup që duhej të kapej këtu, për 10 milionë euro drogë e patë u kap vetëm një shofer. Edhe ai Arbër Cekaj u kap në Gjermani, po të ishte në Shqipëri nuk do kapej.

Në bashkëpunim me policinë shqiptare dhe prokurorinë..

Është shumë interesante kjo, kur i kapin andej është bashkëpunim me ne. Kur i kapim ne këtu, jo. I thashë njëherë në parlament, edhe atë ministrin e mbrojtjes Kolumbian që ka thënë për bashkëpunimin me Shqipërinë, shpalleni non grata, ndërprisni çdo lloj komunikimi, se ne kemi një ambasadë që mbulon dhe Kolumbinë. Hiqeni fare iu thashë, si mund të thotë ai që bashkëpunuam i thashë, ne i bëjmë vetë. Kur i bëjmë vetë të gjitha kapim vetëm shoferin.

Nuk mund të mohoni që drejtësia po vepron dhe Vettingu sidomos, një numër të madh gjyqtarësh dhe prokurorësh po i nxjerr. Gjykata kushtetuese është inekzistente pikërisht prej pezullimit..

Jo nuk  e kemi për këtë arsye. E kemi se reforma në drejtësi synonte ta zhbënte sistemin pasi në reformën në drejtësi nuk është kështu siç thoni ju. Unë refuzoj që të jeni dhe ju viktima të propagandës. Reforma në Drejtësi kishte afate të qarta me dita dhe me data kur do ndodhte çdo gjë. Dhe ne sot do kishim gjykatë kushtetuese, gjykatë të lartë, por më të rëndësishme se këto do të kishim këshillin e lartë gjyqësor që ishte koka e qeverisjes së gjyqësorit, do kishim këshillin  e lartë të prokurorisë dhe do kishim inspektorin e lartë të drejtësisë, që është njeriu ku ti dhe unë mund të ankohemi. Nuk ankohemi dot më te ministri  i drejtësisë. As në horizontin më të largët nuk ndodhet inspektori i lartë i drejtësisë. Duhet të ishte në punë prej kohësh ashtu siç KLP, KLGJ. Dhe këto do kishin ngritur dhe SPAK-un dhe byronë e hetimit. Ku janë këto institucione? E di ça kanë bërë këto, që ta kuptosh, gjithë këto ligje që bëhen antikushtetuese, ka dhe njëmijë e një shkelje të tjera, dy standarde drejtësie, nuk ka asnjë mundësi objektive reale se ku mund të ankohesh. Gjykata kushtetuese nuk jep dot asnjë interpretim jo të japi një vendim. Ku është Këshilli i Lartë i Gjyqësorit. Je dakord ti të kishim një shtet pa qeveri? Gjyqësori është një pushtet i pavarur siç është dhe qeveria. Tre pushtete e mbajnë Shqipërinë dhe njëra prej tyre është gjyqësori.

Janë vonesat e opozitës thonë…

As dhe një të vetme, asnjë mundësi nuk ka opozita të pengojë asgjë nga procesi. Po mirë atë shoqërinë civile që nuk zgjidhte dot ata anëtarët dhe i  bllokoi me muaj të tërë.

Nuk kishte mjaftueshëm njerëz që ta merrnin përsipër…

Si e zgjidhi pastaj?

E gjeti doli dikush..

Po pse nuk e  zgjidhi më përpara? Fondacioni Soros thoshte që nuk kemi kandidat kur filloi po bllokoheshin institucionet , mbas një jave gjetën kandidatin. Po pse për ne janë këto lojëra? Këto janë turpe të mëdha për ta zhbërë sistemin. Sot kurrkushi nuk merr dot drejtësi. Po ju them një gjë më të dhimbshme se këto të tjerat ju duken të largëta. Po të kesh një hall prone, dhe të duash të shkosh në gjykatën e lartë e kushtetuese, se është prona, është jeta e familjes tënde, harroji partitë politike. Nuk keni ku ta kërkon, nuk ka gjykatë. Ju keni rregullore këtu në televizion, nuk veproni dot pa të, se ju prish programacioni ju bëni namin. Kështu është një program me vulë e firmë e cila është Kushtetuta e cila nuk  mund të preket.

Pse e zvarrit mazhoranca z. Vasili?

Sepse pa gjykata nuk ka mundësi të ndëshkohet për njëmijë çështje që mban në kurriz. Ata e mbajnë pezull sepse gjithë procesin e qeverisin ata. E kam thënë dhe ambasadores së BE, thomëni mua dhe në emër të 19 deputetëve të LSI-së, më thoni tu jap votat për çfarë çështje keni në tavolinë që ju duhet vullneti apo konsensusi i opozitës. Nuk numëruan asnjë të vetme. Vite më parë ishin tre ligje që pengonin procesin e integrimit, të cilat i bllokoi PS tha në dreq të shkojë integrimi. Prapë e harroni ju që i vetmi kusht që të bëjmë aleancë me PS në atë kohë ishte ose kthehuni në atë parlament dhe votoni ligjin e integrimit, ose aleancë nuk keni. U detyruan u kthyen se aleanca u duhej, pa votat e LSI-së nuk vinin në pushtet. Ka një qëndrim konstant. Sa herë që preken interesat e PS, ose të Edi Ramës se PS nuk ka më ka rilindje, i preken interesat e bllokon integrimin.

Opozita çfarë bën në këtë mes?

Opozita detyrën që ka institucionale është të sqarojë që nga salla e parlamentit por edhe që këtu, çdo qytetar që na ndjek.  Për çdo gjë që po bëjnë dhe për çdo gjë që nuk po bëjnë e mbajnë një për një përgjegjësinë ata. Dhe këtë përgjegjësi për çdo njëri që iu hëngër haku, u dënua me burg, vajti ndenji kot atje në komisariat, vete aty se nxjerr dot, pronën nuk e merr dot, njëmijë hajdutllëqe të tjera bëhen dhe nuk dënohen dot se u prishen dhe interesa të tjera ekonomike mjaft njerëzve në mënyrë të padrejtë të gjitha këto do mbajnë faturë. Ne kemi detyrë ti denoncojmë.

Jeni duke u bërë gati për një alternativë për shqiptarët?

Alternativa është aty. E vetmja alternativë që nuk kanë shqiptarët, nuk kanë qeverisje.  Një alternativë për qeverisje, është shumë e  gatshme opozita dhe në planin politik dhe organizativ dhe në planin programor.

Opozita PD-LSI?

Po them fronti opozitar, padiskutim që secila forcë politike përgatitet në përputhje me identitetin e vetë politik por opozita ka funksionuar si një front i tërë. E keni dëgjuar kryeministrin që thotë  opozita . Tani tu bëj një pyetje, se ky ka shenja debiliteti politik të fortë. Në qoftë se nuk e ka problem opozitën pse merret gjithë ditën me opozitën. Teza është kjo sepse Nuk kemi një qeverisje të mirë sepse opozita është e mirë. Debiliteti politik i qëllimshëm se na bie më qafë ne të gjithëve, se ky i ka punët në rregull. Ky bën bunkerin, në Surrel i bën të gjitha, do iki prapë atje në Paris, do thotë sma ditën vlerën. Do ta shikoni,kur të shkoni për pushime, një aks nga Tirana në Vlorë, ku ka qenë atje ka mbetur. Që të shkosh nga këtu në Elbasan rruga ku ka qenë atje ka mbetur. Ajo e famshmja Rruga e Kukësit që të tjerë e bënë e çuan deri në Kosovë atje ka mbetur përfundoi me konçension. Zyra po ka bërë sa është shqepur. Sokaqe qytetesh që ua shkulin pllakat nga 10 herë këto ka bërë. Një ministër që rikontrukton haletë e zyrave ngjan shumë me to.

Burimi: (integrimi.al/T.I)

al}lsiLOGO_LRI_lgi
Selia Qëndrore

Rruga Sami Frashëri
Godina 20/10
Tiranë, Shqipëri

Zyra e Kordinatorëve

Tel: +355 4 2270 412
Tel: +355 4 2270 413

Zyra e Sekretariatit

Tel: +355 4 2258 665

Zyra e Shtypit LSI

Tel: +355 4 225 758

info@lsi.al, www.lsi.al