Kreu i deputetëve të LSI-së, Petrit Vasili, shprehet se Kryeministri Edi Rama është politikani që ka përgjegjësi për mos integrimin e vendit në BE. Në një koment në Facebook, Vasili shprehet se në vitin 2016 Shqipëria e mori një rekomandim pozitiv për negociata, por ishte keqqeverisja e Edi Ramës, ajo që e la vendin pas në procesin e integrimit.
Më poshtë statusi i plotë:
Rekomandimi i sivjetmë për hapjen e negociatave me BE është për mirë apo për keq një Deja Vu. Kryeministri ne 9 nëntor të 2016-s kur BE dha për herë të parë rekomandimin pozitiv deklaroi si më poshtë: “Vjen lajmi i shumëpritur nga Komisioni EU: Rekomandim pozitiv për hapjen e negociatave. Fryti më i bukur i 3-viteve, beteja për reformat “. Mire është se ripërsëritet rekomandimi historik i 9 nëntorit të 2016-s. Më negative se kurrë është që kemi në rekomandimin e sivjetmë praninë e shqetësimit madhor e të jashtëzakonshëm të BE-së për krimin e organizuar dhe trafikun e drogës, kjo është ajo e keqe e madhe, që i solli kryeministri procesit të integrimit duke e vështirësuar e kriminalizuar atë. Kryeministri është përgjegjësi i vetëm që Shqipëria, që pas rekomandimit historik të 9 nëntorit 2016, vetëm humbet terren në procesin e integrimit dhe që i shtohen kushte të reja”,
Burimi:(integrimi.al/E.P)