Petrit Vasili: Mazhoranca, barrikadë që reforma në drejtësi të mos zbatohet.

Kryetari i Grupit Parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili në një bashkëbisedim me gazetarët ditën e sotme në Selinë e LSI, u shpreh se përpara një qeverie të shurdhër dhe klienteliste mundësitë e opozitës kanë qenë të kufizuara. Në Shqipëri nuk ka një raport bashkëpunimi konstruktiv dhe normal, sikurse duhet të kishte midis një mazhorance dhe opozite ashtu siç ndodh në një vend normal evropian.

Më poshtë bashkëbisedimi i plotë:

Ju faleminderit për praninë tuaj. Kemi këtë takim së bashku në këtë fund viti, i ngarkuar me ngjarje, të cilat kanë qenë të një rëndësie edhe politike, por edhe shoqërore shumë të madhe, që na imponojnë që të takohemi dhe të ritakohemi dhe të bashkëndajmë me ju dhe me të gjithë qytetarët të gjitha këto shqetësime, njëkohësisht edhe qëndrimin të qartë dhe të prerë tonin, lidhur me to. Qëndrim, i cili do të ketë vijimësinë e tij sigurisht edhe në 2018-n. Sigurisht që do të kulmojë edhe me aksione të tjera shumë të mëdha. Jam i hapur për pyetjet për të gjitha çështjet që ju keni interes, për të bashkëndarë opinionet e mia dhe të LSI-së për çdo gjë që është në interesin tuaj.

Vasili, në KQZ ka mbërritur një kërkesë e Prokurorisë për një nga deputetët tuaj, z. Rehovica, dhe kërkon që t’i hiqet mandati. A jeni ju në dijeni të akuzës, që thotë se është i dënuar në Itali për vjedhje dhe këtë gjë nuk e ka deklaruar?

Kam dëgjuar nëpërmjet medias, pasi nuk kemi një njoftim zyrtar për këtë çështje. Besoj se z. Rehovica do ta sqarojë të gjithë situatën, pasi ka edhe mjaft momente që duhen sqaruar. Nuk janë shumë të qarta. Në ditët në vijim, ju do të njiheni me qëndrimin e drejtpërdrejtë të deputetit në lidhje me këtë çështje dhe mbi pozicionimin e tij, lidhur me ligjshmërinë apo paligjshmërinë të procesit të filluar ndaj tij. Megjithatë, z. Rehovica do të jetë në dispozicion edhe të sqarimit mediatik për këtë çështje dhe në dispozicion të të gjitha procedurave të tjera, të cilat do të zhvillohen në KQZ.

Cilat janë këto momente të paqarta?

Do t’i sqarojë z. Rehovica. Do të njiheni më së miri me të gjitha çështjet. Do të kenë mundësi të zbardhen shpejt dhe ju të kuptoni rolin e gjithsekujt në këtë çështje dhe pozicionimin në raport me ligjin për deputetin në fjalë.

 

Ndërkohë që ne po flasim, në ditët e fundit të vitit 2017, në shekullin e 21-të, dhjetëra punëtorë të rafinerisë së Ballshit dhe të kompanisë ARMO janë duke protestuar për të marrë paratë e tyre dhe e kërkojnë këtë me forcë. A ka një reagim opozita për këtë padrejtësi që u bëhet në mënyrë konstante këtyre njerëzve që kërkojnë thjesht rrogën e tyre?

Është një moment i dhimbshëm në radhë të parë, pasi njerëz të cilët robtohen në punë dhe pa e ekzagjeruar aspak e fitojnë me gjak dhe me djersë bukën e tyre detyrohen të punojnë dhe të mos paguhen për këtë mund dhe djersë që ata derdhin në kushte mjaft të vështira. Çështja është shumë e thjeshtë. Kemi një shtet i cili ka dalë nga shinat e qeverisjes. Njerëzit duhet të marshojnë drejt Tiranës, drejt ministrive që nuk funksionojnë, që merren me dëngla politike nga mëngjesi deri në darkë, që merren me mashtrime pa fund duke treguar një ekonomi që funksionon, e cila në fakt nuk po funksionon. Është një provë se si nuk ka rregullim shtetëror, nuk ka respektim të ligjeve, ka një abuzivitet dhe një dhunim. Thjesht dhe qartë kemi një pabarazi shumë të rëndë politiko-shoqërore, e cila ka të bëjë me dy standarde. Një standard pasurimi, përkrahjeje, dashamirësie, dashurie pa fund po të doni, për miqtë e Kryeministrit dhe klientët e tij dhe në anën tjetër është një pabarazi shumë e rëndë shoqërore për këta qindra punonjës, të cilët duhet të fitojnë me djersë dhe me gjak bukën e tyre dhe kjo iu mohohet. Është prova se si shteti ka vdekur së funksionuar. Imagjinoni që njerëzit duhet të marshojnë për të marrë bukën dhe djersën e tyre. Është demonstrimi më i qartë i një shteti që nuk ekziston më. Dhe kjo është evidente në sytë e të gjithë qytetarëve. Ju e kuptoni që, nëse eventualisht nuk do të paguheshit, të mos kishte rregulla shoqërore, dhe ju do të duhej të marshonit për të zgjidhur të drejtat. Ky nuk është shteti ligjor që duhet të ekzistonte në 2017-n. Ky është një antishtet dhe ai antiligj, i cili është instaluar aty këmbëkryq dhe para, të cilit të gjithë njerëzit janë të pabarabartë dhe thellësisht të rrezikuar edhe në atë që është ekzistenca e tyre. Këta qindra njerëz punëtorë të ndershëm janë aty për të marrë pagën që siguron ekzistencën dhe mbijetesën e familjeve të tyre.

 

Para një muaj përfaqësues të naftëtarëve kanë zhvilluar një takim me deputetë të LSI-së. Deputetët tuaj iu premtuan që do të ndërmerrnin të gjitha hapat e nevojshme për t’i dhënë zgjidhje kërkesa të tyre. Çfarë është bërë konkretisht?

Përpara një qeverie të shurdhër dhe klienteliste mundësitë e opozitës kanë qenë të kufizuara. Në Shqipëri nuk ka një raport bashkëpunimi konstruktiv dhe normal, sikurse duhet të kishte midis një mazhorance dhe opozite ashtu siç ndodh në një vend normal evropian. Por ka një raport armiqësie klasore politike. Kjo qeveri ka rikthyer standardet e shëmtuara të luftës së klasave, të cilat prihen nga Kryeministri, që nuk e ka problem të vendos njerëz edhe me rekorde kriminale. Mjafton të jenë miq të tij, militantë, mbështetës, brohoritës të palodhur të tij. Praktikisht kemi stabilizuar një shtet klasor, i cili ka asfiksuar të gjitha mekanizmat edhe kushtetues, por edhe të dëgjimit të zërit. Pikërisht për këtë arsye të madhe, opozita në njërën anë, por edhe qytetarët nga ana tjetër, po kërkojnë t’i zgjidhin të drejtat me një reagim të fortë protestues në të gjitha nivelet. Qytetarët marshojnë, opozita është në sheshe pikërisht për këtë arsye të madh. Kemi një shtet abuziv dhe klasor.

 

Të ndalemi pak në atë që pritet të ndodhë në janar. Opozita e bashkuar ka njoftuar protesta. Çfarë do të bëjë LSI, çfarë do të ndodhë me aksionin tuaj?

Aksioni ynë është në vazhdimësi, nuk fillon në janar. Vijon të jetë një aksion në rritje. Edhe më parë ne kemi pasur takime të mëdha, konventat tona, ku mijëra njerëz kanë ndarë bashkë me ne këtë udhëkryq, ku ndodhet vendi. Ka pasur një reagim shumë të fortë lidhur me dhunimin dhe daljen e shtetit nga shinat kushtetuese, siç qe në rastin e rrëmbimit të Prokurorit të Përgjithshëm. Kemi një kryeprokuror të rrëmbyer nga 69 deputetë të mazhorancës, si kurrë më parë në historinë e zgjedhjes së kryeprokurorëve në Shqipëri. Për fat të keq u zgjodh në këtë mënyrë pikërisht gjatë reformës në drejtësi. Pikërisht për këtë arsye, ky aksion do të vijojë. Do të ketë kombinimin e arsyeshëm me të gjithë faktorët opozitarë, ku PD është faktori nga më kryesorët. Jo vetëm kaq, por edhe koordinimi me të gjithë qytetarët do të jetë i tillë, pasi në një reagim masiv, në një protestë masive, çdo qytetar që nuk i respektohen të drejtat, siç rasti i naftëtarëve apo dhunohet nga organet tatimore në mënyrën me çnjerëzore, selektive, dhe nga më diskriminueset për t’i shkatërruar, çdo qytetar që nuk i fiton dot të drejtat e tij në zyrat e shtetit, apo largohet nga puna për shkak të preferencave politike, edhe të supozuara në shumë raste, për të gjithë këta qytetarë që secili ka ç’të zgjidhë në sheshin e protestës, sigurisht që ka dhe do të ketë një qëndrim të koordinuar me të gjithë faktorët opozitarë.

 

Për t’iu rikthyer rastit të deputetit Rehovica. A mban LSI përgjegjësi, që deputeti i saj ka falsifikuar deklaratën e dekriminalizimit?

E shterova këtë çështje në pyetjen e koleges suaj. Çdo përgjegjësi është individuale dhe nuk është kolektive. Për rastin e deputetit në fjalë, ju do të keni mundësi të njiheni edhe me shpjegimet dhe të kuptoni se sa e ligjshme dhe sa e paligjshme mund të jetë kjo kërkesë e bërë. Ky është një raport individual i deputetit në fjalë me çështjen që pretendohet, që ai ka një problematikë. Do ta dëgjoni edhe deputetin dhe besoj se do të jeni edhe më të kthjellët në ditët që vijnë. Të mos nxitohemi dhe të mos bëjmë përcaktime, se mund të rezultojnë edhe të nxituara. Për çdo njeri që do të rezultojë e provuar se ka shkelur ligjin do të përgjigjet si të gjithë të tjerët. LSI nuk është investuar në asnjë rast në mbrojtje politike të njerëzve që shkelin ligjin, por përpara kjo çështje duhet të provohet.

 

Çfarë po ndodh me Bashkinë e Tiranës. Këshilltarët e LSI duket se janë përçarë, ka nga ata që kanë votuar pro buxhetit, ka dhe nga ata që kanë votuar kundër. Si është situata? A janë vërtet të përçarë? Çfarë ka ndodhur me votat tuaja?

Është shumë e thjeshtë. E kam dëgjuar shpeshherë këtë pyetje. LSI lidhur me buxhetin e Bashkisë së Tiranës ka pasur një pozicion shumë të qartë, pra nuk ka qenë në mbështetje të atij buxheti. Kush e ka votuar atë, nuk e gëzon më mandatin e përfaqësimit politik të LSI në atë këshill. Pra nuk ka dy palë këshilltarë. Ata këshilltarë, të cilët i janë bindur vendimit të logjikshëm politik të LSI dhe nuk kanë qenë në sallën e bashkisë, ju e keni parë, janë pikërisht ata që përfaqësojnë dhe qëndrimin e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Se çfarë mund të bëj trafikimi provincial i një kryetari Bashkie që jeton mbi shitblerjen, është një çështje e tij dhe e moralit të asaj vote. Një votë e ndërtuar mbi shitblerje dhe mbi trafikime të të gjitha llojeve është thjesht dhe vetëm riciklimi i atyre trafiqeve që kemi parë të drogës, në trafik politik dhe influencash. Tirana nuk mund të qeveriset mbi bazën e trafikimit të votës, por qeveriset mbi bazën e alternativave. Nuk firmoset as mbi bazë të çdo show provincial, të bezdisur si ata që kemi parë, por me alternative konkrete. Këtë ja u them edhe si një nga drejtuesit e LSI-së, por edhe si një qytetar i vjetër tashmë i Tiranës, i cili ka parë edhe sekretar partie, të cilët e kanë drejtuar në mënyrë të shëmtuar Tiranën dhe kanë ikur me bisht ndër shalë, sikurse kam parë edhe plot kryetar bashkie, të cilët janë kujtuar për veprat e tyre të shëmtuara, dhe nuk dua që edhe ky kryetar bashkie të kujtohet vetëm për trafiqet e këtij niveli përçmues, por do doja që të kujtohej për ndonjë punë të bërë më mirë. Kështu që besoj që ky koment mbaron këtu dhe çështja shteron këtu. Ky është qëndrimi politik i LSI për çështjen e Bashkisë së Tiranës.

 

Një nga momentet më të rëndësishme të muajve të parë të vitit të ardhshëm është pikërisht ngritja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, për të zgjedhur një Kryeprokuror në kushte normale kushtetuese, të cilën besoj e ndani si shqetësim dhe pritshmëri e keni dhe juve. Për të zgjedhur anëtarin e fundit të KLP-së duhet domosdoshmërish që opozita të jetë pjesë e komisioneve AD-HOC. Sipas jush duhet dhe a do të jetë opozita pjesë e këtyre komisioneve për të zhbllokuar këtë institucion të pritshëm?

Është një pyetje e cila ka një përgjigje shumë të thjeshtë. Kemi kërkuar ne që reforma në drejtësi të zbatohet dhe mazhoranca ka qenë krejtësisht barrikadë që kjo Reformë të mos zbatohet. Ne nuk kemi një Këshill të lartë të Prokurorisë pasi mazhoranca e ka penguar. Edhe mekanizmat e shoqërisë civile, aksesi tashmë i njohur i mazhorancës mbi to është publik, i ditur, sponsorizimi i fortë i mazhorancës tek ata ka qenë edhe ky i ditur. Nuk është aq e madhe Shqipëria sa gjërat të mos dihen. Pra kemi qenë me një vullnet të plotë që kjo reformë të zbatohet. Kemi pasur njëkohësisht dhe një vullnet të fortë për të mos lejuar që kjo Reformë në Drejtësi të mos deformohet në atë mënyrë të shëmtuar, siç ndodhi me Kryeprokuroren e Përgjithshme të vendit, pasi ky ishte një akt, i cili hodhi një baltë shumë të madhe mbi procesin e reformës në drejtësi. E filloi me këmbën më të gabuar këtë reformë dhe dha një anti-mesazh për zbatimin e drejtë të kësaj reforme. Pra kemi qenë dhe jemi për të zbatuar reformën në drejtësi në çdo pikë, në çdo germë, por nuk jemi për të deformuar Reformën në Drejtësi siç ndodhi me Kryeprokuroren. Në rast se do të ketë tendenca për ta deformuar, për ta futur në hullitë e paligjshmërisë, në hullitë e interpretimit antiligjor, siç u fut në rastin konkret, qofshin duke përdorur mekanizma vendas, apo të huaj, sigurisht nuk do të jemi dakord. Kurdoherë që do të zbatohet Reforma, të cilën e kemi miratuar me 140 vota, patjetër që do të jemi pjesë aktive e zbatimit të reformës në drejtësi. Gjithashtu dhe një çështje tjetër me interes, pasi kemi parë edhe këto çështjet e fundit, që kemi ndjekur, ku Shqipëria ka pasur një sjellje në mënyrë të veçantë në politikën e jashtme, besoj nga më aventuresket që kemi parë, pasi jo thjesht dhe vetëm kemi votuar kundra Shteteve të Bashkuara të Amerikës në mënyrë fare të qartë dhe kjo nuk ka vend për asnjë lloj leximi, për asnjë lloj përkthimi dhe asnjë lloj interpretimi, pasi, siç e dini, qoftë Presidenti Trump, qoftë ambasadorja amerikane në OKB u shprehën shumë qartë lidhur me pozicionin amerikan për këtë votë. Në fund të fundit, të gjithë duhet ta dinë dhe LSI konfirmon raporti me SHBA as nuk ka për të qenë pronë e asnjë kryeministri, cilido qoftë ai, kryeministri i radhës ngado që vijnë e ngado që shkojnë, dhe i asnjë ministri, qoftë ky i ekzaltuar nga e shkuara komuniste që kemi lënë pas, apo në dëlirin e ditëve të sotme, por ka për të qenë gjithmonë një marrëdhënie e Shqipërisë dhe e popullit shqiptar me SHBA, e cila është marrëdhënie qindravjeçare dhe ka shënjuar integritetin jo vetëm territorial të Shqipërisë, por ka shënjuar dhe integritetin politik të saj dhe vendosjen në krahun më pozitiv të politikës botërore, dhe njëkohësisht në shumë raste SHBA ka qenë pasaporta e besimit të Shqipërisë në praninë e saj në shumë institucione ndërkombëtare, duke filluar nga NATO, por edhe në rrugëtimin e saj drejt Evropës dhe integrimit evropian. Ndaj duhet të bëjmë gjithçka, mazhorancë dhe opozitë për të shlyer sa më parë këtë damkë të zezë, që u vendos këtyre marrëdhënieve dhe nuk ka asnjë koment që ta zbusë, dhe nuk ka asnjë lloj klientelizmi politik, mediatik, apo të çfarëdolloj forme që ta shuaj, për të rivënë në vend një marrëdhënie, e cila është dhe mbetet për ne jetike dhe strategjike.

 

  1. Vasili ju mendoni që letra që Presidenti Meta i dërgoi Presidentit Trump do të mjaftojë që ta falë Shqipërinë SHBA-ja për atë votë kundër?

Letra e Presidentit është një mision absolutisht pozitiv në 360 gradë për të demonstruar atë që Kryetari i Shtetit ka demonstruar, vullnetin e të gjithë shqiptarëve për të pasur një marrëdhënie absolutisht pozitive, strategjike, prioritare dhe të patjetërsueshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Është kuptimi, pra se çfarë mendojnë shqiptarët për këtë votim, dhe jo se çfarë mendojnë ministrucët apo kryeministrucët e qeverisë.

 

Z.Vasili, ish-kryeministri Berisha ka diskutuar si një mundësi dhe djegien e mandateve. Ju po e diskutoni këtë opsion, dhe çfarë mund të ndodhi në janar?

Ne kemi mbajtur një qëndrim publik për këtë çështje, qëndrim, i cili është mbajtur nga Kryetarja e LSI-së, znj. Monika Kryemadhi. Është besoj një vendim, i cili, i shprehur nga z. Berisha demonstron intransigjenten shumë të fortë për të qëndruar përballë kësaj mazhorance aventurierësh, e cila vepron haptas në dëm të Shqipërisë dhe nuk i bën fare përshtypje. Sigurisht është një veprim, i cili kërkon shumë maturi dhe ne kemi pasur tjetër qëndrim sa i përket kësaj çështjeje, një qëndrim i cili është alternativë. Parlamenti nuk është një fushë e lirë dhe një dhuratë për një mazhorancë që kërkon të fshihet. Ne nuk kemi parlament sot, sepse në mënyrën si drejtohet nga kryetari i parlamentit është kthyer në një atavizëm të qeverisë. Kryeministri flet pa u shqetësuar, ofendon këdo dhe nuk mund të dënohet. Është më e thjeshtë të dënohen deputetet e reja që përfaqësojnë një frymë të re, atë çka duhet të jetë politika në të ardhmen shqiptare. Është një parlament që drejtohet në mënyrë obskurantiste me reminishenca shumë të forta të parlamenteve pa zë dhe pa gojë para viteve ’90. Por ne nuk mund ta lëmë këtë, duke qëndruar fortë në vijë të parë dhe të papajtueshmërisë, sikurse qe në seancën e fundit, ashtu do të jetë edhe në javët në vijim kur të rifillojë.

 

Mbrëmë, Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, i pyetur nëse e përjashtonte përfundimisht mundësinë për një rikthim të LSI-së në një koalicion me PS, e ka lënë këtë mundësi të hapur duke thënë se në politikë kurrë nuk thuhet kurrë. Ju e përjashtoni mundësinë e një koalicioni me PS-LSI?

Kam në mendje absolutisht vetëm një koalicion, koalicioni i atyre qindra e mijëra të pabarabartëve, që bëjnë qindra kilometra nga Mallakastra për të ardhur në Tiranë, për të gjetur të drejtat e tyre. Kam sigurisht në mendje koalicionin me gjithë ata njerëz, që dëbohen nga puna, sepse nuk japin prova militantizmi, pavarësisht se janë profesionistë dhe të zotë për atë që bëjnë e që mund të kenë shërbyer me vite të tëra. Jam në koalicion sigurisht me ata mijëra njerëz të biznesit të vogël, të cilët penalizohen në mënyrë çnjerëzore nga një shtet i pabarabartë, me ata njerëz që po taksohen në mënyrë të pamëshirshme, ndërkohë që Amerika, lokomotiva e zhvillimit botëror, përgjysmon taksat. Kjo është aleanca që kam unë në mendje, ndërkohë që këto llogari bizantine që vijnë nga një pushtet, i cili e ka shqyer Kushtetutën, ka shqyer shtetin ligjor dhe i trajtojnë qytetarët si qenie e dorës së dytë, të cilët duhet të qeshin kur qesh Kryeministri me humorin e tij të shpifur dhe duhet të qajnë kur ai bën sikur qan për humbjen e madhe në ato pak ditë që ndodhën në Shqipëri. Këto janë jashtë interesit të Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe jashtë situatës aktuale. Ne sot jemi të gjithë së bashku për t’i dhënë një përgjigje kësaj popullsie galoponte, një politikë e rritjes së çmimeve në mënyrë të frikshme të një shteti që takson mallrat e shportës, atë jetike 4 herë më shumë se Italia, Gjermania, Franca etj. Mendoni që jemi në një moment të zi, në një mesjetë të vërtetë qeveritare, e cila duhet të ndryshojë sa më parë. Ky, sigurisht është koalicion i madh dhe në të, ne kemi vend për çdo qytetar i cili do t’i vendosë këto të drejta në vend. Për sa i takon koalicioneve të tjera që kanë të bëjnë me piktura dhe me raste hapjesh së ekspozitave meqë janë më të rëndësishme se Kushtetuta e vendit, këto janë besoj qeverisje që meritojnë të përbuzen dhe të rrëzohen.

Burimi:(integrimi.al/E.P)

al}lsiLOGO_LRI_lgi
Selia Qëndrore

Rruga Sami Frashëri
Godina 20/10
Tiranë, Shqipëri

Zyra e Kordinatorëve

Tel: +355 4 2270 412
Tel: +355 4 2270 413

Zyra e Sekretariatit

Tel: +355 4 2258 665

Zyra e Shtypit LSI

Tel: +355 4 225 758

info@lsi.al, www.lsi.al