Petrit Vasili: Paratë e drogës tronditën kursin e euros, të nisë hetimi

Deklarata për media e Kryetarit të Grupit Parlamentar të LSI-së Petrit Vasili

Sot i gjithë publiku shqiptar është njohur me kapjen e një sasie shokuese droge, vlera e së cilës sipas Policisë së Shtetit shkon në 180 milion euro.  Kjo është një provë e qartë dhe evidente, e cila nuk ka vend më për asnjë diskutim se Shqipëria përfundimisht në mënyrë të konfirmuar është kthyer në një vend nyje të trafikut ndërkombëtar të drogërave, tashmë të rënda, përveç kanabizimit që parapriu procesin. Situata është tepër e rëndë. Kjo është një provë e re që Shqipëria është kthyer tashmë në një Kolumbi të Europës dhe si e tillë është kthyer në një çështje kombëtare problemi i drogës, e cila nuk afekton vetëm Shqipërinë, por është kthyer në një problem shumë serioz rajonal. Një situatë të tillë e ka evidentuar në mënyrë të vazhdueshme Antimafia Italiane dhe para pak ditësh të njëjtën gjë kreu i Antimafias Italiane bëri në Tiranë. Dhe sot ndodhi pikërisht një kapje e një sasie të frikshme droge, e cila na vë përpara një situate të re, akoma më serioze dhe akoma më të rënduar se më parë. Partnerët ndërkombëtarë janë absolutisht të pazëvendësueshëm në këtë proces. Kanë qenë dhe mbeten një mundësi e jashtëzakonshme, konkrete, e vërtet, e paanshme, profesionale për përballimin me sukses të kësaj emergjence kombëtare, por tashmë edhe rajonale. Dhe pikërisht në këtë kontekst, duke vlerësuar eksperiencën e jashtëzakonshme në nivel botëror, duke vlerësuar integritetin e padiskutueshëm të luftëtarëve të vijës së parë, duke sakrifikuar dhe jetën, ne do të kërkonim me forcë që DEA amerikane, një lider në luftën ndaj drogës në nivel botëror të stacionohej në Shqipëri. Stacionimi I DEA-s në Shqipëri do të ishte një përgjigje shumë e fortë në luftën ndaj drogës, duke pasur që në konsideratë që për fat të keq, inkriminimi I strukturave të Policisë së Shtetit ka mundësuar një përhapje të tillë të frikshme, kthimin e vendit tonë në një nyje të trafikut botëror të drogës dhe cënimi serioz I sigurisë kombëtare. Duhet të kemi parasysh shumë seriozisht që kjo çështje madhore është një çështje që e pengon seriozisht dhe e bën të paarritshëm integrimin evropian. Dhe një çështje e tillë që lidhet pikërisht me drogën dhe luftën kundër saj është ngritur në mënyrë të qartë dhe evidente këtu në Tiranë por edhe në Gjermani, në Bundestagun gjerman. Të gjithë ata që e njohin procesin e integrimit e dinë shumë mirë peshën e Komisionit Evropian por e njohin më së miri edhe peshën e Gjermanisë dhe të Bundestagut gjerman në këtë vendimmarrje.

Marrja me një shqetësim madhor nga ana e Gjermanisë kërkon edhe një qasje të re. Ndaj dhe kërkesa jonë dhe sugjerimi ynë që DEA amerikane duhet të stacionohet në Shqipëri buron pikërisht nga interesat strategjike të vendit por edhe nga interesat e integrimit euro-atlantik.

Së dyti, një çështje madhore e cila duhet të hetohet në mënyrë të gjithanshme, jo vetëm nga drejtësia shqiptare por në mënyrë të veçantë drejtësia e specializuar evropiane dhe amerikane është pikërisht edhe çështje e rënies së “çuditshme” por kritike dhe krejtësisht të shpjeguar të kursit të Euros. Çdo lloj alibie me gjoja de-euroizimin e Shqipërisë është pavend dhe pa shpjegim pasi është fare e qartë  që droga, malli i madh i cili kaloi kufijtë e Shqipërisë dhe shkoi në perëndim, prodhoi qindra milionë euro dhe po rikthehet sot në Shqipëri. Është dukshëm i qartë kjo tronditje edhe për kursin e euros. Kjo është një tjetër fushë beteje, e cila zbardh mënyrën se si droga po infiltron në mënyrë të frikshëm duke e kthyer Shqipërinë në mënyrë përfundimtare në një vend i cili riciklon para të pista, që dërrmon dhe vret shoqërinë shqiptare  e që kriminalizon jo vetëm vendin, por edhe pushtetin politik të saj.

Ndaj, kjo çështje duhet të hetohet në mënyrë të gjithanshme dhe duhet të evidentojë dhe të gjithë mekanizmat se si këto qindra miliona hynë në Shqipëri, financojnë aktivitetet në mes të kryeqytetit duke legjitimuar pushtetin e drogës. Në mënyrë përfundimtare, në këto çështje madhore qëndrimi duhet të jetë i prerë, pa asnjë kompromis për një arsye të vetme, Shqipëria shpëtohet sot nga droga pasi nesër do jetë shumë vonë.

Burimi: (integrimi.al/T.I)

al}lsiLOGO_LRI_lgi
Selia Qëndrore

Rruga Sami Frashëri
Godina 20/10
Tiranë, Shqipëri

Zyra e Kordinatorëve

Tel: +355 4 2270 412
Tel: +355 4 2270 413

Zyra e Sekretariatit

Tel: +355 4 2258 665

Zyra e Shtypit LSI

Tel: +355 4 225 758

info@lsi.al, www.lsi.al