Petrit Vasili: Prishjen e teatrit e kërkon mllefi i të paditurve dhe të kompleksuarve.

Kreu i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili ka reaguar përmes një statusi në Facebook  duke komentuar projektin e qeverisë për shkatërrimin e Teatrit Kombëtar. Vasili shprehet se çështja e teatrit në thelb është beteja mes padijes dhe mediokritetit të kryeministrit dhe artit e talentit të të talentuarve nga ana tjetër. Ai e cilëson mbrojtjen e teatrit si një mbrojtje për Shqipërinë e ditur të së ardhmes kundër Shqipërisë së vdekur e të paditur të së shkuarës.

Më poshtë statusi i plotë:

Prishjen e teatrit e kërkon mllefi i të paditurve dhe të kompleksuarve. Duhen ndalur sot.

Është e qartë  për këdo që për kryeministrin dhe për shplarovinat, që e rrethojnë çështja e prishjes së ndërtesës së Teatrit Kombëtar nuk është mundësia e tyre e fundit për të zhvatur e përvehtësuar pronën publike.
Ata zhvasin përditë fonde me koncesione e tendera dhe japin pa fund leje ndërtimi, e nëpërmjet tyre, grabisin e grabisin pa u ngopur.
Çështja e teatrit në thelb është beteja mes padijes dhe mediokritetit të kryeministrit dhe artit e talentit të të talentuarve nga ana tjetër.Thënë më thjesht konflikti mes dështakut e të parealizuarit në krye të pushtetit dhe të të realizuarve të sukseshmëve përballë tij.
Është kjo një betejë shumë më e ashpër se çdo betejë politike pasi e prin logjika e dhimbjes pa shërim të të dështuarit, që urren deri në vdekje me atë që shkëlqen me artin e tij.
Teatri është simboli i qëndresës mu në mes të qytetit e simbolit të talenteve të mëdhenj, që përqeshin çdo sekondë ata që janë në krye të pushtetit me të vetmen meritë se janë dështakë, mendjengushtë, ziliqarë.
Ka edhe ca të tjerë, që me dhunën e arrogancës duke shkulur nga themelet teatrin dhe simbolikën qytetare të tij duan të qetësojnë komplekset e tyre gjithfarësh dhe provincializmin asfiksues e të pandreqshëm, që do ti shoqërojë gjithë jetën.
Mbrojtja e ndërtesës së teatrit është sot më shumë se një mision.
Duke mbrojtur teatrin mbrohet iluminizmi, dija, arti dhe qytetaria nga furia e inkuizicionit mesjetar të qeverisë së padijes dhe obskurantizmit korruptiv e provincial.
Çdo dorë e ngritur në favor të ligjit më të zi të historisë së Shqipërisë për prishjen e teatrit, duhet konsideruar një dorë e zezë e një ndërgjegje të bërë pis e që do të bëjë pis gjithë vendin.
Mbrojtja e teatrit është një mbrojtje për Shqipërinë e ditur të së ardhmes kundër Shqipërisë së vdekur e të paditur të së shkuarës.

al}lsiLOGO_LRI_lgi
Selia Qëndrore

Rruga Sami Frashëri
Godina 20/10
Tiranë, Shqipëri

Zyra e Kordinatorëve

Tel: +355 4 2270 412
Tel: +355 4 2270 413

Zyra e Sekretariatit

Tel: +355 4 2258 665

Zyra e Shtypit LSI

Tel: +355 4 225 758

info@lsi.al, www.lsi.al