Petrit Vasili: Kryeministri kunder SHBA dhe BE,votoi kandidatët e KLGJ dhe KLP të rrëzuar nga ONM

Fjala në Kuvend e Kreut të Grupit Parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili

Do të qëndroj në fjalën time vetëm në atë pjesë që ka pasur të bëjë edhe me punën e drejtpërdrejtë të Komisionit, të cilin unë drejtoj, të Çështjeve Sociale dhe Shëndetësisë, pasi nisma nuk është miratuar nga shumica dhe ne jemi këtu pikërisht edhe njëherë për të diskutuar së bashku dhe për të gjetur një mirëkuptim, në mënyrë që nisma të ecë përpara, të rikthehet sërish në Komision për t’u shqyrtuar nen për nen, ashtu sikurse e kërkon Rregullorja, pasi është bllokuar në votimin në parim. Por, arsyet e bllokimit të nismës sigurisht janë tërësisht politike, nuk është asgjë që ka të bëjnë me thelbin. Të gjithë bashkëndajmë që është shumë e nevojshme të trajtohet një gjë e tillë. Qeveria shprehet me një relacion me rezervë, arrin dhe thotë që, kjo mund të shkaktojë efekte negative, nuk i ponderon këto efekte, nuk thotë sa janë. Dhe me një logjikë fare të thjeshtë dhe cinike mund të themi që edhe mund të mos ndikojë, po të nisemi nga përcaktime të tilla krejtësisht evazive dhe të papërgjegjshme. Njëherazi në relacionin e qeverisë shprehet një shqetësim shumë i madh, jo për faktin se ç’do të ndodhë me minatorët, por është problemi si do shkojë fati i sindikatave, çfarë do kenë ato për të negociuar në dorë. A thua se Statusi i Minatorit do të rregullojë statusin e sindikatave dhe jo të minatorëve. Dhe njëherazi ka mjaft elementë të tjera, të cilat kanë një absurditet të jashtëzakonshëm. Themeli i gjithë kësaj çështjeje është pikërisht që nisma e ardhur nuk vjen nga qeveria, por është një nismë që vjen nga një përfaqësues i opozitës. Si e tillë, kjo nismë do të pengohet, nuk do të kalohet përpara, pasi statusin për të zgjidhur problemet që ka qeveria, është shndërruar në një status për të bërë dhurata. Që do të thotë: Në qoftë se statusin do ta propozojë qeveria, e miraton atë, është një dhuratë e madhe që ajo u bën minatorëve dhe nuk është një detyrim i përbashkët i të gjithëve ne, që ka munguar me vite e vite të tëra dhe sot kemi një nismë konkrete, e cila ka qenë një nismë kaq e hapur edhe në mënyrën se si është konceptuar, ku ka mirëkuptuar edhe mundësinë e saj të përmirësimit, të pasurimit me elementë të tjera dhe përse jo, ky është një rast i mirë për të fituar kohën e humbur dhe për të ecur përpara. Ka sigurisht një motiv të një klientelizmi të vogël, gjë e cila më rikujton, as më shumë e as më pak, një vit e gjysmë më parë, të njëjtën gjë që ndodhi edhe me Statusin e Naftëtarit, i cili u paraqit nga një koleg tjetër në atë kohë, z. Omer Mamo, i PDIU-së dhe që nuk u pranua të miratohej, por u rrëmbye nga qeveria vetëm e vetëm për të dhënë të kuptojë që është një dhuratë që e bën ajo. Pra, një qeveri që nuk plotëson detyrime, por thjesht dhe vetëm bën dhurata. Thënë e gjithë kjo, besoj pak me thënë të drejtën, por për të qenë i qetë po jua them këtu: Shpresoj shumë që në rast se ka ndonjë shkëndijë mendjehapjeje në momentin e fundit për ta miratuar këtë nismë, e cila nuk është një favor politik për kurrkënd dhe kurrkush nuk mund të nxjerrë një favor politik nga kjo, por është thjesht dhe vetëm për t’i dhënë një përgjigje sa më parë një shtrese, e cila nga pikëpamja shëndetësore, në mënyrë të veçantë, përballet me një risk shëndetësor maksimalisht të rritur. Në radhën e profesioneve është e para e rriskuar më shumë nga të gjithë. Me një nivel mbijetese pas lënies së profesionit nga më të shkurtrit. Me rreziqe, të cilat afekton edhe ambientin shoqëror, për arsye se shumica e këtyre personave që janë minatorë janë kryefamiljarë dhe një përgjigje sa më e mirë dhe sa më e shpejtë do të thoshte një lehtësim dhimbjeje edhe ekonomike, edhe shoqërore, edhe shëndetësore sa më e shpejtë për ta. Sigurisht kam parë një qëndrim shumë refraktar dhe refuzues, një mendjembyllje vërtet për të ardhur keq, megjithatë nuk është në dorën tonë. Secili mbart në vetvete përgjegjësitë e tij dhe një votim politik, shumë i unifikuar dhe i bunkerizuar vetëm se e shëmton ambientin politik, nuk i jep asnjë element të ri. Dhe unë jam këtu për t’i bërë thirrje në mënyrë që të çlirohemi nga një thes me paragjykime të tilla, edhe të shëmtuara, edhe të neveritshme, sepse nuk ndihmojmë kurrkënd, ndërkohë që, nevojtarët e mëdhenj, të cilët kanë luftuar me gjakun dhe djersën e tyre ta kenë këtë gjë, nuk e kanë as sot e kësaj dite.

Ngritja e organeve të drejtësisë

Njëherazi do të ndalesha edhe për nja dy çështje të tjera, që shkojnë përtej kësaj nisme, meqenëse ne pas pak, pas përfundimit të diskutimit të kësaj nisme, do të kemi mundësinë të bëjmë edhe një votim tjetër përfundimtar lidhur me ngritjen e organeve të drejtësisë. Meqenëse dëgjova këtu që të fliste Kryeministri por edhe kolegë të tjerë që kanë qenë anëtarë të reformës në drejtësi, po ju kujtoj njëherë dhe përgjithmonë se vota jonë refuzuese, nuk lidhet fare me këtë frikë që na tregohen këtu nga mëngjesi deri në darkë, që ka ca që kanë frikë dhe ca të tjerë që janë trima me fletë. I kemi parë dhe trimat me fletë, të lagur deri në mes, e do kemi kohë t’i shikojmë prapë. Çështja ka qenë shumë e thjeshtë dhe parimore, ne kësaj reforme në drejtësi i vumë një garanci që shkonte përtej nesh, palëve, përtej opozitës dhe mazhorancës, përtej brigadierit të mazhorancës që është Kryeministri, dhe pranuam që në Kushtetutën e Shqipërisë në mënyrë atipike, natyrale, por për hir të së mirës së përgjithshme, të vendosnim rolin e të huajve, më thjeshtë akoma të SHBA dhe BE. Çfarë do votojmë ne sot? Do votojmë ata që SHBA dhe BE i kanë hedhur poshtë? Kjo është pyetja për të gjithë. Këto dënglat kush e do reformën, kush nuk e do reformën, se po ju afrohet reforma, drejtësia e re, që po ju tmerron, që do ju hajë dhe po ju tmerron, këto nuk impresionojnë asnjeri. Këto janë ca klithma qesharake dhe provincializmi të tillë që t’u vijë turp kush i thotë. Problemi është shumë i thjeshtë. Vumë një garant të integritetit të reformës, e pranuam të gjithë pas një debati pa fund e pa anë, që garancia e vetme nuk jemi as mazhoranca e as opozita, por SHBA dhe BE. Por na çfarë forme ishin SHBA dhe BE? Në formën e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, me specialistë amerikanë dhe të BE me integritet të plotë. Nuk më thotë dot asnjeri, as nga ata që kanë qenë në komision të reformës që është ndryshe. Është shkruar pikërisht kjo që garancia e integritetit të reformës do ishte pikërisht kjo. Por çfarë ka ndodhur? Këta kandidatë që SHBA dhe BE i kanë hedhur poshtë, i kanë damkosur si të papërshtatshëm, do vijnë sot në sallën e Kuvendit. Se dëgjova ngazëllimin e madh të Kryeministrit, që shyqyr që këta nuk do votohen me 2/3 se këta do hynë automatikisht dhe do fillojë kjo shpata e Demokleut. Po ça shpate e Demokleut është kjo? E kujt është kjo? E atyre që janë damkosur si të papërshtatshëm. ONM ka thënë që një nga kandidatët që do votohet sot, i papërshtatshëm se ka bërë plagjiaturë. Për plagjiaturë Ministri i Mbrojtjes i Gjermanisë jep dorëheqjen, Presidenti i Hungarisë jep dorëheqjen, Ministrja e Arsimit të Gjermanisë jep dorëheqjen. Ndërsa ky kandidati i vogël i kësaj KLGJ, KLP shqiptare nuk e jep dot. Kjo është reforma? Ishim para dy javësh nuk pranuam të votonim se kishte njerëz që ishin bashkëpunëtorë të sigurimit. Jo, na thanë, pse nuk i votoni? Reforma e re duhet të lindë. Ja ku doli se çfarë tha opozita, u skualifikua më pas. Ka një përgjegjësi penale të fortë për ata që i fshehën ato dokumente. Do japin llogari që ç’ke me atë punë, se nuk ka që në sy të njerëzve këpusin demagogji nga mëngjesi deri në darkë dhe pastaj verifikohet dhe bëjnë sikur nuk dinë gjë. Nuk dëgjova ndonjë nga të mazhorancës që të thoshin që atë që votuan me shumë kënaqësi doli që ishte spiun i sigurimit. Po të tjerët që kishin rekorde të tjera, e nga shërbime sekrete. Janë këtu, janë sot për t’u votuar. Kjo është drejtësia e re? Ky është riciklim rreckash të qelbura, që vijnë erë dhe një drejtësi e re që vjen erë. Dhe drejtësia e re që vjen erë është me e keqe se drejtësia e vjetër që lëmë pas. Prandaj, kjo lloj loje përbetimesh është kush do të riciklojë këtë llum të vjetër t’i japë drejtësisë së re për ta përdorur atë, kjo ka një mundësi të jetë drejtësi e kapur. Dhe kësaj drejtësie të kapur ne i japim këtë përgjigje me votën kundër. Dëgjova një koleg këtu që u ça e foli për emërimet. Ato emërimet shumë objektive që bëni, i keni të fundit që i kishit nga kryetarët e një rajoni të bordi kullimi, që doli me erën e re të emërimeve që doli që ishte për faqe të zezë. Prandaj, këto morale mbajini për vete. Populli do zgjedhje të tjera, nuk do nga këto dëngla të vazhdueshme.

al}lsiLOGO_LRI_lgi
Selia Qëndrore

Rruga Sami Frashëri
Godina 20/10
Tiranë, Shqipëri

Zyra e Kordinatorëve

Tel: +355 4 2270 412
Tel: +355 4 2270 413

Zyra e Sekretariatit

Tel: +355 4 2258 665

Zyra e Shtypit LSI

Tel: +355 4 225 758

info@lsi.al, www.lsi.al