Petrit Vasili: Zero negociata me PS për ligjin për statusin e prokurorëve dhe gjyqtarëve

Intervista e Kreut të Grupit Parlametar të LSI-së, Petrit Vasili për Ora News

Si mund të gjendet zgjidhja përballë një situate të tillë?

Zgjidhja përpara kësaj situate është që Reforma në Drejtësi të mos zbatohet më sikur është zbatuar deri më tash, me një qëllim dhe me një objektiv dhe me një strategji të vetme që ka qenë dhe mbetet kapja e drejtësisë nga maxhoranca por zbatimi i asaj kushtetute dhe asaj fryme imponuar nga Komisioni i Venecias që u miratua në natën 21-22 korrikut të vitit 2016. Gjithçka që ka ndodhur, devijimi shumë i rrezikshëm dhe dalja nga shinat e tërë procesit të reformës në drejtësi, ka ardhur pikërisht sepse vendin e një reforme në drejtësi të re e ka zëvendësuar kapja.

E përjashtoni kategorikisht mundësinë e votimit të kësaj nisme?

Doja të zhvilloja këtë gjë por më ndihmoi pyetja juaj sërish. Këto nisma janë shumë të thjeshta për t’u kuptuar. Përse janë të pa votueshme? Dy nene janë për t’u votuar. Neni i parë është që të rikthejmë Këshillin e Lartë të Drejtësisë, të jetë ai që bën emërimet në drejtësi dhe Prokurori i Përgjithshëm të bëjë emërimet sërish. Këshilli i Lartë i Drejtësisë i vlerësuar, unë kam një konsideratë të veçantë për Ministren e Drejtësisë të Partisë Socialiste, por i ka quajtur mbledhjet dhe gjithçka bën KLD-ja faqe të zeza që duhet të mbyllen në historinë e drejtësisë shqiptare. Tani më thoni ju mua, si qytetar si gazetar dhe unë si bashkëbisedues i juaj, kësaj faqes së zezë do t’ia japim kompetencën ne tani me ligj që të bëjë drejtësinë e re? Pra duart e konsideruara të pista dhe të qelbura do marrin këtë produktin e pastër të drejtësisë së re, së pari. Së dyti, ju e dini shumë mirë që ka pasur një vëmendje, një vigjilencë të tmerrshme të Partisë Socialiste që ish Prokurori i Përgjithshëm të mos bënte qoftë edhe një lëvizje të vetme. Dhe ju mbani mend akuzat e tmerrshme për çdo lëvizje që mund të ndodhte në atë kohë. Po tani që erdhi prokurori me 69 vota i Partisë Socialiste, ky të vazhdojë të bëjë emërimet pa asnjë problem? Pra KLD-ja e vjetër dhe Prokurori i Përgjithshëm i bëjnë sërish këto gjëra ndërkohë që u mallkuan, u konsideruan shkaku kryesor pse drejtësia po shkatërrohej, pse po kthehej në korporatë etj. Së treti ndryshimi tjetër, që ka të bëjë me prurjen e një ndryshimi për t’i dhënë fuqi përsëri që Shkollën e Lartë të Magjistraturës të zgjidhje ngërçin i cili kishte mbetur një ngërç që i jepte asaj mundësi që të vazhdonte dhe të bënte punët e saja dhe për dy vjet të tjera. Ligji i parashikuar nga këta ishte që këto çështje do të zgjidheshin shumë mirë me dispozita tranzitore dhe këto punë do t’i bënte Këshilli i Lartë Gjyqësor, pra qeverisja e re e drejtësisë dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Ç’bëjnë këta tani? Këta i bien dhe e propozojnë. U heqin dhe limitin fare kohor. Pra jo një masë emergjente që kërkon ndihmë për një vit apo një vit e gjysmë por pa limit do të thotë që s’kanë asnjë interes të ngrenë as KLGJ dhe as KLP. Pse? Sepse tashmë e kanë kapur prokurorin e përgjithshëm, e kanë në duart e tyre. Kanë filluar dhe atë Vetting të ashtuquajtur militantesk që po bëjnë tani dhe kanë plotësisht pa ndëshkueshmeri të garantuar sepse edhe Gjykatën Kushtetuese e kanë asgjësuar. Ju e dini tashmë ne nuk kemi Gjykatë Kushtetuese si asnjë vend në Europë e në Afrikë e kudo. Njëherazi nuk kemi as Gjykatë të Lartë. Pra mazhoranca ka dekapituar drejtësinë shqiptare, i ka këputur kokën. Fajtore e vetme është ajo, autoritetin e mori ajo. Edhe çështjen e Prokurorit të Përgjithshëm që duhet të zgjidhë me 84 vota, unë se kuptoj pse kanë merakun e 84 votave këta. Këta mund ta zgjidhin me 36 vota siç do zgjidhnin Prokurorin e Përgjithshëm. I bëjnë një tralalala me Euralius-in edhe mund të vijnë ta mbarojnë me 36. Këta ligjet kushtetues i kanë kthyer në anti kushtetues. Gjykatë Kushtetuese nuk ka dhe praktikisht shteti shqiptar dhe korpusi gjyqësor i tij ka rënë. Kjo është e gjithë situata dhe fajtor i vetëm për këtë nuk është opozita. Opozita nuk ka pasur asnjë mundësi dhe asnjë rol për të luajtur. Dhe kur ishte për të dhënë një shembull konsensual dhe një zgjidhje të qëndrueshme sikurse qe Prokurori i Përkohshëm ju pate që e zgjodhën me 69 vota megjithëse Kushtetuta fliste qartë, duheshin 84 vota. Pra i këputën kokën drejtësisë. Janë fajtorë le të mbajnë dhe përgjegjësinë shumë të madhe që i lanë shqiptarët pa drejtësi.

E qartë. Pra ky ligj ky ligj nuk ka asnjë mundësi të votohet në kushte aktuale. Po në rast se ka ndryshime?

Ky ligj nuk votohet sepse qytetarët dhe Partia Socialiste na ka kërkuar të mos ta votojmë. Sepse KLD-në që është një faqe e zezë sipas ministres së tyre, ne nuk mund ta ngarkojmë të bëjë emërimet në drejtësinë e re. Prokurori i Përgjithshëm i cili nuk duhet të bënte, jo emërime, por s’duhet të bënte as ndryshime brenda për brenda Prokurorisë. S’mund t’ia japim Prokurorit të Përkohshëm këto gjëra sepse vetë Partia Socialiste e ka quajtur shkaku i krizës. Dhe njëherazi s mund të pranojmë ne që KLGJ dhe KLP të mos ngrihen kurrë. Sepse këta Shkollën e Magjistraturës e kanë lënë të hapur pa vite. Pra KLGJ dhe KLP mund të mos ngrihen as për pesë vjet. Si do jetë ky sistem gjyqësor???

Po nëse mazhoranca tërheq emërimet e magjistratëve të rinj. Jeni gati ta votoni këtë ligj?

Unë po flas në princip me ju. Nuk po flas as për pazare, as më jep këtë dhe të jap atë. Drejtësia është një korpus parimor i cili është zgjidhur në mënyrë kushtetuese dhe kërkon të shkojmë në Kushtetutë në rast se duam të ri vëmë përsëri në aks drejtësinë e cila ka dalë tërësisht nga shinat kushtetuese. Dhe të ulemi të bëjmë konsensus të madh me të gjitha forcat politike LSI, PD, PS, për të folur çdo të bëjmë me Gjykatën Kushtetuese. Vendi është pa Gjykatë Kushtetuese, është pa Gjykatë të Lartë. Vendi është pa Këshill të Lartë Gjyqësor, pa Këshill të Lartë të Prokurorisë, institucionet pa inspektor të lartë të drejtësisë, KED i pezulluar. Pra nuk ka qeverisje. Që domethënë, që t’ia shpjegojmë qytetarit më thjeshtë, është njësoj  si të kemi një shtet pa parlament, pa qeveri, pa president dhe pa sistem gjyqësor. Më thoni ju mua mund të funksionojë dhe a ka një shtet të tillë? Ky është shteti gjyqësor në Shqipëri pa institucione.

Ju keni gjithashtu edhe rezerva për mënyrën e zgjedhjes së Kryeprokurores së Përkohshme, Zonjës Marku. A duhet të përfshihet edhe diskutimi për një rikthim të mundshëm të kësaj procedure?

Prokurorja e Përgjithshme përcaktohet në Kushtetutë qartë dhe në frymën e Venecias. Thoshte qartë, madje na ka këshilluar të evitojmë përdorimin e mazhorancës dhe kishim një mazhorancë të madhe me tre të pestat në atë kohë. Dhe Komisioni i Venecias këshillonte të mos ta përdornim mazhorancën me tre të pestat në ato raste që zotëronim. Dhe përcaktonte që mund të përdorej vetëm njëherë në kohë të ndërmjetme të përcaktonte që prokurori donte 84 vota. Ju e patë prokurorin e zgjodhën me 69 vota, madje qe gati me një interpretim të çmendur të Euralius ta zgjidhnin me 36 vota. Cili ishte qëllimi? Për të pasur një prokuror të kapur. Pse e kanë prokurorin e kapur. Po ua them unë thjesht. Ju patë rastin e vëllait të ministrit të brendshëm. Kryeministri doli tha që unë e kam bërë ekspertizën, ka ardhur dhe përgjigja një natë më para tha dhe jam i qetë se çdo gjë është fallco. Ky njeri nuk merret në ndjekje penale nga Prokuroria  e Përgjithshme. Duhet të merret në ndjekje penale çdo kryeministër që bën hetime. Sot e kësaj ditë Prokuroria nuk e ka mbaruar atë hetim, nuk e ka bërë atë ekspertizë. Ju e dini shumë mirë që nga Italia ka vajtur në Angli se nuk e bëjnë dot. Kryeministri thotë e kam bërë unë. Ç’ka ky që fut hundët në punët e drejtësisë? Pse imponon drejtësinë? Pra ishte një rast i mrekullueshëm për të dhënë shembullin e paanësisë për të ndjekur penalisht një kryeministër që i bën veprat penale në mes të sheshit. Po kështu nuk e ndoqi kur i tha policisë që hiqni kapelet dhe uniformat dhe bëni vota PS. Po kjo prokurori dhe po kjo prokurore dhe kur bëmë rekurs në Gjykatën e Lartë për ta rihapur çështjen, pruri njerëzit për të mbrojtur çështjen që nuk duhet hapur. Sepse ky ka kërkuar falje në Facebook. Jemi në nivelet e një banaliteti që ka vetëm një qëllim, të ruaj nga pandëshkueshmëria qeveritarët e korruptuar dhe ministrat e kësaj qeverie.

Mazhoranca është shprehur gjithashtu edhe në gadishmëri për të hapur modifikimin e nenit mbi hapjen e shkollës së magjistraturë, ta shkruajë LSI…

Nuk ka punë LSI, të shkruajë nenet e askujt. LSI ka në tavolinë gjithë nismat ligjore të cilat vijnë në Kuvendin e Shqipërisë. Nismat nuk mund të vijnë as nga trotuaret as nga gjirizet e Rilindjes. Nismat janë institucionale, LSI është  parti e institucioneve. Nuk ka qenë parti e kulisave dhe këtyre maskarallëqeve. Në komisionin e ligjeve po këta sollën një draft të cilin ua demonstruan dhe partnerëve ndërkombëtarë, amerikanëve në mënyrë të veçantë. Tinëz dhe atyre e ndryshuan natën e fundit dhe  e bënë edhe për shkollën e magjistraturës nga përcaktuar në dy vjet 2018-2020, ja hoqën dhe limitin e viteve duke dhënë të qartë mesazhin se këto gjëra duhet ti bëjë KLGJ Dhe KLP, që ne nuk na duhet as Këshilli i Lartë Gjyqësor as Këshilli i Lartë i Prokurorisë se atje kemi kemi Arta Markun, këtu po ja japim KLP dhe nuk ka më nevojë për drejtësi të re, për reformë të re. Kështu që ato që PS ka propozuar janë antireformë dhe duan ortakë në antireformën në drejtësi që po ndërmarrin. Ne kemi votuar në 2016 një reformë me 140 vota, ne i kemi votuar dhe ato 7 ligje, një nga këto 7 ligje është ky që pa u futur në veprim akoma sot kërkohet të ndryshohet. T’u thonë shqiptarëve, pse u penguan që të vepronin këto, pse nuk u zbatuan. Ky ligj që po ndryshon duhet ta dini, ndërgjegjësohuni dhe ju njëherë të vetme gazetarë, është fakt shumë i rëndë pa e vënë akoma në funksionim ligji po vihet të ndryshohet. Reforma në drejtësi që sapo e bëmë që ishte një mrekulli që e duartrokitën ambasadorë, këta të ikur e të mos ikur të gjithë ça janë për këtë. Ligji pa u futur në funksionim duan ta rrënojnë prapë. Ça reforme është kjo, reformë mballomë.

Vijojnë edhe debatet për çështjen e Teatrit, ligjit të shumë debatuar për çështjen e Teatrit. Ju kundërshtoni procedurën megjithatë nga ana tjetër mazhoranca pretendon se thjesht ka pasur një ngatërresë që nuk është se ndryshon në thelb….

Cilën ngatërresë? Që vjedhin kartat e njëri-tjetrit? Po ju kujtoj një gjë se ju keni rekordet tuaja shumë të mira televizive, ju mbani mend të njëjtën gjë bëri Taulant Balla dhe kur zgjidhej prokurori i përgjithshëm që vente merrte karta lart e poshtë me të cilat u votua. Sërish bëjnë të njëjtën gjë. Pra manipulimi në sallën e parlamentit, 140 vetë janë në atë sallë , nuk janë 2400. Pra duan të  legjitimojnë atë që bënë në 25 qershor që vodhën vota, duan ta legjitimojnë në sallën e parlamentit. Ai votim është nul, çdo qytetar duhet ta kuptojë që është votuar në emër të një deputeti që ishte jashtë kufijve të Shqipërisë. Kjo është faqja më e zezë e atij parlamenti, është votuar në emër të dikujt tjetër. Rregulli ça thotë që ta dinë dhe shqiptarët dhe të jenë të qartë: Për deputetë të cilët  nuk ndodhen në sallë, kartat e tyre mblidhen nga sekretaria e Kuvendit, e cila urdhërohet nga Kryetari i Kuvendit. pra nuk mund të jenë në përdorim të askujt dhe vazhdohet votimi me gjithë deputetët e tjerë. Gramoz Ruci nuk e bën që të legjitimojë vjedhjen. Ky avokati i vjedhjeve, profesionisti i vjedhjeve, kryetari i grupit parlamentar të PS, këtë punë bën. Është vetëm avokati i alibisë së vjedhjeve të votave siç e ka pasur zakon edhe në rininë e tij, ndërronte etiketat e Fatos Nanos në atë kohë që e vinte nga të dhjetin e vinte të parin. Mëndja si pret me shumë se kaq. por ti lëmë këto. Të legjitimojnë vjedhjen dhe manipulimin e votave në sallën e parlamentit kjo është e turpshme dhe unë nuk di cili shqiptar mund të jetë i qetë që të thotë edhe në ato 100 vota edhe ato këta i vjedhin. Ky është një standard I fëlliqur antidemokratik që e ndyn përfundimisht atë sallë parlamenti dhe duhet të ishte mazhoranca e interesuar më shumë se ne që të thoshte, po patjetër, një rivotim. I kanë votat pse tremben? Kanë frikë se mos nuk u votojnë të tjerë siç nuk votoi Pandeli Majko? Le të thonë na ndodhi ky manipulim që është një turp i madh, nuk kemi paragjykime, hajde bëjmë një rivotim, votat i kanë le të vazhdojnë. Është shumë e thjeshtë, kurse ai që kapet fortë pas manipulimit dhe do të jap alibi,domethënë  i ka vjedh me qëllim.

Mbështetja për protestën, deri ku do të shkojë?

E padiskutueshme pa ekuivok, masive sepse është jo thjesht një protest. Ai ligj synon të shkulë zemrën historike, zemrën e memories së qytetit, por jo vetëm të qytetit të Tiranës, është zemra e Shqipërisë, zemra e Tiranës është zemra e Shqipërisë dhe praktikisht do të thotë zhdukja e gjithçkaje që Shqipëria ka bërë deri tani dhe vendosja e kultit të çmendurisë së Rilindjes e cila është e çmendur në fantazi, është e çartur në formë dhe është e pisët në përmbajtje. Për këto tre element lufta jonë është e pakompromis dhe pa kthim në këtë çështje. Ai Teatër nuk do shembet.

al}lsiLOGO_LRI_lgi
Selia Qëndrore

Rruga Sami Frashëri
Godina 20/10
Tiranë, Shqipëri

Zyra e Kordinatorëve

Tel: +355 4 2270 412
Tel: +355 4 2270 413

Zyra e Sekretariatit

Tel: +355 4 2258 665

Zyra e Shtypit LSI

Tel: +355 4 225 758

info@lsi.al, www.lsi.al