Italia është shteti më i prekur nga koronavirusi, COVID-19 ku vdekshmëria tashmë ka shkuar në 10 përqind dhe vetëm sot janë shënuar 651 viktima.

Në lidhje me situatën e rënduar në shtetin italian dhe me atë që pritet të ndodhë në Shqipëri, ka folur për News24 mjeku specialist i ORL në spitalin e Bolonjës, Andi Abeshi.

Ai është shprehur se situata në Itali vijon të jetë kritike, dhe ventilatorët tashmë janë ezauruar në nivel kombëtar.

“Situata është mjaft kritike. Vdekshmëria ka kaluar 10% dhe ka tejkaluar çdo statistikë. Ndërkohë në spitalin ku jam unë shumica e pacientëve janë në terapi intensive.

Grupmosha, pjesa më e madhe mbi 80% janë mbi 65 vjeç. Edhe pacientë që nuk kanë patologji shoqëruese apo patologji të tjera. Ka edhe të rinj, goxha pak janë fatmirësisht”- deklaroi mjeku shqiptar.

Ndër te tjera Abeshi ka një apel për shqiptarët teksa thotë se Shqipërisë nuk i mungojnë mjekët e mirë por ka mangësi në mjetet respiratore.

Për këtë arsye ai theksoi se popullata duhet që të vetëkarantinohet dhe izolohet pasi duke marrë shembullin e Italisë duke theksuar se kjo metodë do të japë shumë rezultate të mira.

“Në një vend si Shqipëria ku mjekët e mirë nuk mungojnë por nuk ka facilitete të terapisë intensive. Të paktën për dy javë. Nuk mendoj se është ndonjë gjë shumë e vështirë për t’a përballuar.”- deklaroi mjeku specialist Andi Abeshi.

Rikujtojmë se Shqipëria sot ka regjistruar 89 të prekur nga koronavirusi, 2 viktima brenda kufijve dhe 3 të shëruar.