Nënkryetari i Lëvizjes Rinore për Integrim Klevi Pojana në një intervistë në Channel One, ka reaguar në lidhje me protestën mbarë studentore.

Pojana e ka cilësuar këtë protestë si të drejtë, teksa thekson se për të zgjidhur të gjitha problemet e arsimit duhet një plan dhe strategji konkrete. Anëtari i Kryesisë së LSI-së gjithashtu ka shtuar se njëkohësisht duhen edhe politika specifike se si të rinjtë ta shikojnë të ardhmen në vendin e tyre.

Një pjesë e intervistës:

 

Në radhët e studentëve, jo publikisht sigurisht, qarkulloi një lajm që nuk është konfirmuar dhe mund të mos jetë i vërtetë, për një shkarkim apo dorëheqje të mundshme të ministres së arsimit. Sa do e rregullonte kjo situatën?

Nëse më pyesni mua ministrja e arsimit zonja Nikolla është e vonuar në këtë proces. Nuk e vë fare në dyshim që ajo duhet të ishte larguar.

Është ajo përgjegjëse, pra zgjidhet situata me ikjen e Nikollës?

Për sa i përket çështjes së problemeve të  arsimit ajo është një ndër përgjegjëset kryesore. Por për të rregulluar, në pikëpamjen time, problemet e rinisë shqiptare dhe studentëve në tërësi nuk mjafton as largimi i Nikollës dhe as largimi i Ramës. Duhet një plan, një strategji. Duhet hartimi i disa politikave konkrete sesi të rinjtë shqiptarë mund ta shikojnë sërish Shqipërinë si shtëpinë e tyre, mund ta shikojnë sërish Shqipërinë si të ardhmen e tyre. Kështu që pa diskutim që largimi i ministres duhet të ishte bërë dhe pa diskutim që kjo gjë mund të ndihmonte për të ardhur dikush tjetër me një vizion dhe qasje tjetër, me një dëshirë më të madhe për të ndihmuar të rinjtë shqiptarë dhe për t’i dhënë atyre të drejtë dhe zgjidhje për problemet që ata kanë.

Ju si forum rinor me fokus të rinjtë a keni dalë ndonjëherë në një bilanc aktual se si është situata? Sa të rinj janë larguar nga vendi? Si është trendi në rritje apo në rënie? Pse largohen, ku shkojnë? Në ç’situatë dhe rrethanë?

Ne kemi bërë disa takime dhe konferenca. Kemi qenë në qytete të ndryshme të Shqipërisë, në Vlorë, në Elbasan, në Durrës, në Shkodër. Dhe kemi parë që fatkeqësia më e madhe e këtij vendi është kjo që shqiptarët po shpopullohen dhe ata të cilët largohen më së shumti janë të rinjtë. Largohen sepse nuk shikojnë më shpresë. Largohen sepse nuk shikojnë mundësi punësimi. Largohen sepse shikojnë pamundësi për të mirë jetuar dhe për të pasur jetën që ata duan në Shqipëri, në kushtet ekonomike që ofron Shqipëria. Dhe pa diskutim që ky trend është në rritje.

Mjafton të shikohen dhe të studiohen qartë studimet dhe sondazhet e fundit që bëhen, ku 79 % e shqiptarëve, tanimë jo vetëm pjesa rinore e Shqipërisë, por edhe pjesa tjetër, dëshiron të largohet nga vendi. Dhe shumica prej këtyre dëshirojnë të largohen që këtë vit. Kjo tregon një shifër absurde. Duke e krahasuar para pak ditësh doli dhe një studim i ri që lindshmëria është në rënie. Pra pyetja ime më e madhe që ngrihet sot nuk është vetëm mbi fatet e të rinjve apo të studentëve, por mbi fatet e Shqipërisë.

Ku do të shkojë Shqipëria? Të rinjtë duan të largohen, duan të largohen edhe prindërit e tyre, por ndërkohë lindshmëria ka rënë. Çfarë do të bëhet me këtë vend? Peng i kujt do ngelemi? Të ngelemi peng i 5 njerëzve të cilët majmen e majmen e nuk duan t’ia dinë më se çfarë bëhet me shqiptarët? Kjo është koha për të reaguar çdokush, çdo student, prindërit e tyre. Është koha për të reaguar çdo njeri i cili ndjen realisht që në Shqipëri do të ndërtojë jetën e tij dhe ndjen që ky vend meriton të bëhet dhe duhet të bëhet patjetër nga të rinjtë së pari.