Kavajë – Në vijim të veprimeve të kryera nga grupi hetimor në lidhje me zbardhjen dhe dokumentimin e ngjarjes së ndodhur në lagjen nr. 2, në Kavajë, policia e qarkut Tiranë thotë se ka arrestuar policin Bledar Toçi për vrasje me dashje dhe vëllanë e tij për kokainë.

Arrestimi në kushte spitalore erdhi pas një konflikti në banesën e shtetases M. Q., sot pas mesnate ku mbeti i vrarë me armë zjarri shtetasi Dritan Haxholli dhe i plagosur shtetasi Bledar Toçi.

Nga Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Kavajë u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:

Bledar Toçi, 31 vjeç, banues në lagjen nr. 2, në Kavajë, me detyrë Shef i Sigurisë së Brendshme pranë burgut të Durrësit.

Bledar Toçi u prangos pasi është konfliktuar me shtetasin Dritan Haxholli, ku ky i fundit për motive xhelozie ka qëlluar me armë duke e plagosur shtetasin Bledar Toçi.

Në kushtet e vetëmbrojtjes Bledar Toçi ka qëlluar për vdekje me armë zjarri tip pistolete shtetasin Dritan Haxholli ( i dënuar më parë për krime kundër personit dhe për lëndë narkotike).

Policia edhe pse në njoftim thotë se vrasja u bë për vetëmbrojtje, tha se arrestimi i shtetasit Bledar Toçi u bë për veprën penale “Vrasja me dashje”.

Po ashtu u arrestua dhe B. Toçi, 27 vjeç, lindur e banues në lagjen nr. 2, në Kavajë (vëllai i shtetasit Bledar Toçi), pasi gjatë kontrollit të banesës së shtetasit B. Toçi në lagjen nr. 2, në Kavajë iu gjetën dhe u sekuestruan me cilesinë e provës materiale një sasi e dyshuar lëndë kokaine e ndarë në 7 doza që i përkisnin 27-vjeçarit.

Arrestimi i tij u bë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Materialet procedurale do të dërgohen në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kavajë, për veprime të mëtejshme.