Politika dhe rinia sot

Nga Joel Jupe

Sa mërzitem kur bisedoj sot me të rinjtë, qofshin më të mëdhenj apo më të vegjël ne moshë, rreth arsimit dhe punës që do të ndjekin, dëshpërim, jo të ardhme, shpresë të humbur shoh në sytë e tyre.

Aty kupton se si ata janë rritur, edukuar edhe çfarë dijesh kanë përfituar nga arsimimi i tyre, i cili lë për të dëshiruar. Ambiciet e tyre janë shumë të zbehta, gati inekzistente. Kjo ndodh për shkak të mosbarazisë apo meritokracisë që duhet të ishte çelësi për të hapur dyert e dijes apo për t´i shkuar në fund projekteve të tyre për t´u punësuar e për ti shërbyer vendit sipas dijeve të përfituara. Kjo pjesë nuk funksionon as atëherë kur ata janë ekselentë apo kanë studiuar jashtë vendit. Punësimet në administratë nuk vijnë si shkak i aftësive dhe profesionalizmit sipas modelit të vjetër partiak.

Për të qenë një punonjës administrate në SHBA nevojitet një eksperiencë pune mbi 10- vjeçare duke përfituar statusin nëpunësit. Legjislacioni që kemi ne nuk është nga më të mirët por as nga më të këqijtë. Ajo që e shtrembëron atë janë konkurset fallco ku nuk garohet ndershëm në bazë të krediteve, aty shpallen fitues disa njerëz që nuk kanë të bëjnë me fushën e caktuar, por mjafton që ai të jetë pjesë e partisë në pushtet ,i biri i dikujt, miku i x deputeti dhe kështu kjo gjë vazhdon sikur të ishte një trashëgimi dinastie.

Atëherë ,pse vendoset konkurrimi? Apo për fasadë të bukur!

Ku janë ato mijëra vende të reja pune?!

Kur e gjithë administrata e vendit nuk është më shumë se 100.000 të punësuar . Apo largoi që aty ata punonjës me eksperiencë dhe profesionalizëm , për të shkuar aty me autobusin e “Rilindjes “dhe militantët e tyre nën drejtimin e shoferit që tashme ka rrëmbyer timonin që është duke e çuar drejt humnerës dhe tepsinë për më shumë se 2 vjet i vetëm.

Tepsia e pushtetit e cila qenka kaq shumë e madhe dhe e thellë ku brenda së cilës po mbytet dhe vet në llumin e korrupsionit, e pakomandueshme.

Atëherë për çfarë punësimesh flet kryeministri i vendit dhe kështu me radhë ministrat e tij, të cilët janë shkëputur nga realiteti kaq shumë sa për të zgjidhur problemet e vendit apo problemet personale ata i njohin veç nëpërmjet platformave online si “Shqipëria që duam” , por Shqipëria që duam nuk mund të drejtohet nga interneti, twitter apo facebook. Platforma të cilat janë të paligjshme kështu duke nxjerrë jashtë funksionit zyrat dhe drejtoritë përkatëse të cilat paguhen nga buxheti i shtetit.

Aty kanë punësuar disa militantë fanatikë të “Rilindjes” të cilët paguhen po me taksat tona në vend që këto të ardhura të shkonin për ta rritur ndihmën ekonomike apo pensionet të cilat janë mjerane.

Kush janë këta njerëz misterioz, ku dhe në çfarë vendesh janë instaluar dhe fshehur këto palaço platforma të cilat shërbejnë vetëm per të baltosur kundërshtarët politik apo edhe ata që nuk janë në një mendje me liderin e tyre. Përqendrimi i pushtetit në dorën e një njeriu të vetëm është një rrezik i madh i gjithë shoqërisë sonë për çdo vendimmarrje të tijën duke mos pasur asnjë lloj hapësire e cila do të gjeneronte ide , zgjidhje dhe ligjshmëri për të cilat vendi ka kaq shumë nevojë sot. Shqipëria nuk mund të qeveriset as nga ERTV-ja që transmeton bashkëqeverisjen fallco me qytetarët . Po të vini re në këto takime do të vëreni që janë po të njëjtat karrige që kryeministri i merr me vete kudo që shkon dhe po kështu ka të njëjtët njerëz, pra një qeveri me rrota ku hipën rrota mbi rrotë dhe kurrë nuk na kursen që aty as batutat dhe as teatrin e lejeve të legalizimit duke i shpallur konkurrencë Artan Lames.

Po t’i kthehemi problemeve të rinisë, moshës së cilës unë i përkas, çfarë është në gjendje të dojë apo të bëjë ajo sot për vete dhe për vendin?!

Asgjë ,asgjë , por të gjithë kanë dëshirë të largohen jashtë vendit. Preferojnë të punojnë diku në Evropë, qoftë kjo edhe punë e rëndomte ,ndonëse arsimit që kanë nga e cila përfitojnë të ardhura të mjaftueshme për vete dhe për familjet e tyre. Atje edhe pse ndihen të huaj shpesh gjejnë edhe profesionin e tyre për të cilin janë arsimuar ,pasi ne nuk na mungojnë aftësitë dhe talentet. Kjo është nga politikat e hapura që ndjek Bashkimi Evropian, pa dallime raciale , pra të rinj që përshtaten mirë në ato vende dhe pa pasur nevojë për miqësi apo target me sigël partie. Atje nuk ka rëndësi se i kujt je apo nga vjen. Atje të jepet mundësia të bësh atë që di të bësh dhe kur e bën mirë aty përveçse shpërblehesh mbi të gjitha vlerësohesh.

Çfarë mund të bëj një i ri sot në vendin e tij ?!

Cilin shembull mund të ndjekë?!

Modelet që ofrohen janë nga më monstruozet. Ndershmëria ja ka lënë vendin harbutërisë dhe kur sheh që një moshatarë i tij pa punuar asnjë ditë shëtit me një makinë luksoze e cila vetëm karburant për një ditë harxhon sa një rrogë minimale mujore apo sa të ardhurat e disa familjeve së bashku të ndihmës ekonomike. Këtë ja kanë bërë dhuratë prindërit të cilët çuditërisht janë bërë të pasur duke u marrë me politikë, si ministra si deputete si drejtues policie ose e ka përfituar në rrugë te paligjshme duke qenë pjesë e grupeve kriminale.

Të cilët janë më të fortë se kurrë e të lidhur ngushtësisht me shtetin nga i cili duhet të kishin frikën e ndëshkimit. Por modeli i sotëm ofron asgjësimin e atyre sipërmarrjeve të ndershme private apo individëve të ndershëm të cilët nuk përballojnë dot konkurrencë të pandershme. Kështu duke asgjësuar dhe ato zëra të intelektualëve të cilët janë dija dhe krenaria e vendit.

Por që sot jetojnë në varfëri të plotë duke iu bashkuar pjesës më të madhe të vendit ku shumë prej tyre kanë emigruar dhe nuk kthehen më. Kjo është humbje e identitetit tonë kombëtar e cila vjen bashkë me shpopullzimin që po i behet vendit qëllimisht vitet e fundit. Situatë për të cilën nuk duhet të heshtim por të protestojmë të gjithë së bashku pa dallim partiak.

Por të dalim të mbrojmë ato vlera qytetare ku në justifikimin e kartonëve shkelin çdo parim dhe vlerë në mënyrë arbitrare për çdo vendimmarrje duke na hequr të drejtën e të shprehurit me referendum si një instrument demokracie që buron drejtpërdrejt nga populli, për të cilat vendi ka nevojë sot për të mbrojtur demokracinë e cila është gati inekzistente. Për të shkëputur njëherë e mirë nga duart e politikës së vjetër të gjithë mekanizmat me të cilat mban peng vendin.

Hapja e dyerve për politika të reja nga njerëz të rinj me ide të reja, të cilët në radhë të parë duan vendin, familjen dhe veten e tyre. Zëvendësimi i klasës së vjetër politike me atë të re që do të sjellë realisht ndryshimin. Të rinj që i qasen politikës me ide të reja, jo të rinj duke ushqyer politikën e vjetër e cila na ka rezultuar gjatë këtyre viteve shterpë.

Si një dosë e madhe e cila ka ushqyer vetëm pjellën e saj dhe me çdo lloj imoraliteti si rrjedhojë të saj kemi dhe situatën në ditët e sotme duke degraduar keq e më keq .

Unë besoj në forcën dhe motivimin e të rinjve . Besoj se të gjithë së bashku mund të bëjmë atë që i duhet sot vendit. Ti qëndrojmë pranë atij, mos ta lëmë vendin. Largimi jashtë tij sjell plakjen e tij dhe me pas vjen “vdekja”. Unë nuk dua që vendi im “të vdesë”.

Bashkohu dhe ti me mua nëse e do vendin tënd dhe mendon si unë. E di që unë nuk jam vetëm, e di që si unë janë me mijëra që rriten në këtë vend. Le ta kthejmë në të njëjtën formë dashurinë për vendin si na e jep ai.

Të jemi krenar që jemi ashtu si të parët tanë të cilët nuk kursyen as jetën duke i dhënë Shqipërisë gjithçka kishin.

Këtë Shqipëri që ne kemi sot, për të cilën kemi detyrim ta ruajmë të paprekur duke ja trashëguar brezave po me të njëjtën dashuri.