Nënkryetari i LRI-së, Klevi Pojana ishte i ftuar ditën e sotme në një intervistë për televizionin Ora News, ku foli për aktualitetin politik, për situatën e të rinjve sot në Shqipëri, si dhe çështjen e reformës zgjedhore.

Pojana komentoi gjerësisht temën e largimit të të rinjve nga vendi, mungesën e mundësive për ta dhe rolin e LSI në mbështetjen e tyre.

“Jo vetëm në Tiranë por në të gjithë vendin shikohet një dëshirë e frikshme për tu larguar nga vendi. Shikohet një mungesë shprese. Shikohet një mundësi e munguar për ta në mënyrë që të ndërtojnë të ardhmen e tyre. LSI aktualisht ka dalë me disa propozime për të rinjtë. Të rinjtë duhet të përfshihen në vendimmarrje, duhet të përfshihen në politikëbërje, në mënyrë që të jenë po ata vetë ata që diktojnë dhe rrugën se si do të përfshihen më pas në të gjithë jetën ekonomike-sociale të vendit. Kështu që nuk mjafton thjesht të thuhet”.-tha Pojana

I pyetur në lidhje me ligjin e Arsimit të Lartë Pojana tha se ky ligj ka çaluar që në momentin e parë, nëse e shikon në pamje të parë, në atë koperturën e bukur që çdo ligj ka pasur në Shqipëri, ai duket si një ligj që ka qëllimin pozitiv për t’i dhënë autonominë universiteteve dhe për të krijuar një frymë tjetër të funksionimit të universiteteve në Shqipëri. Por realisht ai ligj çaloi që në hapat e parë sepse mungoi plotësimi legjislativ, mungoi e gjithë korniza për ta bërë atë ligj funksional dhe kjo nuk zgjati me muaj por zgjati me vite.

Duke u ndalur në situatën aktuale të vendit sot, Pojana u shpreh se sot që shqiptarët gjenden në ditët më të pasigurta për jetën e tyre në këtë vend.

“Nëse bëjmë një bilanc vetëm të ditëve të 2020-ës i cili është vetëm në muajin e tij të parë, thuajse jemi në një bilanc lufte. Me dhjetëra raste ku kanë ndodhur shpërthime, atentate, vrasje, nuk po përmend këtu aksidentet rrugore që janë bërë një frikë e madhe për çdo njeri i cili e shikon rrugën si një vend të pasigurt. Pra Shqipëria jo vetëm po çalon në ekonomi, jo vetëm po çalon në shëndetësi, ku koncesionet nuk po i lënë radhë njëra tjetrës, se kush e kush të vjedhë taksat e qytetarëve shqiptarë. Nuk po çalon thjesht në faktin që vendi nuk po i siguron familjeve shqiptare mundësinë që fëmijët e tyre të arsimohen dhe edukohen në shkollat shqiptare. Nuk çalon vetëm tek politikat e ndryshme që mazhoranca po i keqpërdor në mënyrë të vazhdueshme të infrastrukturës së zhvillimit rrugor, zhvillimit të aspekteve të tjera të investimeve që një qeveri bën për vendin dhe qytetarët e saj, por dhe me pasigurinë e madhe të jetës. Sot largimi i Edi Ramës nuk i shërben thjesht dhe vetëm politikës, opozitës, qytetarëve të cilët nuk janë dakord me të, i shërben vendit. Edi Rama sot është pengmarrësi më i madh  i fateve të Shqipërisë edhe është pengmarrësi më i madh i  të ardhmes europiane të Shqipërisë.”-tha ndër të tjera ai

Anëtari i Kryesisë së LSI-së, njëherazi trajtoi çështjen e reformës zgjedhore dhe rolit të opozitës në për realizimin e kësaj reforme.

“Kjo opozitë ka treguar jo njëherë, por me dhjetëra raste që është e aftë dhe është përfaqësuese e shqiptarëve. E ka treguar me dhjetëra protesta, e kanë treguar qytetarët shqiptarë që nëse është për të votuar ata duan të votojnë dhe duan që t’i japin mundësinë opozitës për të ndryshuar këtë realitet të zymtë që po jeton sot Shqipëria. Për të kaluar tani te reforma zgjedhore dhe çfarë të rinjtë presin prej saj. Problemi kryesor i shqiptarëve kur vjen çështja te zgjedhjet, nuk është thjesht reforma në vetvete, por është që a ka të drejtë sot një qytetar shqiptar realisht të zgjedhë, të votojë në mënyrë të lirshme. Nëse bëjmë një analizë të të gjitha sistemeve zgjedhore, deri më sot nuk ka dalë askush që të thotë ky është më i miri në formë absolute, sepse sistemet konkurrojnë me njëra tjetrën. Çështja është këtu, para se të rregullohet thjesht çështja e sistemit, i cili në mendimin tim, edhe në vijën historike të qëndrimeve të LSI-së, është e kundërta, ose është shumë ndryshe nga kjo që ne kemi sot. Duhet të kujtojmë sot që në 2008 LSI-ja ishte në një protestë të madhe që të mos ishte ky sistem politik që t’i jepte këtë forcë kryetarëve dhe dy partive monopol të politikës shqiptare. Por problemi më i madh dhe kryesor është me administrimin e votës së qytetarëve shqiptarë.

Problemi më i madh është sesi ne të gjithë të mos lejojmë më që njerëz me precedentë penal, kriminelë, banditë, të përfshihen tek zgjedhjet dhe votimet e qytetarëve shqiptarë.- u shpreh Pojana.