Kreu i shtetit Ilir Meta nuk ka dekretuar ligjin e miratuar pak javë më parë nga Kuvendi “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë.

Në argumentet e kthimit të ligjit, Presidenti Meta vlerëson se disa nene të këtij ligji: “cenojnë parimin e sigurisë juridike; bien ndesh me dispozita kushtetuese; rrezikon të krijojnë tension kushtetues si dhe nuk është në harmoni me jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese”.

Presidenti argumenton se ligji i miratuar nga Kuvendi nuk jep asnjë granci për shpërblimin e pronarëve.”Neni 24 i ligjit, i përfshirë brenda kreut të ligjit që rregullon procesin e legalizimit të objekteve informale, ka një problematikë të theksuar lidhur me përputhshmërinë me parashikimet kushtetuese sa i takon respektimit të së drejtave të pronësisë dhe dëmshpërblimin e drejtë në rast shpronësimi. Ky nen që parashikon procedurat e kompensimit të pronarëve të trojeve të zëna që kompesohen, nuk jep asnjë afat garancie për shpërblimin e pronarit, prona e të cilit është e zënë nga një ndërtim informal që u nënshtrohet procedurave dhe legalizohet”,- thuhet në dekretin e Presidentit.

Presidenti Meta dekreton kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit nr. 20/2020 – Arsyet e kthimit për rishqyrtim të ligjit