Presidenti Ilir Meta, në një konferencë për mediat deklaroi sot se gjithë zyrtarët e përfshirë në tentativën për grusht shteti do të paditen në Prokurorinë e Speciale Antikorrupsion (SPAK).

“Bazuar në provat e djeshme që do t’i dorëzohen SPAK rezulton të jetë përfshirë Etilda Gjonaj dhe funksionarë të lartë, për llogari të skenarit mafioz”,– deklaroi Presidenti Ilir Meta.

Kreu i shtetit deklaroi se Ministrja e Drejtësisë e ka humbur besimin e Presidentit të Republikës dhe pret që Etilda Gjonaj të japë dorëheqjen dhe të përballet me drejtësinë si ish-ministre.

“Të gjithë qytetarët shqiptarë dhe partneritetet ndërkombëtare u njohën dje me veprat penale të shpërdorimit të detyrës dhe falsifikimit flagrant të kryera nga institucionit të ministrit të Drejtësisë, lidhur me KED. Provat do ia dorëzojmë SPAK, ku rezulton se është përfshirë drejtpërdrejtë Etilda Gjonaj, por dhe funksionarë të lartë të këtij institucioni, në varësi të saj, në llogari të skenarit mafioz të kapjes së Gjykatës Kushtetuese. Gjonaj ka urdhëruar Sekretarin e Përgjithshëm të dërgonte për botim në Fletoren Zyrtare një vendim, që duhet botuar vetëm në faqen e Gjykatës Kushtetuese. Ministrja nuk ka asnjë rol të dërgojë aktet e KED për botim. Ka urdhëruar botimin pa ia kërkuar askush. Ministrja ka shpërdoruar detyrën, falsifikim dhe ndërhyrje e paligjshme në proces. Brenda ditës së hënë do depozitoj pranë SPAK kallëzimin penal ndaj ministres Etilda Gjonaj dhe jo vetëm”,- deklaroi Presidenti Meta.