Presidenti i Republikës, Ilir Meta, zbulon dhuratën që ka marrë mbrëmjen e kaluar nga Xhamia e Plumbit në Shkodër, ku ndodhej për të uruar Natën e Shenjtë të Kadrit.

Në një postim në Facebook, Kreu i Shtetit citon Myftiun e Shkodrës, Muhamed B. Sytari, se “gurët dhe muret i shembën, por shpirtrat jo”, që duket se është si një mesazh i koduar për shembjen e Teatrit Kombëtar.

Postimi i plotë i Presidentit

Shumë i lumtur që në këtë vit jubilar të 30-vjetorit të rikthimit të lirisë fetare, të merrja dje dhuratë një foto nga rihapja në 16 nëntor 1990, të Xhamisë së Plumbit në Shkodër.
2169 faltore, pjesë e trashëgimisë kulturore dhe historike të vendit u shkatërruan nga barbaria e diktaturës komuniste. Dhjetra klerikë u martirizuan, u burgosën dhe u internuan.
Por siç me të drejtë thotë edhe Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari: “Gurët dhe muret i shembën, por shpirtrat jo“.