Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta dekoroi me Titullin e lartë “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” ambasadoren e Republikës së Kroacisë, Sh. S. Znj. Sanja Bujas-Juraga, gjatë një ceremoniesolemne të zhvilluar në Institucionin e Kreut të Shtetit.

Presidenti Meta i dorëzoi Ambasadores Bujas-Juraga titullin e lartë me motivacionin:“Për veprimtarinë e spikatur diplomatike dhe kontributin thelbësor në funksion të marrëdhënieve të shkëlqyera, tashmë të një partneriteti strategjik, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kroacisë, në pasurimin e mëtejshëm të marrëdhënieve miqësore e historike ndërmjet dy popujve tanë, si dhe për mbështetjen e çmuar ndaj procesit të integrimit evropian të vendit tonë.”

Kreu i Shtetit, në fjalën e tij vlerësuese vuri në pah dhe vlerësoi veprimtarinë diplomatike dhe kontributet e Ambasadores Bujas-Juraga për thellimin, forcimin e pasurimin e marrëdhënieve dypalëshe të përfaqësues diplomatike të shtetit kroat si dhe mbështetjen për integrimin europian të vendit tonë.

Fjala e plotë e Presidentit Meta

“Kam kënaqësinë të organizoj këtë ceremoni për ju si një mike e veçantë e Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Ka njerëz që përkushtohen, sakrifikojnë, kanë një botë, i japinenergjitë dhe përkushtimin e tyre për të mirën e të tjerëve, për të përmirësuar marrëdhëniet midis njerëzve dhe kombeve dhe një ndër ta është Ambasadorja Sanja Bujas-Juraga.

Unë ndjehem i privilegjuar të nderoj veprën fisnike të kësaj gruaje fisnike. Puna dhe kontributi i saj, si Ambasadore e Republikës së Kroacisë në Shqipëri, i dha edhe më shumë peshë marrëdhënieve tona historikisht të shkëlqyerame Kroacinë.

Gjatë mandatit të saj si Ambasadore këtu, ajo u dallua për veprimtarinëdinamike diplomatike dhe kontributin e vyer në përparimin e përgjithshëm dhe forcimin e marrëdhënieve tona dypalëshe.

Dëshmi e qartë është nënshkrimi i Partneritetit Strategjik midis dy vendeve, që do t’ijapë një përmbajtje më të fortë bashkëpunimit tonë në të ardhmen.

Neijemi mirënjohës Kroacisë dhe Ambasadores Juraga për mbështetjen dhe përkushtimin e tyre të sinqertë në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Për t’u përmendur gjithashtu se vëmendja jonë ndaj Arbanasve të Zarës u rrit si kurrë më parë.

Historia e marrëdhënieve të ngrohta midis kroatëve dhe shqiptarëve i ka rrënjët në kohërat më të hershme dhe veçanërisht në kohërat më të vështira të kombeve tona. Kurdoherë kemi pasur mbështetjen e shtetit kroat, qeverive kroate, kemi pasur mbështetjen e njerëzve me origjinë nga ky vend.

Ne e themi me gjithë zemër se populli kroat ka qenë gjithmonë me ne, në ditë të mira dhe të këqija. Po kështu, shqiptarët kanë mbështetur Kroacinë dhe kroatët në ditët e vështira të historisë së tyre.

Të nderuar miq,

Jam i lumtur që pata mundësinë në cilësinë e Presidentit të Republikës dhe në detyrat e mia të mëparshme të kem marrëdhënie miqësore me një Ambasadore të nderuar, një diplomate e respektuar dhe me familjen e saj. Sanja dhe bashkëshorti i saj Prof. Dr. Ivan Juraga, do të mbahen mend gjithashtu për mbështetjen e tyre të dhënë në laboratorin e ri të Universitetit të Tiranës.

Në fund, më lejoni t’i uroj sa më shumë suksese në karrierën e saj të ardhshme, pasi jam i sigurt se ajo do të përfaqësojë vendin e saj në mënyrën më të mirë siç bëri në Shqipëri. Faleminderit shumë”.

Duke falënderuar Presidenti Meta për vlerësim, Ambasadorja kroate theksoi: “E kam të vështirë të gjej fjalët për t’u shprehur se sa krenare ndihem për këtë vlerësim që më keni bërë.Është një vlerësim i madh për mua, por gjithashtu edhe për vendin tim dhe familjen time.

Gjatë këtyre 4 viteve në Shqipëri mund të them se kam qenë e privilegjuar të shërbej si Ambasadore e Kroacisë në vendin tuaj dhe kam qenë dëshmitare se si marrëdhëniet tona historike janë përmirësuar edhe më tej dhe që marrëdhëniet bilaterale vazhdojnë të intensifikohen.

Dua të përmend këtu edhe interesin që ju keni shfaqur për komunitetin e Arbanasve të Zarës, duke i vizituar në Kroaci dhe pastaj duke i ftuar të vizitojnë tokën e të parëve. Shqiptarët kanë ndihmuar kroatët në momentet më të vështira dhe të më rëndësishme të historisë dhe Kroacia nuk do ta harrojë kurrë këtë.

Shqipëria është në një moment kyç dhe pret çeljen e negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Europian dhe dua t’ju siguroj se Kroacia do të jetë një partner i fuqishëm dhe i besueshëm, jo vetëm tani, por edhe në të ardhmen kur negociatat të hapen dhe ne do të ofrojmë me kënaqësi ekspertizën tonë më të mirë”.

Të pranishëm në këtë ceremoni ishin ambasadorë dhe përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë, familjarëve dhe personalitete të fushave të ndryshme.