Prononcim për median i Kryetarit të Grupit Parlamentar të LSI-së, z. Petrit Vasili

1

Ka përfunduar një takim ku keni qenë dhe ju prezent mes kryeparlamentarit Ilir Meta dhe kryeministrit Rama. A u bisedua për qëndrimin e fundit të PD-së për sa i përket reformës në drejtësi dhe kushtëzimit të saj për çështjen e mandateve të dy deputetë socialistë? A u arrit ndonjë zgjidhje ose propozim drejtuar opozitës?

Nuk u diskutua një çështje e tillë.Motivi i takimit, është takimi i zakonshëm që tashmë është bërë traditë dhe që ne e bëjmë çdo të premte. Kryesisht vëmendja ishte për të rritur intensitetin e ecjes përpara të reformës në drejtësi. Në sensin e qenies sa më efektiv të komisionit të reformës, sigurisht jo vetëm në një anë, sepse komisioni i reformës është i përbërë nga dy krahët politikë.

Për arsye sepse reforma siç ju e dini është një kusht kyç në rrugën tonë drejt integrimit evropian dhe patjetër që dhe vizita e ardhshme shumë e rëndësishme e komisionierit Hahn është një moment që na imponon të gjithëve, gjithë spektrin politik, jo vetëm mazhorancën, por dhe opozitës për të ecur sa më shpejt dhe për të pasur një rezultat të prekshëm në çështjen e reformës në drejtësi, pasi kjo është për ta thënë haptas, që sigurisht ajo do të ndikonte shumë në ecurinë pozitive të hapjes së negociatave për anëtarësim.

Natyrshëm ky preokupacion politik është preokupacion i cili detyrimisht do të reflektohet në punën e komisionit të reformës. Pra duhen ritme dhe përgjegjshmëri akoma më e lartë dhe sigurisht një sens mirëkuptimi dhe dialogu. Unë kam theksuar edhe më parë, kjo nuk është çështja e takimit, por një qëndrim i yni, duhet një dialog, një dialog absolutisht pa paragjykime. Pra logjika e kushteve të pakapërcyeshme, kushteve të cilat patjetër duhet të flitet për to dhe pa tejkaluar ato nuk mund të shkohet përpara, nuk janë kushtet e dialogut.

Dialog do të thotë mirëkuptim, marrëveshje politike dhe ky është qëndrimi që mazhoranca ka qenë shumë e hapur në këtë drejtim dhe do të vazhdojë të jetë. Sigurisht që duhet të jetë një dialog ku nuk duhet të ulet me kushte, por nën frymën e Venecias dhe me këtë frymë mirëkuptimi, sepse besoj se jemi më afër se kurrë. Duke pasur edhe ndjeshmërinë e lartë, por duke pasur tashmë edhe konkluzionet përfundimtare të Komisionit të Venecias, edhe përgjegjshmërinë politike ndaj procesit të integrimit, ky është momenti për të ecur papara.

Ju pak a shumë e shprehët qëndrimin tuaj mbi kushtin që ka vënë opozita, por shpesh herë kemi parë që LSI ka bërë rolin e mediatorit mes PD dhe PS. Në këtë rast, a shikoni ndonjë hapësirë për ndonjë propozim që mund të vijë nga LSI për të arritur një konsensus ose për të paktën për të shmangur këtë ngërç?

Mazhoranca, LSI –PS ka qëndrime të unifikuara në këtë moment në të cilin ka hyrë reforma. Sigurisht në momentin kur diskutohej reforma në mënyrë të logjikshme, të natyrshme, ka pasur sugjerime për përmirësime apo për të qartësuar situatat, dhe ka qenë një qëndrim shumë pozitiv i LSI-së.

Tanimë kjo fazë është përmbushur. Pra kemi opinionet përfundimtare të Venecias dhe tanimë ka qëndrime të unifikuara, qëndrime të njësuara të mazhorancës lidhur me çështjen, sigurisht përballë qëndrimeve që ka dhe opozita, ku mazhoranca ulet pa paragjykime, por njëkohësisht edhe opozita duhet të ulet pa paragjykime. Një dialog për një problem madhor siç është drejtësia, duhet të lërë mënjanë paragjykimet, kushtëzimet sepse në fund të funti, moskryerja e reformës është një detyrë e pakryer që do t’ia kemi detyrim shqiptarëve.

Se çfarë lëshimesh reciproke bëhen apo se si ecën rruga e dialogut, e rëndësishme është që të ecim përpara me dialogun në frymën e Venecias dhe ta kemi reformën të kryer sa më parë në mënyrë që kjo moskryerja të mos jetë një kusht që pengon ecjen në BE. Mosecja përpara në procesin e integrimit do të ishte një ngjarje e padëshiruar për të gjithë ne.
Z. Vasili, ju folët për dialog dhe nevojën e dialogut dhe konsensusit politik, por në këto kushte opozita mbetet të themi stoike në qëndrimin saj në kushtet që i ka vendosur së fundmi. Mendoni se nëse opozita nuk do ta kalojë këtë hap, të mbetet stoike kushtit, mazhoranca do të vijojë diskutimin, pse jo ndoshta edhe miratimin e reformës e vetme?

Unë nuk jam i prirur absolutisht sepse nuk mundem që në politikë të flas me hamendje. Nuk është mënyra e arsyetuarit politik. Ne kemi një komision të reformës ku të gjithë palët janë në tavolinë tashmë, ku ka çështje të cilat kanë pasur edhe ecuri pozitive. Pra kanë privuar element të zgjidhjes dhe jo element të obstruksionit. Besoj se kjo rrugë do të ecë edhe më tej dhe kam besim tek kjo gjë.

Jo një besim fiktiv apo artificial apo optimizëm të sëmurë, por është një rrugë logjike e detyruar në cilën të gjithë së bashku, mazhorancë dhe opozitë duhet të ecim pasi drejtësia e munguar, drejtësia që nuk funksionin, është një problem. E kam thënë që shqetëson shqiptarët, dhe shqiptarët që nuk janë të kënaqur nga drejtësia janë shumë më të shumtë se mazhoranca, por dhe shumë më të shumtë se opozita.

Thënë e gjithë kjo, të gjithë këta presin një përgjigje. Kështu që askush nuk mund të bëjë obstruksionizëm të sëmurë, apo dialog me kushte përsëri të sëmurë, por do të jenë të gjitha palët të prirur dhe nga logjika e kësaj përgjegjshmëria në raport me qytetarët, por në raport edhe me ato që Venecia tashmë ka shkruar tashmë të zezë mbi të bardhë. Janë të gjithë prerogativat për t’u arritur. Për mua premisat për një dialog sot janë shumë më të afërta se më parë, pasi shumë punë e bërë dhe njëkohësisht dhe ky pozicion shumë aktiv i Komisionit të Venecias, sigurisht e afron zgjidhjen, nuk e largon.

Z. Vasili ju folët për një dialog, a mund të kemi një tryezë ndoshta të kryetarëve të partive parlamentare, në mos në niveleve të dyta të kryetarëve të partive parlamentare për ta kaluar këtë ngërç?

Tani komisioni i reformës është në punë e sipër dhe komisioni i reformës nuk ka individualizuar deri më sot një nevojë të tillë pasi është dialoguar, madje është diskutuar edhe në nivel pse jo do të them edhe profesional pasi një pjesë e mirë e anëtarëve të Komisionit të Reformës janë edhe profesionistë të fushës që është një plus në këtë debat. Dhe në qoftë se komisionit të reformës do t’i lindë një nevojë e tillë apo do të kërkonte aktivizimin e një instrumenti të tillë, ne kemi thënë që çdo instrument i cili na çon tek zgjidhja, është i mirëpritur.

Pra në rast se komisioni i reformës ecën me frymën e mirëkuptimit, mbështetur nga ekspertët, mbështetur në mënyrë të veçantë nga EURALIUS, nga OPDAT arrijnë një zgjidhje, atëherë pyetja do të ishte përse do të duhej? Në rast se do të duhej, pse jo? Rëndësi ka që në fund të kemi një reformë të dakordësuar, por të mbështetur edhe nga ekspertiza më e mirë ndërkombëtare.

Z. Vasili në planet e mazhornacës, të paktën para se të krijohej një ngërç i tillë ishte që paketa me ndryshimet kushtetuese për reformën në drejtësi të kalonte përpara vizitës të eurokomisionerit Hahn. A mendoni në kushtet në të cilat jemi është e mundur një gjë e tillë?

Ju them me shumë sinqeritet që unë besoj në këtë gjë sepse në fund të fundit përgjegjshmëria drejt integrimit na bashkon të gjithëve. Nuk kam dëgjuar njeri, as në mazhorancë, as në opozitë që të ketë një qëndrim të ndryshëm ndaj integrimit për shkak të kësaj qasje ne kemi edhe një Këshill Kombëtar të Integrimit i cili drejtohet nga një përfaqësuese e opozitës. Pra do të thotë që ndjeshmëria për integrimin është shumë e lartë. Pse të mos jetë pra kjo ndjeshmëri kaq e lartë e integrimit edhe një shtysë më shumë për të realizuar sa më shpejt këtë draft reformë, edhe pse jo edhe përpara vizitës së komisionarit Hahn.

A mundet LSI që ta ndihmojë PD dhe PS që të zgjidhi çështjen e mandateve të dy deputetëve? Jo për reformën, jo për sa i përket ndarjeve mbi reformën në drejtësi, por për çështjen e dy mandateve të dy deputetëve që bëjnë kalimin e këtij ngërçi?

Nuk dua të lidh dhe s’mund ta lidh dot absolutisht një çështje rutinore siç është kjo çështje e diskutimit të mandatit të deputetëve me një çështje madhore siç është reforma në Drejtësi dhe besoj që është gabim i madh që këto çështje të lidhen me njëra tjetrën.

Te shenuara si:
al}lsiLOGO_LRI_lgi
Selia Qëndrore

Rruga Sami Frashëri
Godina 20/10
Tiranë, Shqipëri

Zyra e Kordinatorëve

Tel: +355 4 2270 412
Tel: +355 4 2270 413

Zyra e Sekretariatit

Tel: +355 4 2258 665

Zyra e Shtypit LSI

Tel: +355 4 225 758

info@lsi.al, www.lsi.al