Prononcimi për median i Kryetarit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, z. Ilir Meta nga Shkodra

meta-shkoder1Meta ka krijuar jo pak debat jo vetëm mes shoqërisë civile, por dhe në klasës politike çështja e importit të mbetjeve në Shqipëri. Cili është qëndrimi i LSI-së dhe a jeni dakord ju që këto mbetje të vijnë në territorin tonë? Kujtoj që ka patur jo pak protesta dhe më herët për këtë çështje?

Ndaj të njëjtin shqetësim me të gjithë përfaqësuesit e shoqërisë civile lidhur me sensibilitetin e krijuar, por është e qartë se qëllimi nuk ka qenë dhe nuk është aspak për të lejuar mbetjet e rrezikshme për të hyrë në Shqipëri, por për të rivënë në punë mijëra punëtorë që prej dy-tre vitesh nuk po punojnë në industrinë riciklueshme e cila për shkak të ligjit që u miratua në fillim të kësaj legjislature bllokoi çdo lloj importimi. Kuptohet që ky shqetësim i shoqërisë civile nuk vjen nga iniciativa që është ndërmarrë por nga shqetësimi se kjo bazë ligjore, e cila duket e rregullt, mund të shërbejë për të sjellë në mënyrë abuzive, jo transparente dhe të paligjshme, mbetje të rrezikshme apo problematike të cilat mund të cenojnë mjedisin e vendit tonë.

Ndaj në këtë drejtim unë do të thosha se amendamenti i paraqitur nga z. Vasili është një kompromis shumë i përshtatshëm për t’i dhënë zgjidhje të dyja çështjeve të cilat nuk janë antagoniste me njëra-tjetrën. Pra, edhe që këta mijëra punëtorë të kthehen në punë për shkak se janë disa dhjetëra milionë euro investime në këtë industri ricikluese, por njëkohësisht për të garantuar këtë shqetësim të shoqërisë civile dhe këtë mosbesim të thellë që ata kanë se ligji do të zbatohet në mënyrë të drejtë, të garantohet një akses dhe prezencë e plotë e shoqërisë civile që merret me mjedisit dhe që është e specializuar në këtë fushë, në të gjithë këtë proces zbatimi të këtij ligji.

Gjatë ditës së djeshme një biznesmen është larguar nga Shqipëria pasi u dhunua dhe akoma autorët nuk janë gjetur, ndërkohë që një investim prej 450 milion eurosh është larguar nga vendi jonë. Si përfaqësuesi i kësaj mazhorance qeverisëse si ju duket ajo çfarë ka ndodhur dhe krijimi i një klime mosbesimi tek bizneset e huaja, çfarë ndikimi do të ketë në vazhdimësi?

Shpresojmë që të jetë rasti i fundit ky rast mjaft i dhimbshëm i cenimit të jetës dhe sigurisë të një investitori të huaj. Dua të përsëris atë çfarë është thënë edhe nga përfaqësuesit të tjerë të jo vetëm të LSI, por edhe të mazhorancës dhe të politikës, se është me shumë rëndësi që përgjegjësit e këtij akti kriminal të vihen përpara drejtësisë.

Padyshim duhen bërë përpjekje shumë të mëdha për të krijuar një klimë shumë më pozitive të besimit, të sigurisë, jo vetëm fizike, por edhe juridike, për të gjithë investitorët të huaj dhe vendas, pasi kjo është e domosdoshme që të rriten investimet në vendin tonë dhe të zhvillohet më tej ekonomia jonë dhe të rritet punësimi që është shqetësim kryesor ende.

Meta keni qenë si forcë politike, LSI, në oponencë me Ministrinë e Arsimit sa i përket çështjes së maturantëve për pranimin në universitete. Ju kemi parë disi në replikë në distancë me Ministrin e Brendshëm, Tahiri sa i përket çështjes së kanabisit. Ka ndonjë gjë që nuk shkon ndoshta mes koalicionin PS dhe LSI dhe pse ka kaq shumë oponencë nga forca politike që ju përfaqësoni sa i përket këtyre nismave të ndërmarra?

Lidhur me çështjen e ligjit për Arsimin e Lartë dhe praktikisht me situatën e zbatimi të tij në lidhje me aplikimin e maturantëve për në universitete, ne kemi mbështetur reformën, edhe ligjin.

Por njëkohësisht jemi shprehur në mënyrë të qartë se është shumë e rëndësishme mënyra se si do të zbatohet ligji se ka qenë dhe mbetet shumë e rëndësishme miratimi në kohë i akteve nënligjore për zbatimin e ligjit, dhe i transparencës dhe i bashkëpunimit me gjithë grupet e interesit për një zbatim efektiv të tij, dhe në këtë drejtim ne vazhdojmë të jemi në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit. Unë vetë kam biseduar me të përpara disa ditësh, por edhe përfaqësues të tjerë të grupeve parlamentar që po ndjekin çështjen e maturantëve kanë biseduar, kanë dhënë mendime dhe ide të ndryshme, në mënyrë që asnjë maturant që ka aplikuar për në universitet në fund të këtij procesi të mos ndihet i lënduar padrejtësisht. Pra që do të thotë që në bazë të meritës dhe të rezultateve të tija apo të saj të shkojë mundësisht në degën ku dëshiron, ku ëndërron dhe ku mund të japi rezultatin më të mirë.

Përsa i përket çështjes së kanabisit duket sikur Shqipëria është kthyer në një Kolumbi të vogël. Janë qindra sipërfaqe të kultivuara me lëndë narkotike. Megjithëse është deklaruar se ka një luftë të vazhdueshme, por po akuzohen edhe zyrtar të lartë për përfshirje. Ka një qëndrim LSI në këtë drejtim dhe z. Meta?

Besoj se qëndrimi është i qartë, luftë kundër çdo aktiviteti kriminal në çdo drejtim. Për çështjen në fjalë nuk është një çështje e re, pra është një çështje që ka ekzistuar edhe më parë dhe në këtë drejtim e kam thënë që është e rëndësishme të bashkohen forcat dhe përpjekjet për t’u përballur sa më seriozisht me këtë fenomen, por edhe për të mos e bërë një debat ekstrem politik dhe këtu natyrisht dhe përveç policisë edhe vetë prokuroria ka një rol të rëndësishëm për të luajtur për të çuar deri në fund çështje të caktuara.

Si Kryetar të Kuvendit, në ç’fazë janë miratimi i ligjeve për reformën në drejtësi dhe ju a do të vazhdoni të këmbëngulni në konsensus mes forcave politike?

Ne do të vazhdojmë të punojmë për një klimë bashkëpunuese për të gjitha ligjet për reformën në drejtësi dhe besoj se këtë jemi duke bërë. Nuk duhet të humbasë nga fokusi i të gjitha forcave politike kryesore parlamentare ecuria e reformës në drejtësi, pasi është shumë e rëndësishme jo vetëm për të vënë në zbatim atë dhe për të rritur besimin e qytetarëve te drejtësia në vendin tonë, por njëkohësisht sikurse e dimë është e rëndësishme edhe për të hedhur një hap përpara edhe në raport me procesin e çeljes së negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Evropian.

Lidhur me zgjedhjet e vitit 2017, ka interes për të mësuar nëse LSI-ja do të vazhdojë të jetë në të njëjtin koalicion në këto zgjedhje apo do të jetë larg PS-së?

Unë mund t’iu them se interesi im kryesor është i fokusuar për momentin te zgjedhjet brenda LSI-së përsa i takon raportit në koalicion me partinë Socialiste ne i kemi qëndruar dhe i qëndrojmë shumë luajal dhe konstruktiv kësaj marrëveshjeje, që është firmosur pikërisht në Shkodër.

Kandidati më i fundit për postin e kryetari është një deputet i përjashtuar nga radhët e forcës suaj politike. Do të jetë përballë jush z. Meta dhe madje ka postuar një status në rrjetet sociale ku shkruan se gjërat duhet të ndryshojnë. Ju tremb gara dhe a është aq reale në fakt sa është proklamuar nga LSI-ja gara brenda kësaj force politike?

Unë përpiqem të ndryshoj çdo ditë për vete, aq më tepër besoj se të gjithë në LSI e kanë këtë ambicie për forcën e përbashkët politike dhe shpresoj që të gjithë të ndryshojnë për mirë çdo ditë, të ndryshojnë jo vetëm LSI-në, por të gjithë politikën shqiptare dhe të krijojmë një ambient sa më të qetë, sa më shpresëdhënës sa më bashkëpunues në shoqërinë tonë, pasi kjo është e domosdoshme edhe për një rritje të shpresës për të ardhmen e të gjithëve në këtë vend përmes punës përmes respektimi të ligjit dhe sigurisht edhe përmes nxitjes së investimeve vendase dhe të huaja.

Meta, ka pasur replika në distancë mes kryebashkiakes Voltana Ademi dhe Kryeministrit Rama për zero fonde për Shkodrën. Debati i fundit ka qenë në inaugurimin e stadiumit “Loro Boriçi” me rastin e ndeshjes së kombëtares me Marokun dhe ka vijuar edhe më pas. Shifrat janë kokëforta, investimet në Bashkinë e Shkodrës janë shumë të ulëta krahasuar me bashkitë e tjera të majta. Ju si Kryetar i Kuvendit dhe si një person që keni thënë gjithnjë se Shkodrën e keni prioritet, si e gjykoni këtë përplasje?

Ju përmendët ndërtimin e stadiumit të ri në Shkodër. Besoj që është një investim që është bërë në Shkodër dhe jo diku tjetër. A ka Shkodra nevojë për investime të tjera? Patjetër, që po dhe këto kërkojnë një bashkëpunim reciprok dhe unë shpresoj që ky bashkëpunim të përmirësohet në të ardhmen.

A ju tundon posti i Presidentit të Republikës? Pra nëse ju ofrohet një post i tillë a jeni gati ta pranoni?

Jam shprehur edhe më përpara për këtë çështje. Ajo që më tundon për momentin është Kryetari i LSI-së.

(Burimi:Integrimi.al/Xh.N)

Te shenuara si:
al}lsiLOGO_LRI_lgi
Selia Qëndrore

Rruga Sami Frashëri
Godina 20/10
Tiranë, Shqipëri

Zyra e Kordinatorëve

Tel: +355 4 2270 412
Tel: +355 4 2270 413

Zyra e Sekretariatit

Tel: +355 4 2258 665

Zyra e Shtypit LSI

Tel: +355 4 225 758

info@lsi.al, www.lsi.al