Prononcimi për median i Kryetarit të LSI-së, Ilir Meta pas mbledhjes së Kryesisë së LSI-së

A ka qenë në fokus të mbledhjes së sotme ecuria e koalicionit me Partinë Socialiste?

Mbledhja nuk ka qenë edhe shumë e gjatë, sepse çdo lloj diskutimi i tillë do të kërkonte një kohë të gjatë, por mbledhja ka qenë e qartë në përgatitjet e LSI-së për të tërhequr ekspertët më të mirë brenda saj, por edhe nga shoqëria civile apo nga grupet e interesit për të përmirësuar më tej programin e saj. Njëkohësisht edhe për të përgatitur programin e ardhshëm elektoral në funksion të një rritje ekonomike më të lartë dhe të një punësimi më të qëndrueshëm dhe cilësor.

Nuk u diskutua fare për ecurinë e koalicionit?

Nuk ka patur ndonjë diskutim të veçantë për këtë çështje.

Gjatë kësaj periudhe të bojkotit dhe protestës së opozitës nuk kanë munguar ftesat nga disa eksponent të Partisë Demokratike. Cili është qëndrimi juaj?

Qëndrimi i LSI-së është mjaft i qartë. Zgjedhjet e 18 qershorit janë vendimtare për të ardhmen evropiane të Shqipërisë. Ato së bashku me vazhdimin e zbatimit të reformës në drejtësi dhe fillimit të procesit të Vetting-ut, janë jashtëzakonisht kyçe, pra dhe standardi i këtyre zgjedhjeve, për çeljen e negociatave për anëtarësim, por e njëkohësisht edhe për vetë zbatimin e suksesshëm dhe të besueshëm të reformës në drejtësi në të ardhmen.

Deklaruat pak orë më parë që “opozita ka Parlamentin, mazhoranca ka qeverinë”. Jemi në kushtet kur opozita po kërkon çadrën, është te çadra dhe në këtë rast çfarë duhet të bëjë mazhoranca?

Besoj se dialogu është e vetmja rrugë për të zgjidhur çështjet që ngrihen, të cilat kanë të bëjnë me standardet e zgjedhjeve dhe për të shteruar mundësitë praktike të realizimit të garancive, që kërkohen lidhur me standardet e zgjedhjeve dhe për të përfunduar reformën zgjedhore që duhet të kishte përfunduar prej kohësh.

Dhe asnjë herë nuk duhet hequr dorë nga dialogu, sepse çdo lloj retorike konfrontuese nuk është në të mirë të vendit, pasi dialogu politik mazhorancë-opozitë është kyç për suksesin e reformave që kemi ndërmarrë, që i vlerësoi edhe Parlamentin Evropian në rezolutën e tij më të fundit, por akoma më shumë te reformat që duhet të zbatohen në javët që vijnë, në muajt që vijnë dhe padyshim kurorëzimi me sukses të plotë i zgjedhjeve është vendimtar për 4 vitet që vijnë, por më shumë se kaq.

Meta, a keni tashmë një afat kohor se kur do të vendosni për koalicionin e ardhshëm zgjedhor? Pra, me cilin koalicion LSI do të shkojë në zgjedhjet e ardhshme?

Besoj se kjo ka qenë një përgjigje e qartë edhe më parë, që ne vazhdojmë në këtë koalicion të përmbushim detyrimet dhe përgjegjësitë tona, sepse çdo ditë, çdo javë që vjen, të gjithë kemi përgjegjësi të mëdha për të përmbushur dhe do të bëjmë gjithçka për një klimë sa më konstruktive, jo vetëm brenda koalicionit qeverisës, por edhe për një klimë sa më konstruktive në të gjithë jetën politike të vendit dhe në Parlament. Natyrisht e kam theksuar, jo se mazhoranca nuk është në Parlament, por Parlamenti mbi të gjitha është i opozitës, pasi mazhoranca ka edhe qeverinë përveçse padyshim është mazhorancë edhe në Parlament.

Një pyetje e fundit, ju keni deklaruar që nëse z. Rama me koalicionin e tij nuk arrin të marrë 71 mandate pas zgjedhjeve dhe nëse po ashtu z. Basha nuk arrin të marrë 71 mandate me koalicionin e tij, LSI do të japë kontributin për krijimin e qeverisë së re. Ku e bazoni ju këtë betejë numrash, këtë kalkulim, në daljen në zgjedhje të partisë suaj në një koalicion të vetëm?

Ne nuk bëjmë asnjë kalkulim numrash aq më tepër të parakohshëm dhe të panevojshëm, sepse tani është çështja për të kalkuluar arritjen e standardeve më të larta në vazhdimin e zbatimit të reformës në drejtësi dhe të zgjedhjeve të 18 qershorit. E nënvizoj, më e rëndësishme se rezultati i çdo force politike përfshirë edhe LSI-në, është rezultati dhe nota që do të marrë Shqipëria dhe shqiptarët më 18 qershor për procesin, për të cilin duhet të kujdesemi që tani.

Burimi:( integrimi.al / E.S ) 

al}lsiLOGO_LRI_lgi
Selia Qëndrore

Rruga Sami Frashëri
Godina 20/10
Tiranë, Shqipëri

Zyra e Kordinatorëve

Tel: +355 4 2270 412
Tel: +355 4 2270 413

Zyra e Sekretariatit

Tel: +355 4 2258 665

Zyra e Shtypit LSI

Tel: +355 4 225 758

info@lsi.al, www.lsi.al