Pse duhet ndryshuar vendimmarrja për koncesionet

PËRPARIM SPAHIU

perparim-spahiu-1-c1200x600

PËRPARIM SPAHIU (Deputet i LSI,qarku Dibër)

Koncesionimi i aseteve publike mbetet çështje e ditës edhe në politikën e vendeve të Perëndimit. Fqinji i përtej detit, Italia,është duke shkuar në kutitë e votimit për t’i thënë Po ose Jo koncesionimit të hapësirave për kërkim pasurish nëntokësore. Ajo çfarë e shtyn drejt nevojës për t’u thënë PO ose JO kërkimeve të nëntokës italiane është shqetësimi publik i rritur në raport me koncesione të ndryshme për shpimkërkimin në territorin italian.

20 nga 60 milionë votuesit italianë duket se e kanë motivin e mjaftueshëm për të thënë fjalën e tyre në këtë votim. Shqipëria, pas një nisme të grupit të deputetëve të LSIsë për disiplinimin e praktikave të koncesionimit, e ka vënë gjithashtu në qendër të vëmendjes këtë çështje.
Koncesioni dhe partneriteti publik­privat, me ose pa të drejtë, në fjalorin e përditshmërisë shqiptare, që shfaqet kryesisht në ekranet televizive dhe titujt e gazetave, janë radhitur ndër ato koncepte të cilat publiku ka prirjen më së shumti për t’i paragjykuar e veshur me ngjyrime tërësisht negative, e më së pakti të shprehë dëshirën për të mos i dëgjuar.

Sigurisht që përgjegjësia për këtë nuk rendon në brendi të vetë termave, por bie mbi fushën ku ato gjejnë veprim: I referohem këtu vendimmarrjes, të së shkuarës dhe të së tashmes. Vendimmarrja ka dhënë natyrisht ndihmesën e vet në zgjerimin e një perceptimi të tillë, kryesisht mosbesues, në nivelet më të ndryshme të opinionit publik.

Duke u nisur edhe nga deklarata të një­ pasnjëshme të partnerëve ndërkombëtarë, e kryesisht të dy organizmave më të mëdha botëroretë fushës së financave, FMN­së dhe Bankës Botërore, një rikonceptim dhe rimodelim i fushës brenda së cilës koncesionet dhe partneritetet publik­privat gjejnë fushë veprimi, mendoj se është i nevojshëm dhe në nivele të ndryshme thuajse i detyrueshëm.

Si e tillë erdhi edhe nisma ligjore e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim që për koncesionet dhe partneritetet me kohëzgjatje mbi 4­vjeçare marrëveshja të adresohet për mbështetje pranë Kuvendit, duke shtuar në proces një sërë aktorësh të tjerë, si Ministrinë e Financave, të Ekonomisë dhe Avokaturën e Shtetit.
Transparenca, mirëplanifikimi, drejtpeshimi, mosrënia në aventurë, forcimi i institucionalizmit e në mënyrë të veçantë roli i parlamentit për vendimmarrje afatgjata me ndikim për jetën e qytetarëve shqiptarë ishin të gjitha këto arsye, besoj, parimore mbi të cilat është ngritur ky propozim.

Në një frymë të tillë del edhe propozimi i përfshirjes së konceptit të “Vlerësimit të Alternativës” në aktin bazë që rregullon kompetencat e autoriteteve kontraktuese për të hyrë në marrëveshje koncesionesh ose partneritetesh publike private. Projektligji që koncepton këto lloj marrëveshjesh është depozituar si nismë ligjore nga Grupi Parlamentar i LSI­së në mesin e muajit shkurt të këtij viti.

Opinioni publik e priti mirë propozimin e nismëtarëve të LSI­së. Më së pakti, i formuluar në mënyrë të këtillë, publiku është më pranë dhe përgjithësisht më i qartë me veprimet e zhvillimet e kësaj fushe. Për shkak të përfshirjes së shumë aktorëve dhe të shtrirjes në kohë dhe të zgjerimit të procesit të dhënies me koncesione ose partneritet publikprivat, informacioni i nxjerrë për opinionin publik është më i plotë dhe i sigurt.

Ky është fryti drejtpërdrejtë dhe i ngjitjes së transparencës në një tjetër nivel, që në fund të fundit do të kulmonte me diskutimin parlamentar. Javën e kaluar propozimi u bë pjesë e diskutimit parlamentar në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese, Tregtisë dhe Mjedisit. Në parim u duk se dakordësia ishte gjetur. Nismëtarët e projektligjit në fjalë u treguan të hapur për pasurimin me elemente të mëtejshme përmirësuese të propozimit nga të dy krahët e politikës,me shpresën se njëra prej tyre, opozita, t’i jepte fund një herë e mirë bojkotit parlamentar.

Nga disa deputetë të shumicës, si për të ngritur një dyshim të arsyeshëm mbi efektshmërinë e përfshirjes së parlamentit në këtë proces, u paraqitën shembujt e dy koncesioneve, ai i skanimit doganor dhe i pullave fiskale, të shumëpërfolura edhe këto e të cilat patën kaluar në të shkuarën në filtrin e parlamentarizmit.

“A mjafton përfshirja e parlamentit?”, u ngrit me të drejtë pyetja Qëndrimi i qartë i nismëtarëve të grupit të LSI­së ishte se së pari këto shqetësime janë ngritur dhe nga dy institucionet më të mëdha botërore të monitorimit të financave dhe se së dyti janë edhe një sërë filtrash të tjerë të propozuar, të cilët e sigurojnë këtë mekanizëm si një të tërë, funksional dhe të frytshëm.
Dikush tjetër, me të drejtë, mund të ngrejë si shqetësim “krijimin e mundësive për vonesa në proces”, si një argument para të cilit nisma vlen të ballafaqohet me një tjetër pikëpyetje të arsyeshme. Llogaritja korrekte dhe leverdishmëria e projektit është kundërargumenti i parë.

Vonesat e arsyeshme për projekte të rëndësisë madhore që ndikojnë mbi paratë e shqiptarëve për afate të gjata, është sprova më e mirë dhe antitrupi më i sigurt që siguron mospërfshirjen në sipërmarrje aventuriere. Le të sjellim ndër mend, për shembull, një shqetësim timin të kahershëm, “Rrugën e Arbrit”, një nxitim e fluturim për më të parin projekt­propozim për të, pa përfshirë në të institucione të tjera që gjykojnë mundshmërinë, realizueshmërinë dhe leverdishmërinë e investimit!
Imagjinoni se në ç’kushte e me ç’kosto mund të përvijonte projekti!
Ka edhe një tjetër vlerë të mbartur në trupin e këtij ndryshimi të propozuar në këtë projektligj, që është orientimi me kah të ardhmen: largpamësia e jetëgjatësia si elemente të përfshira në sipërmarrje të projekteve madhore, karakteristikë kjo aq shumë e munguar në të shkuarën.

Një ekspertizë e mirë dhe qartësim korrekt financiar i situatave të parashikimit për të ardhmen, për të pasur një kontratë sa më të mirë në momentin e firmosjes, është krejtësisht e re, por tërësisht e nevojshme dhe e sjellë në momentin e duhur. Për të gjitha këto arsye, propozimi merr vlerë të veçantë dhe aplikueshmëria e tij vetëm sa e shëndosh dhe e rimëkëmb në mënyrë më transparente një praktikë të aq shumëpërfolur, shpesh jo pa të drejtë.

(Burimi:Gazeta Panorama/Xh.N)

Te shenuara si:
al}lsiLOGO_LRI_lgi
Selia Qëndrore

Rruga Sami Frashëri
Godina 20/10
Tiranë, Shqipëri

Zyra e Kordinatorëve

Tel: +355 4 2270 412
Tel: +355 4 2270 413

Zyra e Sekretariatit

Tel: +355 4 2258 665

Zyra e Shtypit LSI

Tel: +355 4 225 758

info@lsi.al, www.lsi.al