Rama: Sporti do marrë mbështetjen e duhur nga kjo qeveri

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka rrëfyer dje për emisionin “Skaner Kampionat”, në televizionin “Ora News”, planin e tij për futbollin, ku paralajmëroi edhe një ligj të ri për klubet. Numri një i qeverisë bëri të ditur se stadiumi i ri “Arena Kombëtare” pritet të nisë punimet në pranverë. Për këto, por jo vetëm, ja si u shpreh ai:

Jemi në vit Europiani. Sipas jush, çfarë do të thotë për Shqipërinë prezenca e Kombëtares në vitrinën e futbollit?

Besoj se është e qartë për çdokënd dhe nuk ka nevojë për ndonjë mendje shumë të rafinuar për të kuptuar peshën që ka për imazhin e vendit, për fytyrën e kombit tonë, prania mes vendeve më të mira në këtë kompeticion.

Ju mendoni se tashmë kemi bërë një skuadër…?

Unë e kisha në përgjithësi, por për futbollin, pikërisht fakti se kemi bërë skuadër jemi atje. Sepse, sipas meje, nëse do të krahasonim individualisht lojtarët tanë me ata të skuadrave të tjera, qoftë edhe të skuadrave të grupit, ne do të ishim patjetër të fundit.

Pas triumfit të Kombëtares, natyrisht nisi edhe një debat amplifikues, për ndarjen e vlerave dhe meritave. Si e lexuat këtë histori, e cila për trajnerin De Biazi ishte një bezdi e madhe?

Nuk është anormale një diçka e tillë dhe besoj që nuk ndodh vetëm në Shqipëri. Në një sukses të madh të gjithë duan të marrin një pjesë të meritës. Është e vështirë të gjesh konkurrentë për të marrë pronësinë e një humbjeje apo dështimi. Por, për pronësinë e një merite, të një rezultati, apo një fitoreje, apo një vlere që krijon fitorja, ka shumë konkurrentë. Nuk është ky problem për mua.

Mbase, por protagonistët janë ndierë edhe të habitur, ndoshta ranë edhe në kurthin mediatik…

Por, edhe ju nuk do të rrini pa punë, aq më tepër kur ju jepet rasti i artë historik kur një skuadër shkon në finalet e Europianit. Edhe ju do të bëni punën tuaj, pjesën tuaj, për të zhbiriluar labirintet e të menduarit të protagonistëve. Dhe në këtë zhbirilim dalin patjetër edhe gjëra që mund të kthehen në keqkuptime.

Megjithatë, vetë ju zoti kryeministër do të përcaktoni një shkallë meritueshmërie për këtë arritje?

Unë besoj që nuk ka një skuadër të suksesshme pa një trajner të suksesshëm dhe nuk ka një ekip me trajnerin dhe lojtarët bashkë që mund të shkojnë kaq larg pa një klub apo federatë në rastin konkret, e cila ka bërë si duhet punën e saj. Është e pamundur t’i ndash.

A mendoni që De Biazi do të largohet pas Europianit, edhe pse termat ekonomikë të kontratës së tij janë rifreskuar dhe ai ka rënë dakord për këtë…

Unë nuk mendoj që Xhani do të largohet. Ka arritur një sukses të madh. Mbi të gjitha ndihet shumë mirë me skuadrën dhe me faktin që ka krijuar një lodër që nuk është e lehtë ta braktisë. Kam përshtypjen që është i gëzuar që punon këtu dhe kjo është ajo që kompenson aspektin ekonomik.

Mund të quhet një tjetër moment shumë krucial për vendin, por edhe imazhin, sfida me Serbinë në Elbasan. Një pjesë e opinionbërjes anatemoi fort edhe blindimin e panevojshëm. Por, realisht do ta skedoni atë ditë si një moment “PO” në mandatin tuaj?

Shiko, kur asgjë nuk ndodh, atëherë lind nevoja për të bërë kritika pse u desh bërë kjo e kjo, sepse asgjë nuk ndodhi. Por, nëse do të ndodhte diçka, sado e vogël, do të ishte një katastrofë për skuadrën dhe për vendin tonë. Dhe, në anën tjetër, asnjëherë njerëzit nuk janë të prirë të shohin gjërat që evitohen, sepse ato nuk ndodhin. Mirëpo, besoj se kemi shmangur atë që mund të ishte kthyer në një makth.

Një moment që do të qëndrojë gjatë edhe në memorien e mandatit tuaj kjo ditë me Serbinë…

Ajo që do të mbaj mend me siguri është gjendja shumë e vështirë psikologjike pas ndeshjes, për shkak të rezultatit dhe periudha mes asaj ndeshjeje dhe asaj me Armeninë në kërkimin e rezultatit me çdo kusht në Armeni për të arritur Europianin.

Çfarë planesh ka qeveria për sportin dhe futbollin në veçanti?

Kemi gati ngritjen e federatës së sportit në shkollë. Mirëpo, pa fuqizuar infrastrukturën përkatëse, e kemi të pamundur të mendojmë se po zhvillojmë ndonjë gjë. Do të ndë- rhyjmë dhe jemi duke përgatitur një ligj të ri për futbollin. Nuk mundet më që klubet e futbollit të jenë në territore ku derdhen shumë para të sponsorëve dhe ku nuk ka asnjë sens ndërmarrjeje. Ka një futboll në fushë dhe një futboll që bën ekonomi. Deri sot në futbollin shqiptar janë derdhur para për pasion dhe dëshirë, por jo në krijimin e një ndërmarrjeje sportive. Juventusi, që bashkë e kemi merak, është një ndërmarrje e jashtëzakonshme sportive. Ne duam të sqarojmë pozicionet dhe skuadrat duhet të jenë përgjegjësi e ndërmarrjeve private dhe shoqërive. Nëse bashkitë duan të përfshihen, pse jo, por gjithmonë në logjikën e thjeshtë dhe të saktë të sistemit privat dhe jo të një sistemi pa kuptim, ku ikën një sponsor, apo donator siç edhe quhet dhe skuadra përfundon në fund të greminës. Plus kësaj, të themi të vërtetën, kemi edhe një gjë tjetër, kemi informalitet të madh në futbollin vendës. Kemi para të deklaruara për futbollistët sikur ata të jenë punëtorë kë- pucësh në fason. Dhe kjo është e papranueshme, me rroga si minimum jetik. Por u duhet dhënë mundësia të dihet që: Kush ka çfarë dhe kush bën çfarë! Kemi bashki, të cilat harxhojnë në mënyrën më të pakuptimtë paratë nga buxhetet e tyre të shtrënguara për të mbajtur skuadrat e tyre që nuk kanë shans të ngrihen. Nuk mundet dot të zhvillohet më tutje futbolli me këtë sistem absurd. Dhe këtu ka munguar shteti. Ka munguar qeveria.

Ky është një projektligj që pritet të vijë shpejt…

Jemi duke e punuar këtë ligj dhe natyrisht, në bashkëpunim edhe me federatën, do ta bëjmë të ditur. Nuk do të bëjmë ndonjë shpikje të madhe. Thjesht për të dhënë mundësinë që njerëzit duhet të dinë që kanë në dorë një pronë që duhet ta zhvillojnë dhe, nëse nuk e bëjnë dot, vjen tjetri.

Dikur ishit kryebashkiak dhe gjetët një formulë për të mbajtur Tiranën, larg kostos bashkiake. Por, sipas jush, sa funksionon formati i varësisë bashkiake. A mendoni se ishte zgjidhje?

S’kam bërë asnjë zgjidhje për Tiranën në atë kohë, sepse nuk gjeta dot mirëkuptim në vizionin që unë kisha për zhvillimin e klubit. Dhe faktikisht Tirana, nëse do të kishim rënë dakord me atë vizion e do të kishim ngritur një ndërmarrje, sot unë jam i bindur që Tirana do të ishte siç është Kombëtarja. Mirëpo, thashë, një histori qesharake, njerëzish vullnetmirë, por pa vizionin e duhur dhe pa vullnetin e duhur për të ndërtuar një projekt, për ta ndjekur atë pas rezultatit të ditës. Punë e madhe shumë nëse nuk do të fitonte Tirana një apo dy kampionate. Por, ama do të hidhte baza, për të qenë një klub futbolli i mirëfilltë. Dhe sot nuk kemi asnjë të tillë.

Zoti kryeministër, ju bie rasti ndonjëherë se në stadium nuk ju kam parë, të shikoni ndeshje të kampionatit kombëtar. Qoftë edhe një derbi, apo sfidë interesante. Metën apo shumë deputetë i kam parë në ndeshje derbi. Ju gjithmonë mungoni…

Jo, jo. Kampionatin kombëtar nuk e ndjek, për 2 arsye: Së pari, unë nuk jam ndonjë i apasionuar pas futbollit për të ndjekur një kampionat futbolli deri në pikën e një niveli si ky i yni, ku nuk është maksimumi. Mua më mbërthejnë pas ekranit, Kombëtarja shqiptare pa diskutim, kombëtarja e Italisë dhe Juventusi. Asgjë tjetër nuk më mbërthen dot para ekranit në pikën që ta shoh medoemos. Kurse, pastaj për atë derbin Tirana-Partizani që më thoni, ia kam besuar të gjitha Erion Braçes.

Por, nëse nuk ju mbërthen dot ekrani sot, dikur në sistemin e kaluar e keni ndjekur futbollin?

Kur isha i vogël kam qenë si të gjithë fëmijët me Partizanin. Pastaj, ka pasur një periudhë kur luaja basketboll me Dinamon, shkoja në stadium të shikoja Dinamon edhe për arsye të raporteve me futbollistët e asaj kohe. Mbaj mend kur ishte Fatmir Frashëri trajner dhe më pas Bejkushi, apo nuk e mbaj mend mirë radhën. Atëherë kthimi i Fatmir Frashërit në rol ishte një ngjarje në Dinamon e atëhershme. Kurse në Dinamon e famshme të Pernaskës, Zërit e Ballgjinit, unë isha me Partizanin dhe i vuaja shumë humbjet.

Pse vendosët të bëni “Loro Boriçi”-n?

Sepse sipas parametrave të diskutuara edhe me Federatën, distanca dhe potenciali i një stadiumi, 2 ishin alternativat që mund të zëvendësonin boshllëkun e “Qemal Stafa”-s, Elbasani dhe Shkodra. Nisëm me Elbasanin dhe planifikuam më pas “Loro Boriçi”-n. Dhe do të jetë, me sa kam ndjekur punimet, një stadium shumë i bukur.

Shumë para të hedhura, por cila e ka radhën?

“Arena Kombëtare”, stadiumi “Qemal Stafa”. Unë besoj që brenda pranverës të kemi nisur punën. Jemi një vit Europiani, por edhe një vit Lojërash Olimpike.

Sot që flasim, në dijeninë time nuk është çelur ende një fond sado modest për trajnimin e sportistëve shqiptarë…

Dua të jem shumë i sinqertë me ju në këtë pikë. Nuk kam dijeni se çfarë po thoni, por jam i bindur që sido që të jetë puna nuk do lënë pa plotësuar. Nuk jam në dijeni, por do interesohem menjëherë në lidhje me këtë gjë.

A do të ndërhyni me autoritetin tuaj, si pjesë e shtimit të buxhetit për sportin, që një pjesë e të ardhurave të Lotarive Sportive të shkojnë për sportin?

Kemi futur një nen në ligjin e ri për Lojërat e Fatit dhe është një përqindje, por sigurisht do t’u shkojë sporteve të tjera. Patjetër do t’u shkojë.

Zoti Kryeministër! Më duket mua, apo e keni lënë pas dore fare pallatin e sportit? Pse e kaluat në varësi të Bashkisë, ka një projekt për të vënë dorë aty?

Jo, jo, nuk është kështu, sepse jo më larg se këtë javë kemi kaluar me një VKM dhe pronësinë në varësi të Bashkisë Tiranë. Sepse mendojmë që ashtu siç është, është një ngrehinë e marrë fund, ndërkohë që Bashkia do ta trajtojë si një aset dhe do ta kthejë në një ambient siç duhet për lojërat me dorë. Plus kam parë disa paraprojekte të Kryetarit të Bashkisë për të nxitur krijimin e Akademive Sportive për fëmijët. Në Parkun Olimpik është parashikuar që të jetë Parku i Ekipeve Kombëtare.

Rasti i dopingut të përsëritur te shtanga ju ka zhgënjyer, ju ka nervozuar, apo e keni kaluar në heshtje…

Gjëra që ndodhin, që sigurisht janë të hidhura, pasi i gëzohesh një fitoreje dhe më pas merr vesh që në fakt je përqeshur me një hile. Por, dopingu është problem mbarëbotëror. I secilit vend në botë. Janë gjëra shumë të shëmtuara, por nuk mund të pretendojmë të jemi imunë karshi një problemi që e gjithë bota e ka prezent.

Do desha një batutë për disa emra që do t’ju përcjell. Për De Biazin?

Lider.

Për Armand Dukën?

Një sipërmarrës që nuk i’a ha qeni shkopin.

Për Lorik Canën?

Talent dhe vullnet bashkë, nuk ndodh shpesh…

Për Fidel Yllin?

Pasion i gjallë…

Dhe Masimiliano Alegrin, si juventin që jeni…

Nëse do të huazonim një term nga zoologjia, do të ishte dhelpër.

Gjeni kohë të luani basket?

Shumë e hidhur pyetja e fundit, sepse më kujton që, edhe nëse gjej kohë, nuk mundem dot. Është një sport që nuk është për ata që i kalojnë të 40- at. Dhe, faktikisht, edhe i madhi i të mëdhenjve, Gim Fagu, që jam i bindur që nëse do të kishte moshën e duhur sot do të luante në çdo skuadër të planetit, në një moment të caktuar u dorëzua dhe nuk hyri më në fushë, sepse është sport shumë impenjativ nëse do të luash. Por, të gjithë pas kësaj moshe janë me probleme mesi e gjunjësh…

Vazhdoni të mbeteni një juventin besnik?

Jam shumë i interesuar, gjithsesi Juventus më mbërthen, por nuk më sëmur dot. Jam i bindur që, nëse me Bajernin nuk do t’ia dalë dot, nuk është se do më prishet gjumi.

Por, si italian, shumë shpejt vjen Shqipëri-Itali?

Dhe i gjithë stresi lidhur me “Arenën Kombëtare” është nëse do të arrinim me stadium të ri në atë ndeshje, por do të ishte mrekulli që “Arena Kombëtare” të priste atë ndeshje..

al}lsiLOGO_LRI_lgi
Selia Qëndrore

Rruga Sami Frashëri
Godina 20/10
Tiranë, Shqipëri

Zyra e Kordinatorëve

Tel: +355 4 2270 412
Tel: +355 4 2270 413

Zyra e Sekretariatit

Tel: +355 4 2258 665

Zyra e Shtypit LSI

Tel: +355 4 225 758

info@lsi.al, www.lsi.al