Tomas Strakosha vijon të ketë probleme fizike, fundi i sezonit dhe dëshira e tij për të qenë në fushë me çdo kusht me sa duket i ka kushtuar shumë portierit të Kombëtares dhe Lazios. Strakosha nuk u grumbullua nga Edy Reja në debutimin e tij në stolin kuqezi, italiani e “kurseu” pasi ishte i vetëdijshëm për gjendjen e tij fizike.

Strakosha

Numri 1 i Lazios kishte shfaqur probleme në fundin e sezonit, kundër Interit u aktivizua me injeksione ndërsa sforcoi trupin e tij akoma më shumë duke u rikthyer në fushë për finalen e Kupës së Italisë. Finalja kundër Atalantës ishte sfida e fundit e Strakoshës me Lazion për këtë sezon, fatmirësisht sakrifica e Strakoshës vlejti pasi kryeqytetasit arritën të fitonin, siguruan një vend në Europa League, ndërsa Strakosha koleksionoi trofeun e tij të parë.

Portieri shqiptar ka marrë pushim absolut nga stafi mjekësor ndërsa pritet të bashkohet me grupin dirkte në fazën e grumbullimit në Auronzo. Një muaj stop për legjionarin më në formë në Serie A, një titullar i padiskutueshëm te Lazio dhe një nga portierët e rinjë më të mirë në qarkullim.