Rudina Hoxha: Prioritet tona do të vijojnë të jenë arritja e standarteve në zgjidhjen e problematikave ndaj qytetarëve

Rudina HoxhaDrejtoresha e përgjithshme e Agjensisë së Mbrojtjes së Konsumatorit, në një intervistë për gazetën” Integrimi” është shprehur se sfida kryesore e AMK-së për vitin 2017 do të jetë pikërisht zgjidhja e problematikës së Sigurisë Ushqimore duke ndërtuar një sistem të ri kontrolli. Ajo konsideroi si një sfidë edhe projektin e qenve endacakë në territorin e Tiranës i cili është parashikuar të zgjasë 5 vjet. Rudina Hoxha  e konsideroi aplikacionin “Tirana Ime” si një sukses por edhe komunikimi i shpejtë në faqen zyrtare të AMK-së në Facebook si dhe plotësimi i formularit të ankesës online në websitin e tyre mbeten mekanizma mjaft funksional.

Intervista e plotë

Institucioni nën drejtimin tuaj, ka njohur një sërë arritjesh pozitive. Si ishte viti 2016-të në realizimin e objektivave?

Mbetem e mendimit se asnjëherë nuk duhet të jesh i kënaqur plotësisht me arritjet, pasi gjithmonë ka vend për përmirësim. Në këtë kuptim, puna ime dhe e stafit të Agjencisë së Mbrojtjes së Konsumatorit përgjatë vitit 2016-të ka qenë sa pozitive, aq edhe sfiduese me qëllim përmirësimin e shërbimeve që ky institucion iu ofron qytetarëve të Tiranës. Pak ditë më parë, ne zhvilluam një analizë të thelluar, ku secili përgjegjës sektori, prezantoi me shifra punën e kryer përgjatë 1 viti, por edhe paraqiti problematikat e hasura. Ishte një pasqyrim intensiv, jo vetëm për të kuptuar se çfarë kishim bërë dhe si do të mund të përmirësoheni, por edhe për të kuptuar se pa punën dhe frymën në ekip asgjë nuk është e mundur.

Një histori suksesi pa dyshim mund të konsiderohet fushatat e sterilizimit të qenve endacakë të Tiranës nga shërbimi veterinar. Cilat ishin sfidat?

I gjithë projekti ishte një sfidë e në fakt vijon të jetë i tillë. Që në muajt e parë të marrjes së detyrës, kam kërkuar t’i jepej zgjidhje kësaj problematike të mbartur ndër vite, e për të cilën nuk ishte bërë asgjë nga pushteti vendor. Në këtë kuptim, hapi i parë që bëmë ishte evidentimi i numrit të saktë të qenve endacakë në territorin e Tiranës. Pas kësaj veterinerët tanë në bashkëpunim me ekspertë të huaj hartuan këtë projekt i cili është parashikuar të zgjasë 5 vjet. Konkretizimi i punës ishte hapja e Klinikës Veterinare në Shkurt 2016, ku kryhet sterilizimi i qenve endacakë. Sot, që ende nuk është mbushur një vit kalendarik nga nisja e punës në Klinikë, ne themi me krenari se e kemi tejkaluar objektivin e 2 mijë sterilizimeve në vit. Në fakt, nisja e këtij projekti u vlerësua edhe nga Organizata Botërore e Shëndetit të Kafshëve (O.I.E) e cila për këtë arsye zgjodhi në Qershor të vitit 2016, Tiranën si qytetin ku zhvilloi konferenca rajonale të radhës. Nga ana tjetër, kemi pasur opinione pro dhe kundër këtij projekti, por jemi të bindur se kjo është mënyra e duhur brenda normave europiane, për të zgjidhur problematiken e qenve endacake. Këtë mision ne nuk e kemi lënë thjesht me punën e veterinerëve, pasi një pjesë e mirë e stafit të institucionit është përfshirë me anën edukuese të fenomenit. Unë besoj se vetëm përmes orëve informuese tek brezi i ri, që ne po kryejmë në disa shkolla 9-vjeçare të Tiranës, do të mund të ndryshojmë mentalitetin dhe sjelljen që kemi ndaj kafshëve endacake.

Institucioni juaj është përballë qytetarit dhe ju ndesheni me një numër të madh ankesash, po nga ana tjetër keni shënuar rekord shpejtësie në shqyrtimin e ankesave dhe në zgjidhjen e problemeve. Cilat janë mekanizmat me të cilat AMK e realizon këtë?

Siç e thashë edhe në fillim, shifrat kanë folur për punën e AMK-së përgjatë një viti. Në këtë kuadër, 2016-ta, ka pasur një rritje prej 64 përqind të ankesave krahasur me një vit më parë. Thënë kjo, jo vetëm qytetarët kanë treguar më shumë besim tek ne, por edhe përgjegjësia jonë për të kthyer përgjigje brenda afateve ka qenë dhe mbetet më e madhe. Përveç rrugëve tradicionale të kryerjes së ankesave, siç është formulari pranë AMK-së, posta elektronike apo ankesat që kryen me telefon, ne kemi shtuar gjatë vitit 2016 rrugët e komunikimit. Një nga sukseset ka qenë dhe vijon të jetë aplikacioni “Tirana Ime”, por edhe komunikimi i shpejtë në faqen zyrtare të AMK-së në Facebook si dhe plotësimi i formularit të ankesës online në ëebsite-n tonë, www.mbrojtjakonsumatorit.al. Me pak fjalë, suksesi qëndron tek shmangia e burokracive, pasi qytetari do përgjigje sa më shpejt për atë që e shqetëson dhe ne sigurohemi të delegojmë ankesat edhe kur nuk jemi institucioni që ka për kompetencë zgjidhjen.

Transporti publik mbetet një shqetesim për qytetarët. Cilat janë masat që po merr AMK-ja  në përmirësimin e kushteve të transportit publik?

Specialistët e Agjencisë së Mbrojtjes së Konsumatorit kanë për detyrë funksionale kontrollin e 12 linjave të transportit publik në Tiranë bazuar në kontratat që operatorët kanë nëshkruruar me Bashkinë Tiranë. Pra, detyra jonë është që të gjobisim në momentin që konstatojmë se operatori nuk ka respektuar kushtet që nga frekuenca e deri tek mos dhënie e biletës. 1400 masa administrative janë marrë nga ne përgjatë vitit 2016, 4-fish më shumë se viti 2015. Kjo shifër besoj është tregues i vendosmërisë tonë për të mos toleruar asnjë shkelës. Nga ana tjetër, jemi të ndërgjegjshëm që transporti publik në Tiranë ka vend për përmirësim, ndaj presim nga dita në ditë që drejtoritë përkatëse brenda Bashkisë Tiranë të miratojnë liçensat e reja, në mënyrë që të nisë edhe kontrolli risi i linjave përmes sistemit të pikëzimit dhe monitorimit të frekuencës me GPS. Kjo mënyre e re besoj do ta ndryshojë ndjeshëm cilësinë e transportit publik.

Cilat janë prioritet e AMK-së në vitin që sapo ka nisur?

 Prioritet tona do të vijojnë të jenë arritja e standarteve në zgjidhjen e problematikave ndaj qytetarëve. Për këtë jam e sigurt, pasi në asnjë moment nuk do të doja që institucionit që unë drejtoj t’i ulej besueshmëria që ka krijuar tashmë ndaj kryqytetasve në harkun kohor të vetëm një viti. Por, nëse do të më duhet të thoja se cilat janë sfidat për vitin 2017-të, ju tregoj se ajo çka më mundon më shumë është “siguria ushqimore”. Patjetër që ne si pushtet vendor nuk kemi kompetencat që ka qeveria qendrore lidhur me këtë problematike, por nëse bashkëpunojmë ngushtë, siç u tregua edhe gjatë muajve të verës, ku veterinerët tanë ishin përkrah atyre të Drejtorive Rajonale të Bujqësisë dhe specialistëve të AKU-së në kontrollet e thertoreve, çdo gjë mund të arrihet. Pra, sigurimi i një mishi të çertifikuar në tryzën e konsumatorit, për mua është po aq i rëndësishëm sa është siguria kombëtare. Ndaj, sfida kryesore e AMK-së për vitin 2017 do të jetë pikërisht zgjidhja e kësaj problematike duke ndërtuar një sistem të ri kontrolli.

(Burimi:Integrimi.al/Xh.N)

Te shenuara si:

Ju kerkojme ndjese por nuk u gjeten postime te ngjashme.

al}lsiLOGO_LRI_lgi
Selia Qëndrore

Rruga Sami Frashëri
Godina 20/10
Tiranë, Shqipëri

Zyra e Kordinatorëve

Tel: +355 4 2270 412
Tel: +355 4 2270 413

Zyra e Sekretariatit

Tel: +355 4 2258 665

Zyra e Shtypit LSI

Tel: +355 4 225 758

info@lsi.al, www.lsi.al