Sejko – Cutillo: Rritje e mëtejshme e bashkëpunimit ekonomik

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, zhvilloi sot një takim zyrtar në ambientet e Bankës së Shqipërisë me ambasadorin e Republikës së Italisë në Tiranë, Alberto Cutillo.

Banka e Shqipërisë nëpërmjet një njoftimi për mediat bën të ditur se “gjatë këtij takimi mes guvernatorit Sejko dhe ambasadorit Cutillo, biseda u përqendrua në marrëdhëniet ekonomike mes dy vendeve, e në veçanti në sektorin bankar”.

Guvernatori Sejko bëri një ekspoze të zhvillimeve më të fundit financiare në vend, ku theksoi se “sistemi bankar shqiptar është likuid dhe i mirëkapitalizuar, si dhe e njohu ambasadorin Cutillo me planin e veprimit ndërinstitucional dhe masat e marra nga Banka e Shqipërisë për uljen e kredive me probleme dhe vlerësoi rëndësinë e përshpejtimit të procesit të ekzekutimit të kolateraleve, çka sipas tij, do të ndikonte pozitivisht në nxitjen e iniciativave për kreditimin e ekonomisë”.

Gjithashtu, guvernatori Sejko u ndal dhe në zhvillimet më të fundit në Eurozonë dhe në rajon dhe analizoi ndikimet që ato kanë në ekonominë shqiptare. Ai garantoi se pavarësisht këtyre zhvillimeve, Banka e Shqipërisë është e gatshme të japë të gjithë kontributin e nevojshëm për të mbështetur një rritje ekonomike të qëndrueshme. Në këtë kuadër, ai theksoi si mjaft të rëndësishëm vazhdimin e reformave strukturore, të cilat do të ndikonin në forcimin e qëndrueshmërisë ekonomike dhe financiare të vendit.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë shprehu mirënjohjen e tij ndaj Bankës së Italisë për ndihmën dhe asistencën teknike të dhënë në fusha të ndryshme të bankingut qendror.

Ndërsa ambasadori i Republikës së Italisë në Tiranë, Alberto Cutillo, shprehu vlerësimet e tij për kontributin e rëndësishëm që Banka e Shqipërisë jep në ruajtjen e stabilitetit makroekonomik të vendit, si dhe u shpreh se “të dhënat më të fundit tregojnë se ekonomia e Italisë ka filluar të paraqesë shenja përmirësimi”. Duke u ndalur më në veçanti në sektorin bankar, ai vuri në dukje se niveli i lartë i kredive me probleme, është një problematikë e cila po haset edhe në Itali dhe në këtë kuadër ai përgëzoi punën e bërë nga Banka e Shqipërisë për uljen e nivelit të kredive me probleme.

Burimi:(ATSH\E C)

al}lsiLOGO_LRI_lgi
Selia Qëndrore

Rruga Sami Frashëri
Godina 20/10
Tiranë, Shqipëri

Zyra e Kordinatorëve

Tel: +355 4 2270 412
Tel: +355 4 2270 413

Zyra e Sekretariatit

Tel: +355 4 2258 665

Zyra e Shtypit LSI

Tel: +355 4 225 758

info@lsi.al, www.lsi.al