Vëmendja për ju, paratë për Ne

Socialistët, ata të kamufluarit, pasi në të vërtetë i përkasin rracës së Rilindjes zbuluan dje në mënyrën më cinike të mundshme sloganin e ri drejtuar qytetarëve “Vëmendja për ju”. Ky zbulim i ri i atyre që marketojnë dhe sondojnë në PS dhe që ka marrë miratimin fillimisht të Fugës dhe të KM-së, është treguesi më i mirë se kjo qeveri dhe kjo mazhorancë përfundimisht është e shkëputur nga realiteti. Dhe sot për sot, për një qeveri të shkëputur nga realiteti, qytetarët shqiptarë vetëm për  vëmendjen e saj nuk kanë nevojë. Qytetarët shqiptarë kanë nevojë për siguri, për çlirimin e vendit nga bandat dhe krimi, mazhoranca rilindase jo vetëm nuk ja u ofron, por as nuk po reagon për shpërthimin alarmant të kriminalitetit. Qytetarët shqiptarë kanë nevojë për mirëqënie ekonomike, mazhoranca rilindase  jo vetëm nuk ja u ofron, por të ardhurat nga taksat e qytetarëve i përvetëson me oligarkët. Qytetarët shqiptarë, e veçanërisht të rinjtë kanë nevojë sot për shpresë për të ardhmen, qeveria jo vetëm nuk ja u ofron, por as nuk merr guximin të artikulojë tema të tilla. Ndërsa çdo ditë mediat raportojnë për vrasje dhe rrëmbime, për mbyllje shkollash, për eksode masive të rinjsh drejt emigrimit, për mijëra rastesh të pashpresa familjesh të zhytura në varfëri dhe mjerim, po aq përditshëm, në ato media ende të pakapura nga pushteti, raportohen edhe me qindëra raste të abuzimit, spekullimit, korrupsionit dhe klientelizmit me shifra miliona euro që qeveria dhe ministrat i përdorin për të mbushur xhepat e tyre dhe kompanive të tyre klienteliste. E dehur nga deliri i pushtetit, obeze dhe e dhjamur deri në neveri nga korrupsioni, mazhoranca doli sot me sloganin e ri Vëmendja për Ju. Një slogan që të fyen inteligjencën. Të paktën për çdo kënd që ka fatin, aftësinë dhe zgjuarsinë t’i shpëtojë lavazhit të trurit dhe bombardimit mediatik të mediave qeveritar. Për të gjithë këta pra, është e qartë se në të vërtet mesazhi që qeveria sot u përcolli shqiptarëve ishte: Vëmendja për ju, por paratë janë për ne!