Shezai Rrokaj: “Mazhoranca goditi de jure në themel shtyllat e demokracisë”

Deputeti i LSI, Shezai Rrokaj ka reaguar gjithashtu me anë të një postimi në rrjetin social Facebook në lidhje me votimin e djeshëm në seancën parlamentare nga mazhoranca.

Ai është shprehur se dje mazhoranca legalizoi krimin shtetëror nëpërmjet implikimit të Policisë së Shtetit për marrjen nën kontroll të kanabizimit të vendit.

Më poshtë statusi i plotë:

Parlamenti shqiptar e uli dje flamurin në gjysmë-shtizë, pasi mazhoranca goditi de jure në themel shtyllat e demokracisë. Nuk është fjala thjesht dhe vetëm për një ministër të rëndësishëm të implikuar me familjarët e vet në kartelin e drogës. Dje mazhoranca legalizoi krimin shtetëror nëpërmjet implikimit të Policisë së Shtetit për marrjen nën kontroll të kanabizimit të vendit. Të ardhurat nga kjo Affaire d’Etat janë miliardëshe sipas organizmave ndërkombëtarë. Përqendrimi i parasë së narkotrafikut është bërë në pak duar dhe me implikim te drejtpërdrejtë apo të tërthortë të shumë shefave të komisariateve, emrat e të cilëve kanë mbushur faqet e dosjeve të shërbimeve partnere. Po për inkriminimin e strukturave te Policisë së Shtetit nuk mban përgjegjësi ky ministër? Po Kryeministri? Po mazhoranca që e ngriti pushtetin mbi votat e blera? Nuk mbajnë përgjegjësi para shqiptarëve? Po për mijëra fshatarë që shitën bagëti e katandi, që morën dhe kredi për të blerë farat e hashashit, që u shitej nga vetë e bosët e krimit, të cilët hanin dhe pinin me shefat e komisariateve? A mban përgjegjësi për këta ky kryeministër dhe kjo mazhorancë?! Pra, nuk është thjesht çështje e një njeriu, qoftë ky dhe një ish-ministër i rëndësishëm. Është shumë më shumë se kaq: Shteti u deformua në themelin e vet. Dhe ajo e djeshmja ishte një ditë zie për demokracinë dhe drejtësinë, sepse mazhoranca njohu dhe legalizoi në sytë e shqiptarëve një shtet të kapur dhe të drejtuar prej narkotrafikut.

Burimi:(integrimi.al/E.P)

al}lsiLOGO_LRI_lgi
Selia Qëndrore

Rruga Sami Frashëri
Godina 20/10
Tiranë, Shqipëri

Zyra e Kordinatorëve

Tel: +355 4 2270 412
Tel: +355 4 2270 413

Zyra e Sekretariatit

Tel: +355 4 2258 665

Zyra e Shtypit LSI

Tel: +355 4 225 758

info@lsi.al, www.lsi.al