Shezai Rrokaj: Rama ndien mosçeljen e negociatave, përgatit alibinë e radhës

Deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Shezai Rrokaj me anë të një postimi ka reaguar në lidhje me çështjen e çeljes së negociatave të Shqipërisë me BE-në, duke thënë se kryeministri po mundohet të gjejë një justifikim në rast të një përgjigje negative.

Rrokaj ka shkruar se episode e Ramës ditën e djeshme gjatë Asamblesë së PS, ku fajësonte ministrat që nuk kanë përmbushur detyrat siç duhet, ishin shumë të shtirura në një mënyrë të tillë që të gëzonte aspirantët për ministra.

REAGIMI I PLOTË:

Rama ndien mosçeljen e negociatave, përgatit alibinë e radhës. Fajin e kanë opozita dhe disa ministra që nuk kanë performancë të lartë.

Midis episodeve, ku ministrat jepnin llogari para Asamblesë, ndonjë shpotie për detyrat e sekretariatit si dhe rimarrjes së tezës për bashkëqeverisje me qytetarët, duke u premtuar këtyre të fundit se rasti i protestës së Kukësit ishte një ‘mea culpa’ për arrogancën qeverisëse dhe se këtej e tutje asgjë nuk do të vendosej pa u konsultuar më parë më qytetarët, u dha edhe një kumt që drithëroi ministrat e gëzoi aspirantët për ministra e në vijimësi gjithë zinxhirin që vjen pas emrit të tyre.
Pas vlerësimit të performancës së ministrave në shtator mund të ketë ndryshime qeverie – tha kryeministri. Kjo ishte si një rrufe në qiell të kaltër, po të kemi parasysh faktin se në këtë analizë të gjerë dhe publike nuk pati asnjë ministër të shënjestruar. Edhe në takime të mëparshme me grupin e deputetëve nuk është vënë re që të ketë kritika për ndonjë ministër. Si gjithmonë vazhdon makiazhi i paradës së sukseseve të arritura, duke i përmendur si reforma edhe në raste që nuk kanë lidhje me konceptin reformë.

Meqenëse kritika ndaj ministrave të veçantë nuk kishte, çfarë të ishte ky kumt befasues, për sallën dhe publikun? Skenari është i qartë. Nëse çelen negociatat (duke uruar me shpirt që kjo të ndodhë për shqiptarët) Rama do t’i quajë si fitore të tij dhe do vijojë rrugën e nisur për të goditur opozitën. Por ai i druhet edhe faktit tjetër, që negociatat të mos çelen.

Në mandatin e parë dhe gjatë gjithë kësaj periudhe qeverisjeje çdo keqqeverisje ai ia ka faturuar LSI-së. Mirëpo këtë alibi, të përdorur në publik dhe para ndërkombëtarëve, nuk e kapërdin më kush. Atëherë, dy arsyet për mosçeljen e tyre do të jenë: Opozita që, sipas tij, ka hedhur “helm” në tryeza me ndërkombëtarët dhe sigurisht, mungesa e performancës së ndonjë ministri, që bën të domosdoshëm ndryshimin në Qeveri. Me kaq ai mendon ta kalojë lumin.

Por as asamblea, as qytetarët dhe as ndërkombëtarët nuk panë në këtë takim të bëhej një analizë përse u përfshi shteti në kanabizimin e vendit dhe përse Shqipëria konsiderohet si një korridor për drogat e forta? Përse i ashtuquajturi ‘vetting’ po devijohet dhe pse drejtësia po jep shenja të dukshme për goditje politike selektive drejt opozitës dhe se “peshqit e mëdhenj’ po bëhen pjesë e përrallës “na ishte seç na ishte”? Përse reforma në administratë vazhdon të diktohet politikisht nga mazhoranca? Përse po rriten taksat dhe po rritet hendeku midis të pasurve dhe të varfërve? Përse koncesionet dhe i ashtuquajturi Partneritet Publik Privat, po e deformojnë tregun dhe vetë zhvillimin?

Nuk shqetësohet kjo mazhorancë dhe të merret seriozisht me analizën se përse qytetarët po e braktisin vendin që nga rinia, e cila ndihet e pashpresë e deri te moshat më aktive për punë, 40-45 vjeç, që po i shkon perëndimit si fuqi punëtore e gatshme, duke e plakur popullsinë në vend?

Kryeministri po e përgatit asin nën mëngë. Ai po përgatitet të japë një përgjigje. Por ka dhe një tjetër përgjigje: alibitë nuk i beson më kush! Është e qartë se problemet nuk mund të zgjidhen prej po të njëjtëve njerëz që i krijojnë, dhe ca më keq, të zgjidhjen nga njejta mendësi që i ka krijuar

Burimi: (integrimi.al/T.I)

al}lsiLOGO_LRI_lgi
Selia Qëndrore

Rruga Sami Frashëri
Godina 20/10
Tiranë, Shqipëri

Zyra e Kordinatorëve

Tel: +355 4 2270 412
Tel: +355 4 2270 413

Zyra e Sekretariatit

Tel: +355 4 2258 665

Zyra e Shtypit LSI

Tel: +355 4 225 758

info@lsi.al, www.lsi.al