Shezai Rrokaj Rekomandimi për çeljen e negociatave është lajm i gëzueshëm për shqiptarët, por edhe përgjegjësi e madhe për ta

Deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Shezai Rrokaj me anë të një postimi ka reaguar në lidhje me rekomandimin e hapjes së negociatave të Shqipërisë në BE, ndërsa ka treguar se është mjaft i lumtur për këtë fakt.

Rrokaj ka shkruar se ky lajm është fryt i dëshirës dhe përpjekjes së shqiptarëve, të cilët zgjodhën rrugën e integrimit në vitet ’90, ndërsa ka rreshtuar një sërë mangësirash të cilat duhen luftuar sa më shpejt në vend.

REAGIMI I PLOTË:

Rekomandimi për çeljen e negociatave është lajm i gëzueshëm për shqiptarët, por edhe përgjegjësi e madhe për ta

Rekomandimi për çeljen e negociatave është lajm i gëzueshëm për shqiptarët, por edhe përgjegjësi e madhe për detyrimet që rrjedhin për plotësimin e kushteve për aderim në BE.
Ky lajm është në radhë të parë fryt i vetë dëshirës dhe përpjekjeve të shqiptarëve të cilët, në vitet ’90, zgjodhën rrugën e integrimit, duke iu larguar përfundimisht izolimit të regjimit komunist, me vizionin për ta bërë Shqipërinë si gjithë Evropa. Është fryt i përvojës së tyre dhe i emancipimit të mëtejshëm evropian në emigracion, në shkëmbimet dhe projektet e realizuara në harkun kohor të gati 30 viteve pluralizëm, ku mbi të gjitha doli në pah prirja e tyre pro integrimit evropian.

Është pa dyshim edhe një fitore e gjithë klasës politike e cila, megjithë zig-zaget dhe mungesën e kulturës pluraliste, me vështirësi ka bërë përpjekje serioze për të institucionalizuar këtë dëshirë të shqiptarëve.
Ndaj është moment për t’u gëzuar, pa dallim, lsi-stë, demokratë e socialistë, për këtë arritje të rëndësishme.

Është krejt e panevojshme, në këtë ditë gëzimi që të kapitalizohet fitorja, duke u shprehur se një parti ka më shumë meritë se tjetra. Për më tepër, nuk ka nevojë për eufori dhe nuk duhet menduar se hapja pa kushte e negociatave dhe vlerësimi i hapave të hedhura tregon se çdo gjë është përmbyllur, se kushtet e vëna janë plotësuar.

Për mazhorancën dhe për opozitën e sotme çelja e negociatave është vetëm një konfirmim i rekomandimit të Nëntorit të vitit 2016, kur ishte në qeverisje me LSI-në.

Raporti shpreh qartazi nevojën e thellimit dhe ruajtjen e ritmit të reformave për të arritur rezultate te prekshme nga vetingu. Zbatimi i njëanshëm i vetingut dhe prirjet për të kapur Prokurorinë dhe mandej Gjykatën, nëse nuk ndalen, janë pa dyshim kurthi që po i ngrihet integrimit të Shqipërisë në Union. Kjo do të jetë edhe kali i betejes së opozitës së sotme.

Nga ana tjetër, sistemi i drejtësisë është shumë i dobët dhe drejtësia vazhdon të blihet ose me para ose me pushtet. Vetingu nuk duhet të kthehet në një gjueti shtrigash për të nxjerrë nga sistemi disa gjyqtarë e prokurorë. BE-ja pret rezultate prej Shqipërisë, jo eliminim kokash, siç po mëtohet të serviret dorëheqja e disa gjyqtarëve dhe prokurorëve. Ajo që nevojitet është garantimi i një zinxhiri të procedurave gjyqësore në fund të të cilit jepet drejtësia njëlloj, si për opozitarin dhe për qeveritarin, si për të varfrin dhe për të pasurin. Për opozitën është themelore të kërkojë që të ndëshkohen krerët e lartë të qeverisjes të implikuar në aferat e drogës dhe krimit të organizuar për ta çliruar shtetin prej kapjes.
Lufta kundër korrupsionit vazhdon të jetë në nivele të dobëta për shkak të flirtimit të shtetit me organizatat kriminale. Nuk ka asnjë ndëshkim të peshqve të mëdhenj, madje në mjaft raste mazhoranca u ka dalë në mbrojtje dhe është bërë pengesë për të bërë drejtësi.
Edhe në luftë kundër krimit të kërkohen rezultate konkrete lidhur me konfiskimin e aseteve të grupeve kriminale si dhe pastrimin e parave. Shumë grupe kriminale vazhdojnë të funksionojnë dhe policia duhet të çmontojë aktivitetin dhe lidhjet e tyre me qeverinë.
Një çështje tjetër është ajo e reformës në administratën publike, ku në raport thuhet se deri në këto momente ka një përgatitje të moderuar. Sidoqoftë mazhoranca ka për detyrë zbatimin e ligjit të nënpunësit civil dhe sfida më e madhe për të mbetët heqja dorë prej traditës më të keqe të gjithë këtyre viteve, ku administrata është mbushur me militantë të partive në pushtet. Kjo që po ndodh në administratë sot, është largimi me të ashtuquajturat strukturime të punonjësve me bindje të kundërta politike dhe përfshirja e militantëve në administratë.
Një tjetër rekomandim është ai për të drejtat e njeriut. Dhe këtu përfshihet liria e fjalës dhe kontrolli që ka qeveria mbi mediat dhe transmetimet mediatike me regji të kontrolluar. Përfshihen, gjithashtu, të drejtat e pakicave, e drejta e pronës dhe balancat gjinore që janë tepër të dobëta. Por shqetësuese po bëhet e drejta për të protestuar, siç ishte edhe rasti i protestës së Rrugës së Kombit, mbi të cilën u vërsul gjithë shteti dhe ku drejtësia shënoi një regres të madh për një gjykim ta paanshëm.
Një problem tjetër është zhvillimi i qëndrueshëm që t’u japë akses investimeve të huaja dhe ta nxisë biznesin, të rriitet punësimi si dhe të ulet varfëria. Mirëpo, po të shohim tri PPP-të (partneritet publik privat) me tri TTT (taksë, tarifë, tvsh) kuptohet qartë se si i ashtuquajturi Partneritet Publik Privat me oligarkët po krijon një skemë të mbyllur me të quajturat taksa, tarifa e tvsh, që po ua kërrusin shpinën e qytetarëve. Tvsh-ja mbi biznesin e vogël, që u kufizua nga 5 milionë në 2 milionë po sjell mbylljen e tyre me mbi 3600 nga 2500, vitin që shkoi, ose me një rritje gati 50%.
Qytetarët kanë mbetur pa drejtim dhe pa shpresë. Po ikin prej varfërisë dhe mungesës së shpresës. Sipas Bankës Botërore 25% e shqiptarëve jetojnë me më pak se 2$ në ditë dhe 45% e tyre me më pak se 5$ në ditë. Pabarazia sociale është rritur me 7,7%, ku 10% e familjeve të pasura kanë rritje në konsum me 14 herë më shumë se 90% e familjeve të varfra. Kjo përkthehet se taksat dhe tarifat e larta nuk po shkojnë për mirëqenien e qytetarëve, por për të mbushur xhepat e oligarkëve. Mungesa e politikave të përgjegjshme për qytetarët po shoqërohet me një ‘genocid’ të butë: hemorragjinë kombëtare nëpërmjet një eksterminimi ekonomik të rrezikshëm të popullit prej truallit të vet.
Dialogu politik, si një rekomandim tjetër është në regres. Kjo mazhorancë dhe kjo Qeveri po merren vetëm me opozitën, i kanë harruar qytetarët, të cilët po braktisin vendin, sepse janë pa drejtim, sepse po mbyten në taksa, tarifa e tvsh. Qeveria është verbuar prej etheve të pushtetit dhe është e vendosur ta mbajë atë vetëm duke shkatërruar opozitën dhe duke i larguar qytetarët.
Pra, ky lajm i gëzuar është një sukses i shqiptarëve, pa dallim dhe i gjithë politikës. Por si mazhoranca dhe opozita kanë sfidat e tyre. Mazhorancën të mos e gënjejë mendja se mund t’ua “hedhë” ndërkombëtarëve me të ashtuquajturat reforma e ca më pak shqiptarëve që i shohin për ditë sy për diell. Për opozitën është detyrë t’u tregojë shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve, ku po gabon mazhoranca dhe cila është zgjidhja më e mirë dhe më e shpejtë për t’u aderuar në union, duke u distancuar nga keqqeverisja e dikurshme si dhe duke ofruar një ekip të ri që nuk ka lidhje me keqqeverisjen e saj.

Burimi: (integrimi.al/T.I)

al}lsiLOGO_LRI_lgi
Selia Qëndrore

Rruga Sami Frashëri
Godina 20/10
Tiranë, Shqipëri

Zyra e Kordinatorëve

Tel: +355 4 2270 412
Tel: +355 4 2270 413

Zyra e Sekretariatit

Tel: +355 4 2258 665

Zyra e Shtypit LSI

Tel: +355 4 225 758

info@lsi.al, www.lsi.al