Shezai Rrokaj: Sa më shumë po rriten tonet e drogës aq më shumë peshqit e mëdhenj po bëhen cironka

Fjala e plotë në Kuvend e deputetit të LSI, Shezai Rrokaj

I nderuar zoti Kryetar,

Se sa e rëndësishme për demokracinë në Shqipëri dhe çeljen e negociatave është ngritja e një Komisioni hetimor për të mbledhur informacione lidhur me zbatimin e legjislacionit në fuqi gjatë veprimeve administrative të organeve të pushtetit legjislativ apo ekzekutiv për çështjen Tahiri në cilësinë e të implikuarit në një grup të strukturuar kriminal, por edhe si përgjegjës për implikimin e strukturave të larta të Policisë së shtetit, mjafton të përmendim disa fakte si:

BE-ja është shprehur se 20% e votave u blenë me kanabis; Raporti i Europol-it e etiketon Shqipërinë si furnizuesi kryesor i BE-së me kanabis; Sipas raportit CIA-as, por edhe të Qendrës Evropiane dhe Droga, Shqipëria konsiderohet si një nga dy korridoret evropiane për trafikimin e narkotikëve me një shifër të frikshme prej 9 miliard euro prej vitit 2013. Partnerët ndërkombëtarë kanë ngritur dhe vazhdojnë të ngrejnë shqetësimin se sasi të paprecedentë të kanabisit dhe të drogave të forta po deportojnë në territorin e Shqipërisë dhe se Qeveria u detyrua më në fund jo vetëm të pranojë ekzistencën e fenomenit, por edhe të përfshirjes së krerëve të lartë policisë në këtë narkogate.

E megjithatë, i ashtuquajturi aksion kombëtar antigrogë, nuk po i ul tonët e drogës brënda dhe matanë kufijsh dhe, se e ashtuquajtura betejë anitidrogë, po kthehet në një konkurencë midis mallit vendas dhe atij të huaj. Lufta kundër drogës do të ketë rezultat ateherë kur do të kyçen krerët e bandave kriminale e bashkë me ta edhe krerët e policisë dhe të politikës që u japin mbështetje e siguri duke ndarë fitimet me ta. Sot është krijuar bindja publike dhe ndërkombëtare se një sipërmarrje kaq e përhapur, brenda e jashtë vendit, me vlera marramendëse saqë tronditin buxhetin e shtetit, nuk mund të realizohet pa përfshirjen e politikës qeverisëse.

Vetëm këto ditë u kapën mbi 600 kg kokainë, e cila do të përpunohej dhe do të trefishohej në treg; Shqiparia u vesh në të bardhë: ca nga bora dhe ca nga droga. Pak ditë më parë në Itali u kapën 5 tonë kanabis, e plot histori të tilla, që po mbushin përditë kronikat e lajmeve.

Por deri tani peshqit e mëdhenj janë vetëm cironka dhe miliardët e drogës po riciklohen në veprimtari publike me mbrojtje politike.

Tanimë ky është një realitet, është një sprovë për demokracinë, dhe që duhet të na bashkojë majtas dhe djathtas për të goditur segmentet që e ushqejnë, duke krijuar demokraci të deligjitimuara dhe të deformuara në shtyllat themelore të funksionit të tyre.

Përhapja kanceroze e këtij fenomeni, duke u kthyer në një produkt bazë të ekonomisë dhe implikimi i Policisë së Shtetit prej kreut të saj e deri në struktura komisariatesh është ngjarja më kriminale që i ka ndodhur vendit në këto 27 vite demokraci. Nëse nuk përballemi me këtë të keqe kapja e Shtetit në shtyllat kryesore të funksionimit të tij, si: legjislativi, ekzekutivi, gjyqësori po shënon preludin e pandëshkueshmërisë dhe marrjen në mbrojtje shtetërore të drejtuesve dhe të grupeve të strukturuara kriminale.

Në muajin tetor 2017, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda i kërkoi Kuvendit, dhënien e autorizimit për heqjen e lirisë të deputetit të Kuvendit të Shqipërisë z. Saimir Tahiri për kryerjen e dy veprave penale si: trafikimi i narkotikëve, të kryer në bashkëpunim në formën e posaҁme të grupit të strukturuar kriminal dhe korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë.

Sipas prokurorisë vllezërit Habilaj dhe bashkëpunëtorët e tyre kanë patur lidhje të ngushta me deputetin Saimir Tahiri dhe, duke përfituar nga këto lidhje të ngushta dhe përmes shpërblimeve, ata kanë arritur të bëjnë të mundur krijimin e kushteve për kultivimin në sasi të konsiderueshme të lëndës narkotike në Shqipëri, transportimin e tyre në mënyrë të organizuar me destinacion jashtë shtetit, me mjete të ndryshme, nder te tjera edhe makina Audi e z. Tahiri.

Përveç Prokurorisë së Katanias, informacione mbi aktivitetin kriminal të familjes Habilaj dhe klanit të tyre kanë ardhur edhe nga SHISH-i.

Gjithashtu një informacion i plotë u dha edhe nga një ish drejtues i Policisë së Shtetit Dritan Zagani, i cili dërgoi informacion mbi aktivitetin kriminal të Habilajve, por në vend që të dëgjohej dhe mbështetej nga Ministri i Brendshëm, u largua nga puna.

Kjo veprimtari kriminale e trafikimit të lëndëve narkotike u bë me mbështje dhe duke krijuar lehtësira deri tek fikja e radarëve të monitorimit të hapësirës detare.

Po çfarë ndodhi më pas?  Mazhoranca parlamentare, si në komision edhe në seancë vendosi mosmiratimin për dhënien e autorizimit për “Arrestimin ose heqjen e lirisë, si dhe për të ushtruar kontroll personal dhe të banesave të deputetit Saimir Tahiri”, duke shënuar një akt të paprecedentë në praktikën parlamentare shqiptare.

Në ditët në vijim do të ndodhnin, rast pas rasti, disa shkelje flagrante të Kushtetutës dhe të ligjeve në fuqi.

E tillë ishte emërimi, vetëm me 69 vota, pa ligj, dhe në kundërshtim flagrant me Kushtetutën, të Prokurorit të Përgjithshëm me mandat të përkohshëm. Ish Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri iu hoq masa shtrënguese e ndalimit të daljes jashtë shtetit; u lirua Orest Sota, i dyshuari për pastrim të parave të paligjshme të z. Tahiri, ku gjendeshin edhe dy patenta lundrimi të ish Ministrit Saimir Tahiri; u lejua ekstradimi në Itali i shtetasit Nezar Seiti, si personi i vetëm i arrestuar dhe nën procedim penal në kundërshtim me nenin 8-të Konventës Europiane për Ekstradimin, dhe nenin 491 të Kodit të Procedurës Penale, ku specifikohet se për këto raste nuk jepet ekstradimi.

Të gjitha faktet e mësipërme, flasim për një veprimtari të koordinuar të autoriteteve publike për të mos lejuar hetimin plotë dhe gjithëpëfshirës të kësaj çështjeje. Shteti është kapur prej vetes dhe po investohet në vetmbrojtje. Krimi i organizuar vazhdon ta kërcënojë ekzekutivin dhe po kërkon të bëhet palë me të. Mazhoranca është vënë nën trysninë e tij.

Prandaj është e domosdoshme që të realizohet nga Kuvendi i Shqipërisë një hetim i plotë administrativ, në mbrojtje të interesit publik, në mbështetje të neneve 7, 77 dhe 78 të Kushtetutës, të neneve 5, 6, 8 e 9 të ligjit nr. 8891, datë 2.5.2002 “Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit”, si dhe të nenit 25 të Rregullores së Kuvendit, me propozimin e një të katërtës së deputetëve.

Qëllimi i Komisionit Hetimor është të mbledhë informacione të hollësishme mbi zbatimin e legjislacionit në fuqi gjatë veprimeve administrative të organeve të pushtetit legjislativ apo ekzekutiv, ndërhyrjeve të këtyre pushteteve në ushtrimin e ndjekjes penale në mënyrë të pavarur nga organi i prokurorisë, si dhe efektet që kanë ardhur nga kjo ndërhyrje e paligjshme, në rastin e hetimit penal ndaj ish Ministrit të Brendshëm z. Saimir Tahiri.

Nga ana tjetër, kërkohet të mblidhen informacione mbi veprimet apo mosveprimet e organeve shtetërore ndaj fenomenit kriminal, për të cilin po procedohet ish Ministri i Brendshëm, si dhe ushtrimin e përgjegjësive shtetërore nga ana e tyre.

Në rastin konkret, puna e Komisionit Hetimor nuk do të konsistojë në nxjerrjen e përgjegjësisë penale për personat e përfshirë në këtë fenomen negativ, pasi kjo është detyrë funksionale e organeve të drejtësisë. Komisioni Hetimor do të përqëndrojë punën e tij në njohjen dhe verifikimin në thellësi të ligjshmërisë së veprimeve administrative të organeve të pushtetit legjislativ apo ekzekutiv, ndërhyrjeve të këtyre pushteteve në ushtrimin e ndjekjes penale, në mënyrë të pavarur nga organi i prokurorisë, si dhe efektet që kanë ardhur nga kjo ndërhyrje e paligjshme, në rastin e hetimit penal ndaj ish Ministrit të Brendshëm z. Saimir Tahiri.

E gjithë kjo nismë e opozitës është në funksion të mbrojtjes së Kushtetutës për kthimin e legjitimitetit institucioneve dhe të parimeve të demokracisë funksionale e të interesit publik si dhe për rëndësinë e jashtëzakonshme që ka kjo çështje edhe për proceset integruese të vendit.

Burimi: (integrimi.al/T.I)

al}lsiLOGO_LRI_lgi
Selia Qëndrore

Rruga Sami Frashëri
Godina 20/10
Tiranë, Shqipëri

Zyra e Kordinatorëve

Tel: +355 4 2270 412
Tel: +355 4 2270 413

Zyra e Sekretariatit

Tel: +355 4 2258 665

Zyra e Shtypit LSI

Tel: +355 4 225 758

info@lsi.al, www.lsi.al