Shezai Rrokaj: Taksa e TVSH-së falimenton biznesin e vogël. LSI ka qenë totalisht kundër

Fjala në Kuvend e deputetit të LSI-së, Shezai Rrokaj

Ratifikimi i kësaj Marrëveshjeje nga Kuvendi i Shqipërisë është në zbatim të detyrimit të përcaktuar në Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit për mbrojtjen shoqërore, mbrojtjen e emigrantëve, për koordinimin e skemave të mbrojtjes shoqërore për personat e punësuar, personat e vetëpunësuar dhe për anëtarët e familjeve të tyre, të cilët lëvizin brenda komunitetit dhe që janë përcaktuar në rregulloren e Këshillit nr.1408/71 dhe Rregulloren nr.883/2004, të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit Evropian në përputhje me parimet e acquis communitaires.

Marrëveshja e mbrojtjes shoqërore, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Austrisë, konsiston në ofrimin e përfitimeve në sigurimet shoqërore dhe bazohet në parimin e trajtimit të barabartë të punëtorëve në punësim, trajtimin me përfitime dhe të ardhura.

Objekt i kësaj marrëveshjeje janë përfitimet nga skema shqiptare e detyrueshme e sigurimeve shoqërore të cilat përfshijnë, konkretisht, sigurimin shoqëror të detyrueshëm për pensionet, aksidentet në punë, sëmundjet profesionale, barrëlindjet dhe sëmundjet, ndërsa në lidhje me Republikën e Austrisë përfitimet për sigurimin shëndetësor përfshijnë sigurimin ndaj aksidenteve dhe sigurimin e pensioneve, me përjashtim të sigurimeve të veçanta për noterët.

Pjesa e parë Marrëveshja përmban dispozitat e përgjithshme, ku përcaktohen përkufizimet për termat, dispozitat ligjore, autoritetet dhe institucionet kompetente të të dyja vendeve.

Pjesa e dytë përmban dispozita lidhur me rregullimet e përgjithshme për personat e punësuar apo të vetëpunësuar, për personat që bëjnë pjesë në personelin fluturues, pjesëtarët e ekuipazheve udhëtuese, për personelin diplomatik e konsullor, personat e dërguar nga punëdhënësi për të punuar për llogari të tij në vendin tjetër, si dhe përjashtimet nga rregullimet e përgjithshme të kësaj marrëveshjeje.

Në pjesën e tretë përfshihen dispozita në lidhje me përfitimet në para për sëmundje dhe barrëlindje, përfitimet në para për aksidentet në punë, sëmundjet profesionale dhe për përkeqësimin e sëmundjeve profesionale etj.

Pjesa e katërt përfshin dispozita të ndryshme lidhur zbatimin e Marrëveshjes, ndihmën e ndërsjellë administrative e juridike, zyrat ndërlidhëse, mbrojtjen e të dhënave personale etj.

Pjesa e pestë përmban dispozitat për rregullimet kalimtare për rastet e zbatimit të kësaj marrëveshjeje dhe rregullimet përfundimtare për hyrjen në fuqi të saj.

Natyrisht unë e mbështes këtë Marrëveshje si shumë të tjera të tilla që vijnë për ratifikim në Kuvend dhe që kanë si synim përafrimin e Shqipërisë me BE-në, duke njësuar legjislacionin me acquis communitaires si dhe duke përafruar standardet me vendet e unionit.

Por nuk mund të rri në këtë rast pa theksuar disa çështje qe lidhen me standarde, të cilat kushtëzojnë përafrimin dhe çeljen e negociatave, ndonëse si opozitë jemi shprehur pro çeljes së tyre, të bindur se ky hap u shërben pa dallim shqiptarëve, madje kemi kërkuar që ato të çelen pa kushte sepse, siç do të paraqes disa problematika më poshtë, ne jemi të bindur se jemi shumë larg kushteve e vëna nga BE-ja si adresimi frontal e pa dallim i korrupsionit dhe krimit të organizuar, lufta kundër drogës, zbatimi i reformës në drejtësi, reformat zhvillimore të qëndrueshme me impakt punësimin, uljen e varfërisë, dialogu politik me opozitën, të drejtat e njeriut etj.

Si shumë prej jush, në të dyja anët sallës, nuk do të doja kurrë ta nxija imazhin e vendit tim, qoftë edhe për faktin e të qenit krenar që jam shqiptar. Por nuk do të kërkoja kurrë që BE-ja të vërë dorën në zemër për ne, pikërisht falë këtij dinjiteti. Nga ana tjetër, sjellja qeveritare në sy të Evropës, me akrobaci pehlivani, se i paskemi plotësuar kushtet për çeljen e negociatave, bile edhe me një lloj vaniteti butaforik, duke u krahasuar me Serbinë, Malin e Zi, por edhe me Maqedoninë, kur lipset të ulim kokën për të bërë realisht detyrat e shtëpisë, jo sa për sy të Evropës, por për mirëqenien e shqiptarëve, tregon se integrimi evropian është ende pjesë e fasadës dhe e makijazhit të ekranit. Mosçelja e negociatave do të më dëshpëronte shumë, sepse luftën politike unë nuk e këmbej me aspiratën e shqiptarëve. Nuk do të gëzohesha, siç ndodh rëndom tek ne kur dështimet e kundërshtarit shoqërohen me rritje adrenaline në kahjen tjetër. Sepse çdo dështim që dëmton Shqipërinë është dështim jo vetëm i mazhorancës, por edhe i opozitës. Ndaj, të nderuar deputetë, në prag të negociatave ta shohim sy më sy njëri-tjetrin dhe me përgjegjësinë që na kanë ngarkuar votuesit të adresojmë disa problematika që janë jetike për shqiptarët dhe integrimin e vendit në BE.

Organizmat ndërkombëtarë dhe opozita i ka ngritur këto problematika shqetësuese për vendin, të cilat duhen dëgjuar dhe u duhet dhënë zgjidhje.

Po u referohem disa prej tyre:

Së pari: rritja e taksave si: taksa e pronës, e cila duke filluar nga data prill, do të përllogaritet mbi bazën e vlerës së tregut dhe jo mbi sipërfaqe, siç ka qenë deri më tani.

Së dyti, TVSH-ja që po falimenton biznesin e vogël, ku sipas paketës fiskale të këtij viti, të gjitha bizneset me xhiro vjetore mbi 2 mln lekë do të lëshojnë faturën e TVSH-së.

Kjo ka bërë që sipas të dhënave të Qendrës Kombëtare të Biznesit, numri i çregjistrimit është rritur ndjeshëm këto muaj.

Qëndrimi ynë për TVSH-në për biznesin e vogël ka qenë kategorikisht kundër. Kemi propozuar edhe amendamente për këtë, por që u rrëzuan me arrogancë nga maxhoranca dhe fatura e kësaj arrogance ka qenë mbyllja e mijëra bizneseve. Kemi propozuar edhe heqjen e taksës për shtëpinë e parë dhe uljen me katër herë të TVSH-së për artikujt e shportës.

Se treti, çmimet e kripura të karburantit dhe reduktimi i skemave të subvencionimit të tij në sektorë jetikë publikë (bujqësi, transport publik, peshkim); tarifa e rrugës së Kombit, ku sipas konsulentit u propozua një tarifë katër herë më e ulët për kalimin në rrugë.

Sipas raportit, çmimi maksimal i përballueshëm nga familjet shqiptare është 3.5 euro për 100 kilometër. Por ky është tavani më i lartë i mundshëm. Ndërsa tarifa optimal e rekomanduar nga konsulenti është 1 deri në 2.5 euro për 100 kilometra.

Së katërti, sipas Bankës Botërore në Shqipëri ka patur rënie të pagave. Është e vërtetë se dy vitet e fundit Ekonomia e Shqipërisë është rritur me ritme me të shpejta se Rajoni, por kjo nuk është përkthyer në një jetesë më të mirë për shqiptarët. Banka Botërore vëren se nivelet e pagave ndryshojnë në vendet e Ballkanit Perëndimor. Mali i Zi dhe Bosnja raportuan nivelet më të larta të pagave, ndërsa Shqipëria më të ultat.

Gjendja e ekonomisë është e rëndë. Klima që mbizotëron është dekurajimi dhe pesimizmi i thellë. Taksat që ndryshojnë e rriten pambarimisht janë frenuese të nismës ekonomike private.

Kriminalizimi i ekonomisë, ku eurot e drogës dhe krimit kanë tronditur edhe kursin e euros janë një provë ulëritëse në sytë e të gjithëve.

Së pesti, rritja e varfërisë ku po sipas BB rreth 25% e popullsisë jetojnë më më pak se 2 $ në ditë dhe 45.5% e shqiptarëve jetojnë me më pak se 5 dollarë në ditë, ndërkohë që vendet e tjera të rajonit si: Maqedonia (30.7%), Serbia (13.6%) dhe Mali i Zi (12.8%), janë pra në nivele shumë herë më të ulta të varfërisë, karahasuar me vendin tonë.

Eurostat-i e rendit Shqipërinë si vendin e parafundit më të varfër në Evropë, duke lënë pas vetëm Bosnjën.

Së gjashti, varfëria është shoqëruar dhe me pabarazinë sociale:

Përveç varfërisë është rritur ndjeshëm pabarazia sociale: Sipas raportit të Forumit Ekonomik Botëror për 2018, pabarazia dhe varfëria janë rritur në Shqipëri gjatë vitit 2017.

Rritja me 7.7% e këtij treguesi në Shqipëri përgjatë pesë viteve të fundit është indikator i rritjes së pabarazisë në vend.

Edhe INSTAT-i konfirmon se shpenzimet mesatare për konsum të familjeve që përbëjnë 10% më të pasur të shoqërisë janë rritur me 14,6 herë në raport me 2015, ndërsa për 90% të familjeve ato u rritën vetëm më po 0,6 herë.

Së shtati, janë ulur investimet me të cilat lidhet punësimi dhe zhvillimi

Në raportin e fundit të BERZH-it për investimet e huaja thuhet se Shqipëria është vendi që I ka investimet për frymë vetëm pak më shumë se 1 mijë euro, kur vendi i parafundit, Bosnja, e ka këtë tregues gati 2 mijë euro. Dhe për të mos shkuar më tej për t’u krahasuar me Serbinë 3 mijë euro apo Malin e Zi 6 mijë euro.

Mijëra biznese po mbyllen dhe mijëra qytetarë po mbeten të papunë. Edhe të vetmet investimet të huaja para vitit 2013, TAP-i dhe Devolli, po përfundojnë.

Mungesa e investimeve të huaja tregon qartë edhe mungesën e besimit për shkak të pasigurisë juridike dhe të korrupsionit, ku futet edhe informaliteti. Referojuni deklarimeve publike të Biznesit Amerikan këtu.

Bankat e nivelit të dytë janë më të interesuara për kreditim biznesesh jashtë Shqipërisë për shkak të pasigurisë së kreditimit këtu, lidhur me borxhet?

FMN-në që po kërkon pezullimin e koncesioneve (PPP) nga i ashtuquajturi program 1 miliard euro, sepse analiza ekonomike kosto/përfitim është e paqartë dhe se paraqet risk serioz për rritjen e borxhit të brendshëm? Gjendja aktuale e ka kthyer qeverisjen thjesht në një institucion që cdo vit lan borxhet ndaj koncesioneve. Pra, situata ekonomike sa vjen dhe rëndohet më shumë dhe ajo çka duhet të na shqetësojë është se qeveria vazhdon të zbukurojë me hartime realitetin, duke refuzuar të shikojë në sy rrënimin që i bëhet çdo ditë familjeve shqiptare.

Po cilat janë pasojat e këtij realiteti?

Shqiptarët duan perspektivën evropiane, siç është edhe kjo Marrëveshje, duke e zhvilluar vendin, duke e forcuar ekonominë, hapjen e vendeve të reja të punës dhe rritjen e cilësisë së jetës.

Por ata, përballë kësaj  situate kanë qenë të detyruar të zgjidhnin si alternativë:

a) ose braktisjen e Shqipërisë, duke u renditur ndër vendet kryesore azilkërkuese në BE.

b) ose varësinë prej drogës si prodhues, tregtarë dhe konsumumatorë të saj

OKB-ja, BE-ja, Europol-i, CIA-a, por edhe të Qendra Evropiane dhe Droga e cilësojnë Shqipërinë si furnizuesin kryesor të vendeve të BE-së me kanabis dhe një korridor për kalimin e drogave të forta

Po Qeveria dhe mazhoranca ku po investohen masivisht?

Mazhoranca po merret me opozitën, i ka harruar qytetarët. Njëzetë e katër orë të ditës ajo po i përdor vetëm për replika me opozitën. Ajo është verbuar prej etheve të pushtetit dhe do ta mbajë atë vetëm duke shkatërruar opozitën, një sindrom i rrezikshëm ky i partisë-shtet, por jo nëpërmjet qeverisjes së mirë. Sepse nuk ka si të shpjegohet ndryshe gjithë kjo grykësi dhe arrogancë.

Largimet politike nga puna të qytetarëve me bindje opozitare ose intimidimi i tyre për me vendin e punës dhe afrimi i militantëve të saj, po e deformon reformën në administratë dhe po cënon haptazi të drejtat e njeriut.

Skena qesharake të një grotesku shpellar po sfidojnë mjerimin ekonomik, social e etik me të ashtuquajturat largime të disa këshilltarëve, të ikur prej vaktit, të cilët largohen nga LSI sepse PD ‘flirton’ me rusët. Dhe te gjithë përsërisin të njëjtin refren. Rreziku rus është kaq eminent këto ditë saqë po na kujton atë refrenin komunist mbi rrezikun socialimperialist para 90-ës, që kurrë nuk e pamë.

Reforma në drejtësi gjithashtu po jep shenja të dukshme të vëniës së drejtësisë nën kontrollin e mazhorancës. Organet e drejtësisë po vihen nën presion për të bërë drejtësi selektive të orientuar kryesisht ndaj opozitës, kurse lidhjet e krimit të organizuar me drogën dhe politikën qeverisëse ende janë shumë të forta. Mediat janë kthyer në mjete transmisioni të ekraneve me regji të kontrolluar.

Me sa duket për qeverinë është e panevojshme të merresh me problemet e qytetarëve, sepse në fakt ata po ikin, duke braktisur masivisht vendin. Shumë syresh janë ende nën efektin e drogës së ekranit.

Prandaj, të nderuar deputetë, për të mirën e qytetarëve dhe çeljen e negociatave, t’i nisim punët e vendit aty ku janë dhe jo aty ku doni të duken.

Ta fillojmë punën me nevojën për një program kombëtar antivarfëri që kërkon:

a. Projekte zhvillimi të qëndrueshme bujqësore, blektorale e agroturizmi në të gjitha zonat e prekura nga kanabizimi.

b. Rishikimi i paketës fiskale, në funksion të nxitjes dhe rritjes së punësimit. Uljen e taksave; një qëndrim i qartë për zgjidhjen e varfërisë nëpërmjet një pakete që do të luftonte urinë në mënyrë të drejtëpërdrejtë, pasi edhe mungesa e ushqimit bazë është shfaqur në masë në Shqipëri.

Pse jo deri në 50 kë energji falas për pensionistët kryefamiljarë, dhe të papunët kryefamiljarë.

Pse jo rritje pensionesh nga ai minimal 20 mijë lekë dhe paga minimale 35 mijë lekë.

e. Fshati është lënë në mëshirë të fatit: pa rrugë dhe ujë të pijshëm, pa shërbim shëndetësor dinjitoz (me mjek infermierë e ambulanca) dhe arsim të garantuar në të gjitha zonat rurale të vendit, ku ora prej vitesh ka mbetur në vend.

Një program kombëtar kompleks për disiplinimin e ujërave të ultësirës, për të shmangur përmbytjet, si këto të fundit në Shkodër, dhe ulur shpenzimet dhe shpërdorimet e përvitshme nga buxheti i shtetit.

f. Pezullim i koncesioneve deri në një analizë më të qartë kosto/fitim dhe me ekspertizë ndërkombëtare.

Ta fillojmë prej vetes, të nderuar deputetë, duke dëgjuar njëri-tjetrin, pa shpenzuar orë të tërë me kacafytje, për të dhënë zgjidhje të drejta, të bëjmë një reformë zgjedhore, ku të ndalohet deformimi i votës. Bashkë kundër korrupsionit, por jo ca të nënës e ca të njerkës. Bashkë kundër drogës, por jo vetë të fshiheni si struci. Bashkë kundër zaptimit të pronave, por jo vetëm për ata të opozitës. Bashkë kundër krimit të organizuar, por pa bërë përjashtime sepse vetë krimi nuk ka ngjyrë. Të dyja palët, andej dhe këndej, u kemi borxh qytetarëve keqqeverisjen e këtyre tri dekadave. Por ndërsa ne si opozitë duhet të bëjmë mea culpan tonë dhe t’u ofrojmë shqiptarëve zgjidhje, ju mos u zhytni më tej në zullum, se kjo dëmton Shqipërinë. Kështu po, çelen vetiu negociatat, por kështu si jemi, ta themi troç, nuk mund të shkojmë kryelartë e të trokasim në derën e BE-së, se ata na njohin mirë dhe më mirë akoma vetë shqiptarët që po ikin.

al}lsiLOGO_LRI_lgi
Selia Qëndrore

Rruga Sami Frashëri
Godina 20/10
Tiranë, Shqipëri

Zyra e Kordinatorëve

Tel: +355 4 2270 412
Tel: +355 4 2270 413

Zyra e Sekretariatit

Tel: +355 4 2258 665

Zyra e Shtypit LSI

Tel: +355 4 225 758

info@lsi.al, www.lsi.al