Shezai Rrokaj: Vetingu, Një polici për shtetin apo një polici për pushtetin

Fjala në Kuvend e deputetit të LSI-së Shezai Rrokaj

 

Në harkun e këtyre 27 shoqëria shqiptare në tranzicion nuk ia ka dalë dot të ndajë shtetin prej pushtetit, madje trysnia totalitare në subkoshiencë ka vijuar t’ia nënshtrojë shtetin pushtetit dhe jo e kundërta, siç pritej të ndodhte në fakt.

Mjafton të pyesim se a kemi ndërtuar një administratë në shërbim të shtetit apo në shërbim të pushtetit, a kemi ndërtuar një media për shtetin apo për pushtetin, një gjyqësor për shtetin apo për pushtetin, një polici të shtetit apo të pushtetit, për të kuptuar secili prej nesh së brendshmi në vetëdije realitetin e hidhur të vendit të fundit në Evropë, i cili lëngon nën gërnjitjen e retorikës kacafytëse me toksinë vrastare.

Sigurisht, ne mund të rrekemi gjithë zell, këtu në Kuvend e jashtë tij, të anatemojmë njëri-tjetrin apo duke i thurur lëvdata vetes, porse Shqipërinë e shohim ditën për diell ne që jemi këtu dhe ata që po e braktisin në shumicë përditë; e shohin miqtë tanë ndërkombëtarë në raportet e tyre, të cilat ne i lexojmë sipas interesit pushtetor.

Të nderuar kolegë: Kufijtë e shtetit janë marrë peng e janë tretur prej zgjerimit e babëzisë së kufijve të pushtetit. Ky është realiteti, kjo është e vërteta.

Në emër të ndërtimit të shtetit, falë ndërhyrjes dhe mbështetjes së ndërkombëtarëve u votua me konsensus reforma në drejtësi, por gjithë procesi po jep shenja të qarta të marrjes peng prej pushtetit të mazhorancës aktuale. Një herë na duhet ONM-ja, pastaj bëjmë si dimë vetë. I zgjedhim njëherë me gogla KLP-n dhe KLGJ-në, pastaj mund të zbatohet Vettingu për ta, e marifete të tjera pushteti.

Prokuroria po shfaq shenja të vënies nën kontrollin politik prej pushtetit të mazhorancës.

Seanca për heqjen e mandatit të Sajmir Tahirit do të ishte përpjekja e fundit e Prokurorisë për t’u shkëputur prej pushtetit. Atë betejë shteti e humbi. Shteti e humbi edhe betejën për zgjedhjen e prokurorit të përgjithshëm në mënyrë kushtetuese. Çdo ditë që kalon mazhoranca jep shenja të imunitetit, paprekshmërinë dhe pandëshkueshmërinë  e saj. U mbyll dosja Rama për thirrjen publike për pjesëmarrje të policëve në mbështetje të mazhorancës gjatë fushatës zgjedhore. Megafera Gjiknuri e CEZ- it prej 650 milionë euro është mbuluar nga pluhuri. Ekstradohet në mënyrë të paligjshme në Itali kryefinancieri i një bande kriminale të lidhur me emrin e ministrit të brendshëm. Mbahet mbyllur dosja me zë e me figurë e Vangjush Dakos e shumë raste të tjera si këto.

Nga ana tjetër, pushteti i mazhorancës që ka kapur shtetin, po përdoret prej saj për të goditur kundërshtarët politikë dhe vetingu po duket haptazi se është selektiv.

Ne nuk mbrojmë asnjë të inkriminuar, i çdo force politike qoftë. Ne inkurajojmë drejtësinë të jetë e drejtë dhe e barabartë për të gjithë: si për ata që me para, me pushtet apo me terrorin kriminal e blejnë drejtësinë, ashtu dhe për ata që ndëshkohen pse nuk kanë mundësi të paguajnë faturën e ujit dhe të energjisë.

Nëse shteti është i fortë (represiv), ai na shtyp. Nëse ai është i dobët, na zhduk (Paul Valéry). Por ne na duhet një shtet i drejtë.

Nevoja e Vettingut në polici tregoi se policia që donit nuk ishte policia e shtetit, por policia e pushtetit. Si asnjëherë në këto 27 vite strukturat u vunë në shërbim të narkopushtetit. Drejtues komisariatesh me komandë nga lart u përfshinë në menaxhimin e kanabizimit të vendit, u bënë pjesë e krimit të organizuar dhe delegjitimuan procesin zgjedhor. Asnjë shef komisariati të implikuar me drogën nuk po vihet në pranga dhe shumë syresh lëvizin të lirë, pa u ndëshkuar.

Mjafton të përmendim disa fakte si: BE-ja është shprehur se 20% e votave u blenë me kanabis; Raporti i Europol-it e etiketon Shqipërinë si furnizuesi kryesor i BE-së me kanabis; Raporti i CIA-s e cilëson Shqipërinë si vendi ku është problem korrupsioni dhe një korridor për kalimin e drogave të forta drejt perëndimit dhe si furnitori kryesor i tij me kanabis. Së fundi, Organizata Transparency International shpalli raportin e shkallëzimit të korrupsionit për vitin 2017, në të cilin Shqipëria kishte zbritur plot 8 vende më poshtë krahasuar me një vit më parë, pra renditet e 91-ta në botë.

Çelja e negociatave të aderimit në BE është sigurisht një lajm i mirë për të gjithë shqiptarët. Por këto negociata kanë si kusht, ndër të tjera, zbatimin e reformës në drejtësi, adresimin e problematikës së korrupsionit, të krimit të organizuar dhe të sigurisë në tërësi, si dhe çështje që lidhen me një zhvillim të qëndrueshëm të ekonomisë.

Në këtë kuptim, nëse realisht synohet një Vetting për të formatuar si duhet policinë e shtetit dhe jo atë të përdorurën e pushtetit, ne e mbështesim pa mëdyshje, sepse policia është fytyra e shtetit në një shoqëri. Ndaj reforma e Vettingut duhet t’i shërbejë policisë së shtetit të drejtë, për të gjithë pa dallim pushteti e paraje, që të luftojë korrupsionin dhe krimin e organizuar dhe të vihet në shërbim të komunitetit.

Por, siç po duken shenjat me drejtësinë, nëse Vettingu për policinë do të përdoret për të bërë brenda policisë gjueti shtrigash për llogari të pushtetit, për ta përdorur policinë si mjet për të goditur opozitën, e ca më keq për t’u bërë palë me korrupsionin e krimin e organizuar, kjo do të shënonte heqjen e gurit të fundit të themelit të demokracisë pluraliste, që do t’i kthente shqiptarët në pikën fillestare të 27 viteve më parë.

Korrupsioni dhe krimi i organizuar nuk kanë ngjyrë, nuk janë as të majtë e as të djathtë. Policia që duam është policia e shtetit të drejtë dhe të barabartë për të gjithë qytetarët, një polici që nuk blihet a intimidohet prej cilësdo mazhorance, që nuk përdoret për blerje votash apo për pazarin e drogës, të tregtisë së armëve e të prostitucionit. Ajo duhet të mbështetet prej gjithë politikës në luftë me krimin e organizuar e korrupsionin, të cilët kanë krijuar dhe përpiqen të krijojnë shumë fije me pushtetin.

Xhafa, keni një betejë të vështirë përpara dhe vetingu është një mission i mundur, por me një kusht: të fillojë nga lart-poshtë dhe jo e kundërta, për të mos përfunduar në një demagogji populiste apo, ca më keq, si mjet linçimesh politike e banalizimesh mjeruese, si ato burgosjet e qytetarëve të varfër që nuk kishin me se të paguanin faturat e energjisë elektrike.

Policinë ta drejtojnë profesionistët, jo militantët e pushtetit, ta drejtojnë dhe të punësohen njerëzit e devotshëm, ata që e kanë pasion detyrën dhe që nuk përdoren nga politika e nuk vihen në shërbim të saj, por i shërbejnë zbatimit të ligjit, pra njerëzit që duhet të jenë në policinë e shtetit.

al}lsiLOGO_LRI_lgi
Selia Qëndrore

Rruga Sami Frashëri
Godina 20/10
Tiranë, Shqipëri

Zyra e Kordinatorëve

Tel: +355 4 2270 412
Tel: +355 4 2270 413

Zyra e Sekretariatit

Tel: +355 4 2258 665

Zyra e Shtypit LSI

Tel: +355 4 225 758

info@lsi.al, www.lsi.al