Edhe pse dukej e pabesueshme, në mbrëmje, të kuqtë reaguan me një postim në rrjetet sociale, duke konfirmuar shitjen masive të biletave për takimin e sotëm. “Klubi njofton se vazhdon të ketë një interesim të jashtëzakonshëm për derbin Partizani – Tirana, i cili luhet sot në ‘Air Albania Stadium’, ora 19:00. 17500 është numri i biletave të shitura përgjatë ditës së sotme (djeshme). Ju kujtojmë se biletat do të mund t’i siguroni edhe përgjatë ditës së premte e në vazhdim ora 10:00 deri 19:00 pranë pikave të shitjes, në stadiumin ‘Selman Stërmasi’, në dyqanin zyrtar të FSHF ‘Macron’, pranë Ambasadës Amerikane, si edhe pranë dyqanit ‘Joma’ Sponsori Teknik i skuadrës, i pozicionuar pranë Godinës ETC te ‘Rruga e Elbasanit’”, shkruanin të kuqtë.

Biletat kanë dalë të mërkurën pasdite në shitje, por edhe pse ndeshja do luhet në “Air Albania” që ka një kapacitet të madh, dje tifozët prisnin në radhë për të blerë një biletë në çdo pikë shitjeje. “Panorama Sport” mësoi dje se biletat në tribunën e katit të parë pas fushe ishin ezauruar për tifozët e Tiranës dhe tashmë te biletaria, tifozëve bardheblu u kërkohej që të blinin bileta në tribunën e katit të parë, në sektorët e Partizanit. Kjo ndodhte, sepse si fillim duhet të ezaurohen biletat e katit të parë dhe më pas të hapet kati i dytë. Gjithsesi, ky problem është kapur shpejt dhe klubet kanë riparuar dëmet për këtë ngatërresë që mund të ishte fatale për mbarëvajtjen e ndeshjes.

Kapaciteti i stadiumit është 22 mijë vende dhe te klubi Partizani besonin se të gjitha biletat do të shiteshin, deri në nisje të takimit. Po kështu, janë ezauruar të gjitha biletat e sektorit bardheblu.

FUSHA – Derbi do të luhet në stadiumin e ri “Air Albania”, që do të presë për herë të parë një ndeshje të Kategorisë Superiore. Stadiumi dukej në gjendje të mirë, për të pritur ndeshjen e rëndësishme. Kujtojmë se kjo do të jetë sfida e dytë zyrtare, në këtë stadium, pas asaj që u luajt më 17 nëntor mes Shqipërisë dhe Francës.