Me dëshirë askush nuk largohet nga Gjermania.Tani është bërë e ditur, se  gjithnjë e më shumë të prekur nga dëbimi mbrohen me dhunë, por edhe  shteti gjerman reagon me ashpërsi e merr kritika.

Rregullisht ka raportime në Gjermani, se dëbimi i një personi të huaj  nuk u arrit të kryhej. Refugjatët ngrenë padi me sukses kundër dëbimit  të planifikuar në vendlindje apo në një vend të tretë, nga i cili kanë  hyrë në Gjermani. Ose ata kalojnë në ilegalitet, para se të vijë policia  t’i marrë. Por ka raste, kur dëbimi nga Gjermania dështon në minutën e  fundit për shkak të shpërthimit të dhunës në avionë. Vetëm në  gjashtëmujorin e parë të këtij viti, pilotët e shoqërive gjermane apo të  huaja të fluturimit kanë refuzuar të marrin pjesë në dëbimin e afër 335  personave.

 

Kjo shifër vjen nga një përgjigje e qeverisë gjermane  pas kërkesës zyrtare të grupit parlamentar e Majta, të cilën e zotëron  Deutsche Welle. Aty shënohen edhe aeroportet ku ka dështuar më shpesh  dëbimi. Frankfurt am Main- 131 vetë; Dyseldorfi -11 vetë; Mynihu -39  vetë. Pas këtyre shifrave fshihet një problem: rritja e dhunës në  avionë, si nga ana e të prekurve nga dëbimi ashtu edhe nga shteti.

Vendosja e prangave është dhjetëfishuar

 

Politikanja  e majtë, Ulla Jelpke kërkoi të dinte më shumë për këtë problem, prandaj  i dërgoi qeverisë gjermane një katalog pyetjesh, 26 gjithsej.  Veçanërisht një zhvillim e zemëron atë: Përdorimi i “mjeteve ndihmuese  të dhunës trupore” nga viti 2015 deri në vitin 2018 është dhjetëfishuar,  nga 135 raste në 1231 të tilla. Me këto mjete ndihme kihen parasysh  pranga duarsh dhe në këmbë, me të cilat policia përpiqet të vërë nën  kontroll personat e dhunshëm.

 

Kjo rritje nuk përkon me rritjen e  numrit të dëbimeve, që në këtë hapësirë kohore ka mbetur gati e  pandryshuar. Më shumë se 23.000 persona në vit. Ministria e Punëve të  Brendshme e shpjegon rritjen e përdorimit të prangave me “rritjen e  numrit të personave që bëjnë veprime rezistuese në procesin e kthimit”.

Eleonore Petermann, zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Brendshme  thotë për Deutsche Wellen, se shtimi i dhunës është “lehtësisht” i  shpjegueshëm. Dëbimet nuk kryhen me dëshirë, prandaj të prekurit e  shprehin pakënaqësinë e tyre “ndoshta përmes dhunës trupore”. Për të  kryer megjithatë dëbimin përdoren prangat, por “vetëm, nëse kjo është  metoda e fundit”, thekson zëdhënësja Petermann.

 

Deputetja e  Majtë, Ulla Jelpke ka një shpjegim tjetër për dhunën nga të dyja palët.  “Për mua është e padurueshme, që dëshpërimi i këtyre njerëzve thyhet pa  asnjë hezitim me mjete dhune, për t’i dërguar ata kundër vullnetit të  tyre në situatat më të mjerueshme të mundshme apo në shtetet tranzit.”

 

Pro Asyl kritikon

Jelpke përmend kritikën e Komitetit Kundër Dhunës të Këshillit të  Europës, që në maj ka kërkuar nga Gjermania të heqë dorë nga përdorimi i  dhunës “në formë të papërshtatshme dhe jo proporcionale”. Edhe  organizata “Pro Asyl” regjistron një ashpërsim të forcës së shtetit tek  dëbimet. Bernd Mesovic, referent për çështjet politiko-ligjore thotë se  paditë për “përdorim të ekzagjeruar të dhunës” prekin më pak dëbimet në  aeroporte, se punonjës të policisë që “kapin personat që duhen dëbuar, i  marrin apo i dërgojnë në aeroport”.

 

Për “Pro Asyl” kjo temë  është si “një kuti e zezë”. Sepse veç të prekurve e ndoshta anëtarëve të  familjes, rrallë ka dëshmitarë të pavarur, prandaj përfundime mbi një  realitet të tillë mund të nxirren vetëm nga rritja e numrit të ankesave.  Sipas Mesoviç, në sfondin e këtij zhvillimi mund të jenë deklaratat e  politikës për “të kryer dëbime në një numër gjithnjë e më të madh”.