Bayern Munchen dhe kapiteni Manuel Neuer do të vijojnë së bashku. Pavarësisht spekulimeve për një “divorc” të mundshëm, klubi gjerman ka konfirmuar këtë të mërkurë rinovimin e kontratës deri në qershor 2023.

34-vjeçari u duk se ishte i pakënaqur me drejtuesit e klubit, pas konfirmimit të blerjes së portierit të Schalke-s, Alexander Nubel, për sezonin e ardhshëm, por në fund duket se ka vendosur të qëndrojë në Mynih.

Ashtu si Nubel, Neuer mbërriti te Bayern nga Schalke në vitin 2011 dhe me 374 ndeshjesh të luajtura deri tani, u bë një prej portierëve më të mirë në botë. Ai ka fituar 7 herë titullin kampion, në gjermani, 5 herë Kupën, Champions League në vitin 2013, Botërorin e Klubeve, por edhe Kupën e Botës me Gjermaninë në vitin 2014.