Supergrabitja e Rinasit ka mbetur ende e pazbardhur plotësisht, kjo për shkak se paratë ende nuk janë gjetur, por edhe për faktin se një prej të dyshuarve kryesorë, Klement Çala, nuk është arrestuar.

I dyshuar si një ndër ideatorët e 9 prillit, për 32-vjeçarin nga Elbasani nuk ka informacione për vendndodhjen e tij, ndërsa vijon të qëndrojë si një nga të shumëkërkuarit me kartelë të kuqe në Interpol.

 

 

Fillimisht, policia nuk kishte informacione mbi përfshirjen e të riut në supergrabitje, por një ditë pas ngjarjes ishte bashkëshortja e tij ajo që indirekt bëri blutë të dyshojnë.

Në një kohë që për vrasjen e Admir Muratajt mediat flisnin për një 32-vjeçar të vrarë në shkëmbimin e zjarrit me policinë, bashkëshortja e Klementit, Sulltane Çala u paraqit në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, por edhe në morg, kjo për shkak se mendonte se Çala mund të kishte mbetur i vrarë.

Të gjendur përballë kësaj situate, agjentë të policisë dyshuan në përfshirjen e 32-vjeçarit, ndërsa survejuan për disa ditë bashkëshorten e Klement Çalës.

Pas arrestimit të Alkond Bengasit dhe dëshmisë së tij që Klement Çala ishte i përfshirë e përforcoi më shumë dhe deklarata e dhënë në polici e bashkëshortes së tij.

Burime pranë uniformave blu thanë se Sulltane Çala ka thënë para hetuesve se herën e fundit që ka parë Klement Çalën ka qenë data 9 prill, pikërisht ditën e supergrabitjes. Sipas saj, 32-vjeçari kishte dalë nga shtëpia në orën 9 të mëngjesit për të mos u kthyer më. /A2/