Sot përkujtohet ndarja nga jeta Aleks Budën (1910-1993), Mësues i Popullit. Historiani i shquar, profesor, kryetari i parë i ASHSH.

Lindi në Elbasan në një familje të njohur intelektuale, njoftoi Muzeu Kombëtar. Shkollën fillore e kreu në Leçe (Lecce, Itali), të mesmen në Zalcburg (Salzburg, Austri), studimet e larta në Fakultetin e Filozofisë (dega filozofi-letërsi) të Universitetit të Vjenës (1929-1935). Më pas (1939-1943) punoi si mësues në Liceun e Tiranës e në atë të Korçës.

Mori pjesë në Lëvizjen ANÇ; më 1944 u zgjodh nënkryetar i Këshillit ANÇ të qarkut të Elbasanit. Në vitet 1945-1946 qe drejtor i Bibliotekës Kombëtare.

Me formimin më 1955 të Institutit të Historisë e të Gjuhësisë Aleks Buda si një ndër organizatorët e tij dhe punonjësit shkencorë më me përvojë, themeloi sektorin e historisë së mesjetës dhe me këtë hodhia bazat e medievistikës shqiptare.

Punoi veçanërisht për përgatitjen e historianëve të rinj e sidomos të studiuesve të historisë mesjetare të Shqipërisë.

Si kryetar i ASHSH që në themelimin e saj (1972) dhe si studiues me formim e kulturë të gjithanëshme, historike gjuhësore, arkeologjike, etnografike, të artit mesjetar etj., Aleks Buda dha një kontribut të çmuar në organizimin e punës kërkimore-shkencore sidomos në fushën e albanologjisë.

Ka marrë “Çmimin e Republikës” të shkallës së parë, është dekoruar me “Urdhërin e Lirisë” të kl. I dhe me “Urdhërin e Flamurit të Punës” të kl. I.

Presidenti i Republikës së Austrisë e ka dekoruar më “Medaljen e Madhe të Artë” (1990).