Silva Caka: Prokuroria e nënës dhe Prokuroria e njerkës

Pas një lumi të madh statusesh nga deputetët e Lëvizjes Socialiste për Integrim mbi arrestimin e Dashamir Xhikës, ka reaguar dhe deputetja Silva Caka duke e cilësuar Prokuroren Marku si herë e nënës e herë e njerkës. Caka u shpreh se Reformën në Drejtësi LSI nuk e miratoi për t’a përdorur si sharrë e për të bërë kasaphanë politike, nuk e miratoi për të patur një drejtësi me dy standarte.

Më poshtë keni statusin e plotë:

Prokuroria e nënës dhe Prokuroria e njerkës

Fill pas zgjedhjes së Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme, i kam drejtuar asaj një thirrje, ku i sugjeroja që të dorëhiqej, sepse supozoja se një grua e cila ushtron profesionin si prokurore prej më shumë se 15 vitesh, duhet të kishte integritet profesional dhe moral (e supozoja, sepse nuk e vërtetoja dot për aq kohë sa Znj. Marku nuk iu nënshtrua paraprakisht procesit të Vetting-ut) dhe të mos e pranonte procedurën antiligjore dhe antikushtetuese me të cilën e zgjodhën.
Fundi i thirrjes përmbante një rregull të përgjithshëm, të pashkruar, nga i cili vështirë se shpëton kush:
Një detyrë e nisur në shkelje të çdo ligji edhe vazhdimësinë të tillë do t’a ketë.

Këtij rregulli, mesa po shohim kohët e fundit, nuk po i shpëton dot as Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, e cila për disa ka filluar të sillet si Prokurorja e Nënës e për disa të tjerë, si Prokurorja e Njerkës.

Prokurorja e Nënës:
1. Mbyll çështjen e Edi Ramës, lidhur me thirrjen antikushtetuese, drejtuar Policisë së Shtetit në zgjedhjet e qershorit 2017;
2. Nuk nis hetimin për Damian Gjiknurin, që sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, rezulton t’i ketë shkaktuar buxhetit një dëm kolosal prej 650 milionë €;
3. Nuk nis hetimin për Z. Gjiknuri, për blerjen dhe vjedhjen masive të votës, në zgjedhjet lokale për Bashkinë e Dibrës;
4. Hesht si shurdh-memece për ekstradimin e paligjshëm të dëshmitarit kyç të çështjes Tahiri;
5. Mban me hatër e nuk nis hetimin për Ministren e Drejtësisë, e cila shkeli me të dyja këmbët ligjin penal për ekstradimet, duke larguar dëshmitarin kyç për çështjen Tahiri;
6. Nuk nis hetimin edhe pse disponon përgjimet për dy Kryebashkiakët e lidhur pazgjidhshmërisht me krimin; Vangjush Dako dhe Qazim Sejdini.

Ndërsa Prokurorja e Njerkës, ajo që zgjidhet me 69 vota, nis çështje penale ndaj çdo individi, vetëm me kushtin që të jetë anëtar, simpatizant apo funksionar i opozitës.

Reformën në Drejtësi nuk e miratuam për t’a përdorur si sharrë e për të bërë kasaphanë politike, nuk e miratuam që në organet e saj të zgjedhim njerëz që nuk përmbushin kriteret ligjore, nuk e miratuam për të patur një drejtësi me dy standarte!

Në fund kam një sugjerim për personin që do të bëhet shumë shpejt Kryeministër i ardhshëm: 
Mos e prano detyrën! Mos, se kjo Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, do të të faturojë edhe zullumet e këtij Kryeministri, të cilat do të fundosnin çdokënd që e pason, se këtë nuk e gjen gjë, për aq kohë sa ka Prokuroren e Nënës me 69 vota.

Burimi: (integrimi.al/T.I)

al}lsiLOGO_LRI_lgi
Selia Qëndrore

Rruga Sami Frashëri
Godina 20/10
Tiranë, Shqipëri

Zyra e Kordinatorëve

Tel: +355 4 2270 412
Tel: +355 4 2270 413

Zyra e Sekretariatit

Tel: +355 4 2258 665

Zyra e Shtypit LSI

Tel: +355 4 225 758

info@lsi.al, www.lsi.al