Silva Caka: Të shpëtojmë familjen e madhe Shqipëri, nga kthetrat e atyre që e urrejnë këtë vend

Është mbajtur sot në Pallatin e Kongreseve, konventa kombëtare e Lëvizjes së Gruas për Integrim. Gjatë këtij takimi, femrat drejtuese të LSI-së, kanë shprehur qartë shqetësimet dhe padrejtësitë që femrat shqiptare po hasin dita-ditës. Fjalën hapëse e mbajti deputetja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, znj. Silva Caka ku ndër të tjera u bëri thirrje të gjitha femrave të ngrihen e të shpëtojnë vendin nga ata që e urrejnë këtë vend.

Më poshtë keni fjalën e plotë të znj. Caka:

Mirëmbrëma të nderuara mikesha, motra, nëna të të gjithë Shqipërisë! Mirëmbrëma delegatë, anëtarë dhe simpatizantë nga e gjithë Shqipëria të forumit tonë të gruas! Mirë se keni ardhur në Konventën Kombëtare të Lëvizjes së Gruas për Integrim! Është një nder i veçantë për mua të çel këtë Konventë, por është edhe një përgjegjësi e madhe të përçosh zërin e grave dhe vajzave në instancat më të larta të politikëbërjes dhe qeverisjes, prandaj iu falënderoj nga zemra që keni zgjedhur që zërin dhe iniciativat tuaja t’ia besoni Lëvizjes Socialiste për Integrim. Kjo Konventë, thirret në një moment shumë delikat, por edhe shumë të vështirë për Shqipërinë tonë. Megjithatë do të doja ta nisja fjalën time me një falënderim të veçantë për secilën prej jush që sot është prezent në këtë sallë, por edhe për mijëra të tjera që nuk munden të jenë prezente. Ky falënderim i veçantë shkon për forcën dhe karakterin e vendosur që ju treguat në zgjedhjet që lamë pas. Ishte pikërisht qëndresa juaj, guximi dhe besnikëria juaj ajo që bëri t’u dridhej toka nën këmbë banditëve, kriminelëve dhe trafikantëve, të cilët nuk lanë asnjë metodë kriminale pa provuar e pa aplikuar me qëllim deformimin e vullnetit zgjedhor të shqiptarëve. Të gjitha jemi dëshmitare dhe subjekt i kërcënimeve, shantazheve, presioneve që u janë bërë grave dhe vajzave në çdo cep të Shqipërisë. Të gjitha jemi dëshmitare të intimidimit që vazhdon e u bëhet edhe sot grave dhe vajzave që punojnë në administratën publike, për vendin e tyre të punës. Jemi dëshmitare të presioneve që u ushtrojnë grave dhe nënave që drejtojnë biznese, të cilat nuk ndajnë të njëjtën bindje politike me kriminelët. Jemi dëshmitare të rrezikut të madh që po na kanoset sot: të jemi ne apo familjarët tanë, apo më keq fëmijët tanë, viktima të drogës, sundimit të bandave dhe të krimit të organizuar.                                  

Shqipëria jonë është një vend i vogël me probleme të mëdha. Këto 27 vite kemi kaluar nëpër vështirësi të mëdha, si varfëria, mbytja e mentalitetit arkaik, korrupsioni, keqqeverisja e shumë të tjera. Mirëpo mendoni se çfarë ndodh kur këtyre që sipër përmenda t’i shtojmë edhe trafikun e pashembullt të drogave të ndryshme, të armëve dhe qenieve njerëzore, luftën mes bandave e banditëve për të vendosur hegjemoninë e tyre, amplifikimin e ndikimit të krimit të organizuar në shoqëri?! Në këto kushte shteti demokratik ka rënë dhe nuk ekziston më! Por kjo nuk është më e keqja, sepse ka shumë shtete në botë që në momente të caktuara kane dështuar në luftën ndaj krimit, drogës e bandave. Më e keqja vjen kur të gjitha këto fenomene negative që rreshtova, orkestrohen dhe manipulohen të gjitha së bashku nga 1 dorë e vetme me shumë kukulla dhe marioneta që i drejton me fije të padukshme interesash të ndyra dhe konspirative, për interesa personale e të atyre që e kanë sjelle në pushtet. Në këto kushte jo vetëm që ka rënë demokracia, por është instaluar dhe rrënjosur autokracia në nivelet më të rrezikshme të saj. Cili është ai kryeministër që po rrënon çdo ditë ekonominë e shqiptarëve, që po detyron të rinjtë t’i drejtohen emigracionit, që po na detyron të përballemi çdo ditë me kriminelë e trafikantë të vjetër e të rinj, që mbijnë si kërpudhat pas shiut? Cili është ai njeri që shkatërron jetë të tëra njerëzish nën moton false të të bërit shtet? Cili është ai lider që i bën kaq keq vendit të tij, njerëzve të tij? Vetëm një njeri që e urren këtë vend, që i urren këta njerëz, që i tall sa herë i jepet mundësia e që jeton vetëm e vetëm për ta shkatërruar këtë popull, të cilin nuk arriti ta asgjësonte asnjë armik i huaj ndër vite e vite të tëra historie. Unë besoj se të gjitha gratë dhe vajzat e Shqipërisë e kanë një emër ndër mend.

Të gjitha ne që jemi në këtë sallë, por edhe shumë prej atyre grave dhe vajzave që secila prej nesh takon çdo ditë, sot kanë vetëm një shqetësim: pasigurinë e të ardhmes së tyre, pasigurinë e familjeve të tyre, pasigurinë e fëmijëve të tyre. Prandaj jemi sot të gjitha bashkë, për të treguar edhe një herë që gruaja shqiptare është një forcë e madhe, është një forcë që ka përmbysur liderë e regjime të tëra, është një forcë që do të vazhdojë e që sot duhet të intensifikohet, pasi në këtë muaj që i dedikohet gruas dhe luftës kundër dhunës ndaj saj, në këtë muaj historik për popullin shqiptar, kemi një mision të qartë: të shpëtojmë vendin nga e keqja që e ka kapluar. Të shpëtojmë familjet tona të vogla, por edhe familjen e madhe Shqipëri nga kthetrat e atyre që e urrejnë këtë vend. Maya Angelou, një poete amerikane, por njëkohësisht edhe një aktiviste e të drejtave të njeriut ka thënë: “Një grua e zgjuar nuk duhet assesi të jetë armike e askujt; një grua e zgjuar duhet pa diskutim të refuzojë të jetë viktimë e dikujt”! Nga sot, duke refuzuar të jemi viktima të ambicieve të sëmura për pushtet të një njeriu, Lëvizja e Gruas për Integrim do të jetë kudo, në çdo cep të Shqipërisë, për të qenë me ju, përkrah jush, përballë çdo të keqeje që ju kanoset, përballë çdo kërcënimi, përballë çdo rreziku, pasi për Lëvizjen Socialiste për Integrim, të gjithë shqiptarët, por në mënyrë të veçantë gratë dhe të rinjtë përbejnë asete të çmuara të vlerave tona shoqërore, përbëjnë pasuri kombëtare që duhet ruajtur me çdo kusht!

Burimi: (integrimi.al/T.I)

al}lsiLOGO_LRI_lgi
Selia Qëndrore

Rruga Sami Frashëri
Godina 20/10
Tiranë, Shqipëri

Zyra e Kordinatorëve

Tel: +355 4 2270 412
Tel: +355 4 2270 413

Zyra e Sekretariatit

Tel: +355 4 2258 665

Zyra e Shtypit LSI

Tel: +355 4 225 758

info@lsi.al, www.lsi.al