Skënderbeu ka arritur një fitore mjaft të bukur në Laç, duke përmbysur kurbinasit dhe duke i shkaktuar kurbinasve humbjen e dytë radhazi në kampionat. Bardhekuqtë e Ilir Dajës e kanë parë veten në disavantazh në minutën e 20-të, kur Nuabueze përfiton nga gabimi i Pollozhanit dhe përballë Koliçit nuk fal. 45 minutat e para ishin të gjitha për Laçin, që me pak kujdes mund të kishte dyfishuar.

Reagimi i miqve do të vijnë në pjesën e dytë dhe shumë shpejt. Minuta e 48-të dhe Dejvi Bregu shënon një supergol pas asistimit perfekt të Krasniqit. Një kthesë e shkëlqyer e shtatshkurtrit vlonjat, që rikthen barazpeshën në takim. 18 minuta më pas vjen avantazhi i korçarëve. Oto Xhon kalibron një goditje të saktë në hyrje të zonës dhe mposht Stazhillën për epërsinë e Skënderbeut. Rezultati nuk ndryshon, ndonëse Laçi përpiqet në minutat e fundit. Skënderbeu merr fitoren e dytë radhazi, dhe ngjitet në kryesimin e kampionatit.

Vllaznia merr një pikë me vlera në Ballsh, ndërsa Bylisi pikën e parë në kampionat. Në “Adush Muça” përfundon çdo gjë me rrjeta të paprekura. Skuadrat përpiqen të ndërtojnë, por raste ideale nuk do të ketë. Gjithsesi, rezultat që i shkon për shtat Vllaznisë, që ngjitet në kuotën e 4 pikëve pas dy javëve kampionat.