Ish-deputeti i LSI-së, Përparim Spahiu, tregon disa nga propozimet e Lëvizjes Socialiste për Integrim, për një ekonomi më konkuruese por dhe për një administratë më pak të korruptuar

Intervistoi: Redjon Shtylla

Dështimi me negociatat e anëtarësimit në BE, për ish-deputetin e LSI-së, Përparim Spahiu, erdhi si pasojë e stilit autokrat që ka kryeministri Edi Rama. 

Në një intervistë për ”Koha Jonë”, Spahiu thekson se kurrësesi opozita nuk është pengesë e këtij procesi. “Angazhimi aktual i opozitës është ai që prej kohësh ka nisur, që me djegien e mandateve, protestat por dhe mospjesëmarrjen në zgjedhjet lokale, krijimi i kushteve minimale për zgjedhje korrekte, të pranueshme nga të gjithë. E gjitha kjo fillon me angazhimin serioz të saj në kryerjen e Reformës Zgjedhore, si kushti i vetëm që i kërkohet opozitës, vënë nga raporti i OSBE, por dhe nga Bundestagu”. Opozita flet për vullnet, për mekanizëm për konsensus por deri më tani nuk është ulur në tryezë me qeverinë dhe a është kjo një zgjedhje për krizën? 

Për Spahiun, kushti kryesor që ka LSI-ja është vullneti i mirë politik, gjë që për të PS-ja nuk e ka. Nga ana tjetër, ai sfidon duke thënë se LSI-ja është e gatshme për ballafaqim mbi platforma dhe mbi modelet e zhvillimit. “Nëse vërtet duam që ky vend të ndalojë rënien ekonomike, emigracionin, të luftojë krimin e organizuar, të kthejë në shina funksionimin normal të shtetit, këto arrihet vetëm me zgjedhje, nuk ka asnjë zgjidhje tjetër”.

Opozita politike mbajti një qëndrim në të cilin tha se pas vendimit për negociatat e anëtarësimit në BE do të kishte mobilizim, pse deri më tani nuk ka? A është shuar qëndrimi i opozitës nga rruga e protestave dhe keni ndërmarrë kursin e zgjidhjes politike të krizës?

Edi Rama është penguesi më i madh, historik, i integrimit të vendit në BE. Stili autokrat i drejtimit të tij kurrsesi nuk mund të dojë elementë kontrolli, si të brendshëm ashtu dhe të jashtëm. Prej gjashtë vitesh qeverisjeje të vendit nga Rilindja, Shqipëria ka bërë vetëm regres, në të gjitha fushat por më i rëndi ajo që quhet ”check and balance” i pushteteve.

Të gjitha pushtetet kontrollohen prej tij ose në rastin më të mirë nuk ekzistojnë. Mund të vinim në dukje këtu si më të rëndën mungesën e Gjykatës Kushtetuese. Historive dhe tregimeve sofiste se është opozita penguese e hapjes së negociatave, ne iu përgjigjëm me angazhim tonë maksimal për hapjen e negociatave duke filluar me tërheqjen nga protestat, por dhe me angazhimin e drejtpërdrejtë, pavarësisht situatës ku gjendej vendi. Hapja e negociatave nuk mund të ndodhte, për arsyet që thamë më lart, si mekanizëm kontrolli i pushtetit absolut të Ramës.

Angazhimi aktual i opozitës është ai që prej kohësh ka nisur, që me djegien e mandateve, protestat por dhe mospjesëmarrjen në zgjedhjet lokale, krijimi i kushteve minimale për zgjedhje korrekte, të pranueshme nga të gjithë. E gjitha kjo fillon me angazhimin serioz të saj në kryerjen e Reformës Zgjedhore, si kushti i vetëm që i kërkohet opozitës, vënë nga raporti i OSBE, por dhe nga Bundestagu. E gjithë pjesa tjetër e kushteve të vëna i takon qeverisë, Edi Ramës më mirë, për t’i kryer.

Është gati LSI-ja të shkojë në zgjedhje të parakohshme? Kushtetuta e parashikon për 45 ditë apo duhet të plotësojmë kushte të tjera? Ka një debat që po bëhet tashmë prej 9 muajsh, me Edi Ramën kryeministër apo pa të?

Zgjedhjet janë e vetmja zgjidhje, sidomos në krizën e thellë që na ka përfshirë. Tashmë nuk ka asnjë kuptim pyetja nëse ne si opozitë apo LSI jemi gati apo jo, me Edi Ramën apo pa Edi Ramën. Nëse vërtet duam që ky vend të ndalojë rënien ekonomike, emigracionin, të luftojë krimin e organizuar, të kthejë në shina funksionimin normal të shtetit, këto arrihet vetëm me zgjedhje, nuk ka asnjë zgjidhje tjetër. Jo sepse duhet rrotacion i thjeshtë, por sepse duhet të ketë një koncept të qartë për modelin e zhvillimit ekonomik dhe social të vendit. Dy palë që ballafaqohen mbi modele dhe projekte zhvillimi.

Opozita flet për vullnet, për mekanizëm për konsensus por nuk uleni në tryezë me qeverinë. Pati një moment konsensusi, kur morët pjesë në një tryezë të OSBE/ODIHR-it. Prej atij momenti nuk kemi pasur asgjë. Po kërkohet të gjendet një rrugë që opozita të jetë pjesë e reformës zgjedhore? Përveç disa kushteve të artikuluara nga PD-ja, ka LSI-ja propozime konkrete?

Ne jemi të angazhuar maksimalisht. Janë ngritur grupet e punës me ekspertët më të mirë që ka opozita, si LSI dhe PD. LSI-ja ka historinë e saj sa u takon ndryshimeve, të errëta do t’i quaja, të kodit zgjedhor, në kushtet e një mungese të qartë transparence dhe gjithëpërfshirëse dhe ja ku jemi sot, vuajmë të gjithë ndryshimet kushtetuese të vitit 2008. Kushti kryesor që ne kemi është vullneti i mirë politik, të bindur që mungon deri tani vullneti i mazhorancës (kujtojmë që kreu i Komisionit të Reformës Zgjedhore, Damian Gjiknuri është nën hetim për ngjarje si ajo e dosjes 184), për të arritur vërtet një produkt që siguron në terma relativë zgjedhje korrekte, të ndershme dhe të pranueshme, si mekanizmi bazë dhe i vetëm për një demokraci funksionale.

Si e shpjegoni raportin e “Doing Bussiness 2020”, të publikuar nga Banka Botërore, që e renditi Shqipërinë këtë vit në vendin e 82-të duke e zbritur kështu me 19 vende nga një vit më parë dhe me 9 nga 10 indikatorët e përkeqësuar?

Teknikisht, përgjigja është brenda pyetjes, janë përkeqësuar 9 nga 10 indikatorët. Fakti që 48% e të ardhurave nga TVSh-ja, treguesi kryesor i konsumit, varet vetëm nga një projekt, ai i TAP-it, tregon se në ç’gjendje të rëndë ndodhet ekonomia jonë. Po vuajmë një model ekonomik të dështuar si shprehje e koncepteve politike që ka Edi Rama për shtetin dhe ekonominë, koncepte që nuk garantojnë perspektivë dhe zhvillim.

Ulje e barrës fiskale mbi biznesin dhe individin, thjeshtëzim i sistemit fiskal dhe ulje e barrës fiskale, përmes një takes të sheshtë prej 10% për tatim fitimin, të ardhurat personale. TVSH 0% për prodhimin bujqesor; TVSH 6 % për produktet e shportës; Heqja e pagesës së TVSH-së në doganë. Pagesë fikse tatimi prej 30 mijë lekësh në vit për gjithë bizneset me xhiro vjetore nga 2 deri 8 milionë lekë në vit. Ulje e tavanit të taksave vendore për ti dhënë fund abuzimit me to. Mbështetje me grand 20,000 euro për start-up-et.

Këto janë tashmë disa nga propozimet e LSI-së për një ekonomi më konkuruese por dhe për një administratë më pak të korruptuar.

Çfarë humbim në aspektin ekonomiko-financiar me mos çeljen e negociatave? Nëse çelen negociatat, besoni se do të ulet interesi për ta braktisur vendin, jo vetëm nga të rinjtë?

Çelja e negociatave do të sillte më shumë besueshmëri për investimet e huaja që i mungojnë shumë vendit. Do të sillte më shumë fonde për çdo sektor sipas kapitujve që do të hapeshin. Shqipëria do të kishte mundësi të aplikonte më shumë programe unioni që sot nuk e ka aksesin. Nëse çelen negociatat do të ishte një sinjal i mirë që vendi po shkon drejt perspektivës europiane. Të rinjtë do të kishin më shumë shpresë. Sot rinia ikën nga mungesa e shpresës.