Fusha e futbollit në stadiumin “Wörthersee” në Klagenfurt të Austrisë është kthyer në një pyll nga artisti zviceran Klaus Littmann.

E gjithë fusha tashmë mbulohet nga mbi 300 pemë, disa prej të cilave peshojnë deri në 6 ton. Instalacioni i gjallë titullohet, “Për pyllin – Tërheqja pafund e natyrës” dhe hapet për publikun. Hyrja është falas, dhe njerëzit mund të përshkojnë edhe pyllin. Ideja u frymëzua nga një skicë e para 30 vjetësh, nga artisti dhe arkitekti austriak, Max Peintner.

Sipas autorit Klaus Littmann, ideja është të sfidojë perceptimin që kemi mbi natyrën dhe të na bëjë të mendojmë se nëse lejojmë që gjërat të vazhdojnë kështu si janë, një ditë natyrën nuk do ta kemi më dhe do na duhet ta vizitojmë në ambiente të veçanta, si artin në një muze.

Pylli i lisave, panjave dhe shumë pemëve të tjera, i rrethuar nga shkallët e betonit krijon një pamje mjaft mbresëlënëse.