Një stuhi me forcën e uraganit ka goditur Europën Veriore, duke sjellë me vete erëra të forta dhe shira të dendur. Disa qytete angleze raportuan përmbytje, veçanërisht veriu i Anglisë, duke zhytur në ujë lagje të tëra të Jorkshajrit dhe Uellsit.

Stuhia me emrin “Kiara” paralizoi të gjitha llojet e transportit në Britaninë e Madhe dhe në Irlandë, kompania më e madhe ajrore gjermane njoftoi shtyrjen e fluturimeve deri në mesditën e së hënës, ndërsa në Francë, Norvegji dhe Holandë është rritur niveli i gatishmërisë ndaj katastrofave.

Porti i La-Manshit gjithashtu pezulloi operacionet për shkak të dallgëve të larta.

Stuhia “Kiara” është nga më të fuqishmet që godet kontinentin europian këtë vit, dhe njihet si Elsa në Norvegji apo Sabina në Gjermani dhe Zvicër.

Erërat me shpejtësi deri 145 kilometra për orë kanë shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike në shtetet, si edhe të mësimit në shkollat fillore dhe të ngjarjeve të ndryshme sportive.

Autoritetet britanike presin që stuhia të hënën dhe të martën të shoqërohet me reshje të bollshme shiu dhe qytetarët janë paralajmëruar të shmangin udhëtimet në zonat e përmbytura.