Sulejman Mato: Dëshiroj të sensibilizoj opinionin se gratë si Monika i duhen sot më shumë se kurrë Shqipërisë.

Nga Sulejman Mato

Para një viti kam shkruar një ese po në këtë gazetë dhe po në rubrikën “Opinion” me titullin “Fenomeni Blushi”. Ishte një çast kur Blushi brenda partisë së vet ngrihej në parlament dhe sfidonte me forcë drejtimin e saj, madje në një rast, duke iu drejtuar Taulant Ballës, kryetarit të grupit të sotëm parlamentar të Partisë Socialiste “Ti vë partinë mbi popullin, ndërsa unë vë popullin mbi partinë”.

Ky është dhe problemi që dua të sqaroj sot para lexuesve. Ka një parlament të zgjedhur nga populli dhe për interesat e popullit. Në çastin që interesat e një partie vendosen mbi interesat e popullit, atëherë duhet thënë se kjo parti i ka tradhtuar interesat e të gjithë popullit, përfshi këtu dhe interesat e elektoratit të vet. Si Ben Blushi, ashtu edhe Monika Kryemadhi kanë qenë dy zëra të rëndësishëm brenda partisë në pushtet, të cilët kanë dalë nga kori i instrumentalizuar i grupit të tyre. Ben Blushi më shumë. Zëri i Ben Blushit ishte zëri i një shkrimtari, i cili i ndjente rreziqet e një partie, që me metodat e saj po shkonte drejt diktaturës. Ky problem shfaqet sot më shumë se një vit më parë, edhe për shkakun e thjeshtë që gjyqtarët gjenden në provë dhe gjyqësia gjendet në provën e madhe të zjarrit.

Ben Blushi dhe Monika Kryemadhi, edhe pse në kohë të ndryshme kanë zigzaget e veta, por shquhen për një individualitet politik dhe qytetar, për më tepër kritikojnë dhe kontestojnë nga pozitat e krahut të majtë me fakte dhe me një ndërgjegje qytetare. Si fenomenin “Blushi” dje, ashtu edhe fenomenin “Kryemadhi” sot, unë i quaj si dy fenomene të politikës, të shqetësuar për ruajtjen e një programi të majtë dhe respektimin e vullnetit të një elektorati të majtë.

Kjo gjë ka ardhur, do të thosha, jo thjesht për shkak të idealeve, se sa për shkak të ndjenjës qytetare. A ka ndonjë ngjashmëri fenomeni “Blushi” me fenomenin “Kryemadhi”?

Në disa pika takohen e në disa pika ndahen, ndërkohë që mund të them me bindje që të dy këta personalitete, lider të dy partive të majta, i bashkon diçka… I bashkon qëndrimi që ata kanë mbajtur ndaj Partisë Socialiste, kur kanë parë se kjo parti ka devijuar nga qëllimi dhe nga programi i saj socialist. Për më tepër, kur shohin sot elementët e parë të instalimit të diktaturës së njëshit. Për fenomenin “Blushi” kam qenë i pari që kam vënë në dukje degradimin e pathosit të tij entuziast, nëse do të largohej lufta që duhej bërë brenda partisë mëmë. Koha tregoi që ai bëri të njëjtin gabim që kanë bërë edhe disa intelektualë të tjerë, si Teodor Laço e Neritan Ceka, të cilët përfunduan si liderë të dy partive të vogla. Eksperienca e këtyre viteve ka treguar se çdo individ apo grupim partiak, kur ngre zërin për padrejtësi brenda parisë së vet, duhet të jetë i zoti që të luftojë me argument brenda partisë së vet, pasi çdo largim prej saj apo çdo krijim partiak do të ishte një dështim i plotë.

Rasti “Kryemadhi” është tjetër gjë… Partia e saj, me kontributin e saj të rëndësishëm renditet si forca e tretë, herë në pozitë e herë në opozitë. Kontributi i saj brenda asaj partie është i madh dhe i dukshëm. Ajo ka ditur të ndërtojë një parti liberale dhe të afrojë elementë të rinj, me integritet, të cilët janë shpresë e së ardhmes.

Fenomeni “Kryemadhi” edhe pse nuk ngjan me fenomenin “Blushi”, ka përpara të njëjtin armik dhe të njëjtat mjete me të cilat mund të luftohet ky fenomen…

****

Rrugën e saj drejt suksesit politik unë e kam ndjekur me kujdes, pasi qysh në vitet nëntëdhjetë kam parë tek maturantja e gjimnazit “P.N.Luarasi” një gjimnaziste aktive dhe me aftësi organizative.

Më vonë e kam ndjekur zonjën Kryemadhi, tashmë si nënën dhe bashkëshorte, në betejat pro dhe kundra politikës së Nanos. Në atë kohë ishte vërtetë e shoqja e Ilir Metës, por me individualitetin e vet të formuar dhe me mendimet e veta. Më ka bërë përshtypje edhe rasti i saj në Kombinat, kur një qytetari iu prek kioska, ajo doli para fadromave me guxim dhe e ndaloi një veprim të tillë, në dëm të qytetarit. Është po kjo Monikë, 27 vjet më vonë, deputete dhe lidere e një partie të madhe edhe pse socialiste, por në opozitë me partinë kryesore, që e kupton rolin konstruktiv të opozitës dhe del sot në parlament të mbrojë me një guxim të papërmbajtur qytetar, dhunimin e Kushtetutës dhe dhunimin e deputetëve të partisë së saj. Shumëkush, i nisur nga pozicioni partiak i majtë e paragjykon veprimin e saj agresiv në parlament. Për një çast e pranoj edhe unë, doli edhe jashtë vetes së saj, humbi kontrollin, mirëpo këtu harrojmë provokatorin… Harrojmë arsyet e këtij irritimi të një lidereje partie. Parlamenti është një foltore e lirë për parlamentarët, ndryshe ç’kuptim do të kishte demokracia kur ajo nuk ushtrohet dot as në parlamentin shqiptar?

Ndjenja e qytetarisë te zonja Kryemadhi është për t’u përgëzuar. Monika Kryemadhi është e natyrshme, ka individualitetin e vet edhe në veshje, edhe në mënyrën e komunikimit. Është e thjeshtë dhe komunikuese me të gjithë. Është një grua e fortë. Ne nuk jemi mësuar me gra të forta… Ne nuk i pranojmë gratë e forta. Ne i paragjykojmë gratë e forta. Ne kemi nevojë për gra kokulura dhe jo kryelarta si zonja Kryemadhi… Monikën e gjykojnë se ajo tashmë është zonja e parë e vendit, mirëpo ajo këtë rol nuk e ka pranuar… Asaj nuk i pëlqen të jetë një zonjë “kukull”, zonja e parë e vendit… Monika Kryemadhi me eksperiencën politike dhe kapacitetet qytetare dhe intelektuale, me thjeshtësinë dhe humanizmin që ka është një shembull i mirë për të gjitha gratë e tjera. Monika i duhet opozitës dhe situatës që po kalon vendi. Monika i duhet për më tepër shoqërisë sonë… Ka një elektorat të politizuar dhe ka individë që e paragjykojnë atë vetë, familjen e saj dhe partinë e saj… Dhe përsa i përket partisë së saj, unë mendoj se Lidhja Socialiste për Integrim ka grumbulluar në gjirin e vet ajkën e rinisë socialiste. Ajo ka një program më të avancuar se Partia Socialiste dhe ka një politikë luajale. Këtë gjë e ka treguar këto tetë vjet herë me të djathtën e herë me të majtën. Ky fenomen i LSI-së shfaqet rëndom në aleancat paszgjedhore të partive europiane. Unë mendoj se në këtë drejtim, në liberalizimin dhe revizionimin e mendimit partiak, një rol të rëndësishëm ka lozur edhe vetë Monika Kryemadhi si ish-numri dy i LSI-së.

Politika është në ngërç. Sinoptika e këtij dhjetori parashikon një dimër të madh në politikë. Edi Rama, pas disa sukseseve, po bën ato gabime që bëri Sali Berisha në ‘96. Opozita e ndjen e para këtë dimër. Ajo, duke e quajtur dimrin e saj, sheh se si mazhoranca mblidhet me ngut, heq me ngut prokurorin dhe vendos me ngut një prokurore kukull edhe përmes tymit të gazplasësve. Nuk trembet, por nuk mund të pranojë veprime të tilla. Pas akuzave që i bëhen Tahirit, opozita vëren frikë midis socialistëve, ndërkohë që me vendosjen e një prokuroreje kukull “e përkohshme”, kërcënimi më madh qëndron mbi kokat e demokratëve… Lideri i Partisë Demokratike e ka theksuar mendimin e vet me forcë dhe disa herë. Dhe Sali Berisha e tha mendimin e vet në parlament, bruto, pa etikë, me forcë. As më shumë dhe as më pak, po këtë gjë bëri edhe Monika Kryemadhi. Vendi është në prag të një dimri të madh politik. Lu dhe Vlahutin qëndrojnë si sehirxhinj. Duket sikur duan të mos përzihen në këtë çorbë politike… Ndërkohë, faktet tregojnë që janë të përzier. Në këtë kohë të turbullt, “Kukulla” ish-zëvendësja e ish-prokurorit të Shkodrës, merr situatën në dorë… Shpresoj që ajo, në atë post të rëndësishëm që e vuri Partia Socialiste me votat e veta, të mos lozë rolin e kukullës dhe as të veglës në duart e të tjerëve. Unë nuk e paragjykoj, por as nuk kam pse ta vlerësoj një person që nuk zgjidhet me vota të shumicës parlamentare. Arta Marku ka përgatitje profesionale, por edhe si shkodrane e mirëfilltë, duhet të kuptojë misionin e saj të përkohshëm. Ka zënë atë pozicion historik, në vendin e duhur dhe në kohën e duhur… Monika Kryemadhi i ndjen situatat që agravohen. Le ta anatemojnë ca gra që ngrihen e flasin tek “News 24” për gjoja turpërimin që u paska bërë ca grave të Shqipërisë… Gratë e Shqipërisë, sot më shumë se kurrë duhet ta kuptojnë Monikën si zë i mendimit të lirë dhe të shëndoshë së shoqërisë sonë.

E kam ndjekur me kujdes dhe ndër vite aktivitetin e saj. E kam parë zonjën Kryemadhi si nxënëse, si studente, si aktiviste në partinë e saj, si bashkëshorte, si nënë; e kam ndjekur Monika Kryemadhin në intervista, në qëndrimin ndaj mediave, në qëndrimin e saj në shoqëri dhe familje dhe kam kuptuar se kemi të bëjmë me një nga gratë e rralla të shoqërisë sonë, të cilën duhet ta vlerësojmë dhe ta respektojmë për kurajën dhe për të gjitha vlerat dhe kontributet e saj në shoqëri dhe në familje.

Duke shkruar këto rreshta sot për fenomenin “Monika kryemadhi” si nënë, si e shoqja e Presidentit të Republikës, si lidere e një partie kryesore, por edhe si një qytetare e lirë, me shembullin e saj, duke bërë edhe ndonjë vërejtje për etikën e sjelljen e saj, por edhe për atë e provokuan, dëshiroj të sensibilizoj opinionin se gratë si Monika i duhen sot më shumë se kurrë Shqipërisë.

Burimi:(integrimi.al/E.P)

al}lsiLOGO_LRI_lgi
Selia Qëndrore

Rruga Sami Frashëri
Godina 20/10
Tiranë, Shqipëri

Zyra e Kordinatorëve

Tel: +355 4 2270 412
Tel: +355 4 2270 413

Zyra e Sekretariatit

Tel: +355 4 2258 665

Zyra e Shtypit LSI

Tel: +355 4 225 758

info@lsi.al, www.lsi.al