Të lëmë mënjanë arrogancën dhe të mendojmë për të ardhmen e fëmijëve tanë

 

FJALA E PLOTË NË PARLAMENT E DEPUTETES KEJDI MEHMETAJ
Ndihem shumë pozitive, që ky parlament po mendon për fëmijët dhe është përkushtuar në këtë kauzë, megjithatë duket sikur jo tamam i ka hyrë në thelb çështjes. Është mirë që ne vazhdimisht mendojmë se si dhe sa duhet të dënohen fëmijët e të rriturit pas kryerjes së akteve kriminale, por a mendojmë aq gjatë saç duhet për parandalimin e këtyre akteve. Nuk kam asnjë kundërshtim me projekt – aktin dhe jam e lumtur që më në fund po tentojmë t’i zbatojmë deri në detaj të drejtat e fëmijëve, por duke përfituar nga ky rast, dua të sjell në vëmendjen tuaj se, sidomos për një fëmijë, kryerja e krimit sjell dëme të përhershme në jetën e tij dhe ne duhet të bëjmë çdo gjë që mundemi për ta parandaluar aktin.
Faktorët që çojnë në kryerjen e akteve kriminale ndër mosha të reja janë disa: Varfëria në familje, ekspozimi ndaj dhunës, cilësia e dobët e edukimit, konsumi i drogave, aksesi i lehtë kundrejt armëve të zjarrit dhe modeli i krimit i servirur në jetën e përditshme.
Ndërkohë që sipas të gjitha të dhënave zyrtare dhe jo zyrtare, mbjellja e kanabisit në Shqipëri është rritur në mënyrë eksponenciale, qeveria më në fund reflektoi dhe e përgëzoj për marrjen e masave kundër mbjelljes së kanabisit në vend. Më vjen mirë që iu larguam justifikimit se shqetësimet e ngritura janë për arsye elektorale, sepse si rrjedhojë e mungesës së luftës kundër kanabisit sot fëmijët e të rinjtë shqiptarë janë drejtpërsëdrejti të ekspozuar ndaj konsumit të hashashit dhe kultivimit të tij.
Ndërkohë që ne sot flasim si të rrisim e ndryshojmë dënimet, pak themi se si do i ndihmojmë fëmijët të largohen nga këto fenomene. Ndërkohë që sot një i ri dënohet me 5 vite burg për konsum të hashashit, pronarët e plantacioneve të hashashit vazhdojnë jetën e tyre të qetë dhe të pa prekur. Ndërkohë që u themi fëmijëve se nuk duhet të kryejnë krime, u servirim atyre modelet se si të inkriminuar janë pjesë e qeverisjes qendrore dhe lokale. Shumë prej nesh harrojnë të promovojnë ato modele aq të mira që gjenden brenda maxhorancës, të të rinjve që punojnë me mish e me shpirt për Shqipërinë. Po dëgjoja sot njerëz që sajojnë foltore rrugëve të Tiranës e Paskuqanit, se e vuajnë shumë mungesën e foltores në parlament, të thoshin se do të respektonin të drejtën sovrane të popullit për të zgjedhur, habitem si nuk ndjejnë ndopak pendesë që sovrani po bën zgjedhje të parakohshme pikërisht se oferta e mëparshme kishte qenë krimi dhe dhuna. Sot pra të mos bëhemi arrogantë, e as hipokritë, të ulemi me këmbë në tokë e të mendojmë ç’po bëjmë e ç’do bëjmë për shqiptarët e mbi të gjitha për fëmijët tanë
Është e kuptueshme që ethet zgjedhore i kanë kapur të gjitha palët, e qahet halli vetëm se kush do të marre votat, por kjo nuk na komplekson aspak të vazhdojmë të flasim për problemet dhe të punojmë për zgjidhjet. Kjo është ajo që kemi bërë këto katër vite dhe këtë do vazhdojmë të bëjmë: Të kërkojmë arsim cilësor, të kërkojmë mirëqenie dhe punë dinjitoze, të kërkojmë të luftohet krimi dhe korrupsioni, të kërkojmë zbatim të drejtë të reformave që do e bëjnë vendin të ecë përpara.

(Burimi:Balkanweb/Xh.N)

Te shenuara si:
al}lsiLOGO_LRI_lgi
Selia Qëndrore

Rruga Sami Frashëri
Godina 20/10
Tiranë, Shqipëri

Zyra e Kordinatorëve

Tel: +355 4 2270 412
Tel: +355 4 2270 413

Zyra e Sekretariatit

Tel: +355 4 2258 665

Zyra e Shtypit LSI

Tel: +355 4 225 758

info@lsi.al, www.lsi.al