Një tërmet i fortë me magnitudë 5.2 ballë është regjistruar mëngjesin e sotëm në qytetin e Korçës dhe në zonat përreth.

Tërmeti ka shkaktuar panik tek qytetarët, të cilët kanë braktisur banesat duke qëndruar jashtë.

Ndërsa raportohet se dëme materiale ka në fshatin Qafzezë të Kolonjës dhe në Vidohovës të Devollit. Janë dy fshatrat, të cilët u dëmtuan nga tërmeti i qershorit. Banorët thonë se lëkundjet kanë shkaktuar çarje të mureve dhe rënie të suvave.

Epiqendra e tërmetit ka qenë 3 km nga fshati Miras dhe 11 km nga qyteti i Korçës me një thellësi 25 km.

Sakaq lëkundje tërmeti janë  ndjerë ditën e sotme  edhe në Kosovë. Tërmeti  me magnitudë 3.1 i shkallës rihter është regjistruar në orën 07:00 të mëngjesit, ndërsa epiqendra  ka qenë  në rajonin e Prizrenit, konkretisht në zonën  Dragashit.